Aktualitet

UET, Master i ri në Sistemet e Qëndrueshme të Prodhimit të Ushqimeve

Shkruar nga Liberale
UET, Master i ri në Sistemet e Qëndrueshme të Prodhimit të

Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës sjellin programin e përbashkët të studimit, Master i Shkencave në Sistemet e Qëndrueshme të Prodhimit të Ushqimeve, me dy profile të ndryshme dhe një diplomë të dyfishtë. Ku program synon të përgatitë specialistë në fushën e prodhimit të qëndrueshëm të ushqimeve. Të gjithë ata që regjistrohen në këtë vit akademik, përfitojnë bursë të plotë për vitin e parë.

Universiteti Europian i Tiranës hap programin më të ri për ciklin e dytë të studimeve, në një fushë e cila gjithnjë e më shumë po bëhet kryefjalë e interesit të shoqërive, në mbarë botën e që lidhet me prodhimin e ushqimeve në mënyrë të qëndrueshme.

I nisur si një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, i njohur ndryshe si STEPS, “Sistemet e Qëndrueshme të Prodhimit të Ushqimeve”, ai vjen në formën e një Masteri të Shkencave. Për të gjithë studentët që do të ndjekin këtë program dyvjeçar, lëshohet një diplomë e dyfishtë nga UET dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, partnerë në këtë projekt.

Profilet e studimit në këtë program përfshijnë “Inxhinieri, Cilësi dhe Siguri Ushqimore”, të ofruar nga UBT, dhe “Menaxhim i Sistemeve të Prodhimit të Ushqimeve”, të ofruar na UET.  UET, ndërsa fton për aplikim të gjithë punonjësit e administratës publike, ofron bursë të plotë për vitin e parë të studimeve, për të gjithë ata  që regjistrohen në vitin akademik 2022-2023.

Ky program studimi  ka për qëllim të përgatitë specialistë me formim të thelluar teorik dhe profesional, në fushat e prodhimit të ushqimit, sistemeve të prodhimit, biodiversitetit, ekonomisë dhe politikave të tregut, të njohin aspektet ligjore dhe kuadrin rregullator të sektorit ushqimor, të tregojnë kompetencë në zbatimin e teknikave dhe metodave të kontrollit të cilësisë së produkteve ushqimore, si dhe administrimin e sistemeve të menaxhimit të sigurisë ushqimore. Me një diplomë të tillë Master, të diplomuarit do të jenë të aftë të përgatitin dhe ofrojnë modele bashkëkohore për sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemeve të prodhimit,  në situatën e një ekonomie globale me sfida të përsëritura.

Projekti Erasmus+ STEPS, i financuar nga Bashkimi Europian ka në fokus përgatitjen e specialistëve të aftë të hartojnë politika, strategji, objektiva për zhvillim e qëndrueshëm të sistemeve të prodhimit të ushqimeve, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët dhe aktorët, që luajnë një rol vendimtar dhe kanë qasje të drejtpërdrejtë mbi këto sisteme. Prodhimi i ushqimeve në mënyrë të qëndrueshme lind si nevojë e kohës për të përdorur procese dhe sisteme që nuk shkaktojnë ndotje, që ruajnë burimet natyrore dhe energjinë, eficiente ekonomikisht, të sigurta për punonjësit, konsumatorët dhe komunitetet dhe mbi të gjitha, që nuk komprometojnë nevojat e brezave të ardhshëm.

Ky projekt ka 11 institucione partnere, ku katër ndër ta janë nga vende të Bashkimit Europian, dy universitete si UET dhe UBT nga Shqipëria, dy nga Kosova, dhe dy nga Bosnja dhe Hercegovina, së bashku me Ministrinë boshnjake të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH