“Duhet të jesh i vdekur për të gjallët, që të jesh vërtet krijues”
Nga Namir Lapardhaja
“Tonio Krëgeri” është një novelë modeste e Tomas Manit, të cilën shkrimtari gjerman e shkroi në një moshë relativisht të re, kur ai ishte vetëm 25 vjeç. Tek kjo vepër ravijizohen shenja të autobiografisë së gjeniut gjerman, duke e projektuar vetveten tek personazhi kryesor, Tonio Krëgeri, jeta e të cilit jepet në zhvillim të vazhdueshëm, prej fëmijërisë e deri në një periudhë të papërcaktuar kohore, ku imazhet dhe personazhet e adoleshencës së hershme të protagonistit rikthehen në formë mirazhesh, ndërsa mendimet e Manit për artin, letërsinë, raportet e artistit me veten, botën dhe të tjerët janë dhënë nëpërmjet dialogut të personazhit të Kregërit me personazhet e tjerë, monologut të brendshëm, meditimeve gjatë udhëtimieve të vazhdueshme, rikthimit në shtëpinë e fëmijërisë dhe, mbi të gjitha, në bashkëbisedimin me piktoren Lisaveta Ivanovnën, letra shkruar së cilës përmbyll faqen e fundit të novelës.
Novela nis me portretizimin e dy katërmbëdhjetëvjeçarëve, Tonios dhe Hansit, i pari fëmijë konsulli dhe i dyti djalë i një tregtari. Tonio jepet në faqet e para nëpërmjet heshtjes dhe vuajtjes së madhe. Ai është fëmijë jo si të tjerët: është në konflikt me të gjithë, me mësuesit zihet, sepse i duken të çuditshëm, shkruan vargje dhe është nxënës mesatar, kurse Hansi është nxënës i shkëlqyer dhe nuk pëlqen ata libra dhe atë lloj letërsie që i rekomandon miku i tij, por librat e tij të preferuar janë disa libra me kuaj dhe ilustrime të shkëlqyera. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, heroi i novelës bie në dashuri me bionden Ingeborg Holmin, e cila më tepër është një dashuri platonike se sa reale, është një dashuri e moshës, mirëpo ai e di se dashuria do t’i sjellë shumë dhimbje, vuajte dhe poshtërime, do t’ia çakërdisë shpirtin dhe do t’ia mbushë zemrën përplot me melodi. Ai dashurohet aq marrëzisht pas saj saqë saqë mendon se do t'i jetë besnik përjetë, futet për të në kurs baleti, vetëm të ketë mundësi të vallëzojë me të, mirëpo, pavarësisht se ai e do bionden, gazmoren Inge Holmin, e cila me siguri e përbuzte edhe për arsyen se ai bënte vjersha, përballë tij qëndron Magdalena Vermereni, e bija e një avokati, e cila e dinte që ai bënte vjersha dhe dy herë i ishte lutur t’ia jepte. Por gjithçka që bënte Magdalena për të atë nuk e preknin fare, ai donte Inge Holmin.
Nuk kaloi shumë kohë dhe flaka e dëshirës dhe dashurisë për bionden gazmore Ingen i shuhet. Braktis qytetin e lindjes dhe jepet me tërë qenien pas forcës së mendjes dhe të fjalës. Këtu duket se fillon dhe qartësohet ideja e vetë shkrimtarit gjerman që ka për botën dhe artin, për letërsinë dhe marrëdhëniet e saj me jetën. Në këtë fazë të jetës së tij, Tonios i duket se “gjithçka ishte qesharake dhe e mjerë”, kështu që bashkë me torturën dhe krenarinë e njohjes vjen vetmia, sepse ai nuk mund të rrijë në shoqërinë e njerëzve, me shpirt të patrazuar dhe të pandriçuar. Ndërkohë që ndjen një gëzim të jashtëzakonshëm kur jepet pas fjalës dhe formës. Ai nuk punon si njeriu që punon për të jetuar, por si “ai që s’do asgjë tjetër veç të punojë, se s’i dukej gjë vetja të ishte thjesht njeri i gjallë, donte ta numëronin vetëm si krijues dhe, pjesën tjetër të kohës, kur s’krijonte, çapitej si njeri kot, si njeri i shpëlarë, si puna e aktorit që ka hequr makiazhin dhe që është një hiç, përderisa nuk ka ç’të interpretojë”.
Bashkëbisedimi i Tonio Krëgerit në atelienë e Lisaveta Ivanovnës nxjerr në pah më së miri botëkuptimin e shkrimtarit për artin e të shkruarit. Nëpërmjet dialogut dhe debatit me të, shpërfaqet gjenia krijuese e Manit, që flet nëpërmjet gojës së personazhit të tij, i cili thotë se “...duhet të jesh idiot në kujtofsh se ai që krijon ka të drejtë të ndiejë... Sepse ajo që shpreh ti nuk duhet të jetë kurrë thelbësorja për ty, por vetëm lënda mospërfillëse në vetvete, me të cilën, pa pasion, duke e zotëruar dhe si duke luajtur, do të formosh një imazh estetik. Po e patët me merak të madh atë që doni të thoni, po ju rrahu zemra shpejt për subjektin tuaj, mund të jeni i sigurt për një dështim të plotë. Dhe do të bëheni patetik, sentimental, do të nxirrni nga duart një vepër trashanike, mëngjarashe, të rreptë, pa pikë mjeshtërie, pa pikë ironie dhe lezeti, të merzitshme dhe banale, dhe rezultati përfundimtar do të jetë vetëm mospërfillja e publikut dhe zhgënjimi e vuajtja për ju”.
Duket si një traktat estetik se si duhet dhe se si s’duhet të jetë letërsia e vërtetë. “Vetëm ato dridhjet, - vijon më tej, - ato ekstazat e ftohta të sistemit tonë nervor prej artisti kanë një karakter estetik. Duhet të jesh njëfarë mase jashtë njerëzores, të jesh ca çnjerëzor, të jetosh në marrëdhënie çuditërisht të largëta e të çinteresuara ndaj asaj që është njerëzore, që të jesh në gjendje, ose më mirë të tundohesh ta paraqesësh, ta kthesh mbarë e prapë, ta riprodhosh me shije e sukses... Artisti ka marrë fund sapo bëhet njeri e nis të ndiejë”.
Në fjalët e personazhit del se letërsia nuk është prirje, por mallkim. Kur e nxjerr kokën ky mallkim? – pyet ai. Herët, shumë herët, kur fillon dhe e ndjen veten të veçuar, në kundërshtim me të tjerët dhe i pakuptuar nga ata. Është ky veçim dhe kjo pakuptimësi ajo që e hedh personazhin e novelës në udhët e botës, i shoqëruar nga valët e detit dhe nga meditimet vetjake, i rikthyer në shtëpinë e fëmijërisë, ku i rishfaqen imazhet e së kaluarës, të cilat duket se e ndjekin pambarimisht dhe nuk e lënë të qetë, aq sa teksa udhëton shumë larg në veri, Danimarkë, në një hotel të vogël e të bardhë plazhi, me kanate të gjelbëra, të ndërtuara në mes të një grumbulli shtëpish të ulëta, nga një heshtje e plotë dhe një qetësi absolute, i shfaqen disa mysafirë, të cilët gëzojnë, dëfrejnë e vallëzojnë, mes të cilëve edhe dy miqtë e dashur të fëmijërisë së dikurshme: Hans Hanseni dhe Ingeborg Holmi.
Të dy i shfaqen Tonio Krëgerit si mirazhe të së shkuarës së largët, prej së cilës duket për një moment se nuk është shkëputur dot. I kujtohet e kaluara e tij, miqësia me Hansin, i cili duket sikur nuk ka ndryshuar fare, dhe dashuria me bionden gazmore Inge. Bie një pezullti heshtjeje. Koha ka ngrirë, gjithçka lëviz në hapësirë, vetëm tre personazhet kanë ngecur. Nëse do t’u flasë dy miqve të dikurshëm, duket se gjithçka do të mbarojë, do të marrë fund, letërsia do të dorëzohet dhe do të mbizotërojë jeta, e zakonshmja, mirëpo autori nuk mund ta lërë në baltë personazhin, që është shkëputur përgjithmonë nga e kaluara, nuk mund ta hedhë në atë mënyrë dhe ta bëjë të paaftë të gjejë rrugëdalje nga ajo situatë e vështirë. Ndaj, Tonio mendon se ç’mund t’u thotë dhe nuk ka guxim t’u flasë, sepse “...do të ndodhte si gjithnjë: ata s’kishin për ta kuptuar, kishin për ta dëgjuar me habi, se gjuha e tyre s’ishte gjuha e tij”.
Çfarë është ky takim me dy miqtë e fëmijërisë së dikurshme? A është shajni, vezulli, mall, dashuri, zili, përbuzje apo xhelozi? Pse ky “kurth” i ngritur ndaj personazhit? Përgjigjen duket se e jep vetë Tonio Krëgeri në faqet e fundit të novelës, ku ai kthehet dhe i shkruan një letër, të cilën ia kishte premtuar prej kohësh, mikes së tij piktore, Lisavetës: “...Në çdo krijimtari artistike, në çdo gjë që del jashtë së zakonshmes, në çdo gjeni, shoh diçka thellësisht të dyzuar, thellësisht të dyshimtë, thellësisht të pasigurt, që më mbush me këtë dobësi dashurie për të thjeshtën, të çiltrën, të rehatshmen dhe normalen, për atë që s’është gjeniale dhe që është e ndershme”.
Tomas Mani është konsideruar nga studiuesit si themelues i “romanit intelektual”. Me këtë kanë pasur parasysh kryeveprën e tij “Mali magjik” (1924), e cila i parapriu një lloji të ri të të shkruarit, ndërsa novela ekspresioniste “Tonio Krëgeri” (1903) duket se i shërbeu shkrimtarit të famshëm gjerman për ta renditur këtë novelë të vogël në radhët e Letërsisë me “L” të madhe./Gazeta Liberale