Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur paraditen e sotme në zonën e Pazarit në Korçë, ku një 36 vjeçar ka qëlluar me thikë një shitëse, duke e lënë të plagosur. Po ashtu mbeti i plagosur një tjetër shtetas i cili ndërhyri për të ndihmuar gruan në fjalë.
Të dy të plagosurit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. |Paraprakisht dyshohet se autori i ngjarjes, vuan nga probleme të shëndetit mendor. 36-vjeçari u kap dhe u dërgua në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Korçë/Plagosi me mjet të mprehtë 2 shtetas, kapet dhe shoqërohet në Polici, autori i dyshuar i ngjarjes.
Më datë 19.10.2023, rreth orës 10:00, në lagjen nr. 8, në zonën e Pazarit, Korçë, shtetasi J. M., 36 vjeç, banues në Korçë, ka dëmtuar me mjet të mprehtë, shtetasen A. M., 52 vjeçe dhe shtetasin V. Sh., 60 vjeç, në momentin kur ky i fundit ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën, të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para dyshohet se autori i ngjarjes, vuan nga probleme të shëndetit mendor. 36-vjeçari menjëherë u kap nga shërbimet e Policisë dhe aktualisht ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.