Aktualitet

Të bëhesh një jurist i mirë, UET forum me ish-ministrin Eduard Halimi

Shkruar nga Liberale

Tradita e forumeve në Universitetin Europian të Tiranës vijoi këtë javë me prezantimin e librit “Të bëhesh një jurist i mirë” me autor ish-Ministrin e Drejtësisë Eduard Halimin. Pedagogë dhe studentë të UET u përfshinë në diskutimin se me çfarë sfidash përballen sot juristët e ri në Shqipëri.

Halimi, themelues njëherësh edhe drejtues i zyrës ligjore “Halimi Law & Tax”, u prit nga Departamenti i Shkencave Juridike me Dekanen Prof. Assoc. Dr. Juelda Lamçe, pjesëtaret e departamentit Dr. Sofjana Veliu, PhD. Renata Kau etj.

I njohur në rrafshin publik për kontributin në politikë si Ministër apo deputet në dy legjislatura, Zoti Halimi ndau me të pranishmit përvojën e tij si avokat, si ekspert i së drejtës private, fushën e bankave dhe teknologjisë. Ai u ndal gjatë te puna e kryer me studion e tij ligjore dhe te potenciali i të rinjve ekselentë që vijnë nga UET, për këtë iu rekomandoi studentëve të pranishëm t’i përkushtohen plotësisht zgjedhjes së tyre në drejtim të drejtësisë.

“Keni bërë zgjedhjen e duhur. Unë për vete nuk do ta ndërroja kurrë këtë profesion që kam dhe ju them me bindje se pasioni dhe përkushtimi juaj do të bëjë të mundur që të keni sukses nëse e ndërmerrni me vazhdimësi këtë hap që keni nisur,” – u shpreh Zoti Halimi drejt studentëve.

Krahas Alban Avdullës, të cilin Zoti Halimi e prezantoi si shembullin konkret se si një student ekselent mund të ecë përpara në shërbim të drejtësisë duke gjetur një vend jo vetëm në studion “Halimi Law & Tax” por edhe në UET, ai theksoi se për të rinjtë është e domosdoshme përthellimi në një fushë konkrete si për shembull çështja e pronave, sistemi bankar, negocimi i kontratave, sistemi i sigurimeve, hidrokarbureve apo i energjisë.

Thënë këtë Halimi u ndal te prezantimi i librit “Të bëhesh jurist i mirë”, të cilin e përshkroi si një manual që nuk synon zëvendësimin e librave të kurrikulave universitare, por plotësimin e boshllëqeve që mbeten mes kapërcimit nga bota akademike te ajo profesionale.

“Libri i dedikohet specifikisht studentëve për mënyrat praktike se çfarë u pret në punën e tyre si jurist pas periudhës shkollore,” – u shpreh Zoti Halimi, i cili kujtoi se gjatë periudhës kur kishte mbaruar studimet, ishte gjendur në një situatë paniku për sa i përket asaj se çfarë e priste e ardhmja në tregun e punës. Për këtë, me mirëkuptim, iu drejtua studentëve të pranishëm, që të sprovojnë veten në mundësi të ndryshme praktikash përpara se t’i dedikohen tërësisht një fushe të caktuar të spektrit juridik.

Libri i Zotit Halimi është i ndërtuar me template dhe konsiderohet një libër tavoline, i cili mund të mbahet si referencë gjatë punës së përditshme të juristëve. Studioja “Halimi Law & Tax” dhuroi për bibleotekën dhe studentët e UET dhjetë libra ndërsa la të hapur vijimin e bashkëpunimeve për evente apo fushata të ndryshme.

“Mund ta quajmë si një libër me receta që përmbledh kodet e sjelljes së një juristi në punë të ndryshme, si kompanitë e sigurimeve, bankat, shoqeritë e hidrokarbureve, etj.” – tha Zoti Halimi.

Të pranishmit e vlerësuan librin si tejet të vlefshëm për tregun e shërbimit ligjor në Shqipëri. Studentë dhe ish-studentë të UET ndeshën opinionet e tyre për sa i përket sfidave si mungesa e hapësirave për praktika profesionale. Disa prej tyre vlerësuan traditën e UET për forumet e ngjashme dhe ngritën idenë për diskutime më konkrete për gjetjen e mekanizmave të duhur që ua lehtësojnë studentëve daljen drejt profesionit.

Alban Avdulla, pjesë e stafit të zyrës ligjore të Zotit Halimi, vlerësoi si tejet të suksesshme për këtë pikë konkursin e gjyqeve të simuluara, “Moot Court Competitio”. Ai tha se përmes këtij konkursi juristët e rinj trajnohen në grupe skuadrash dhe aftësohen jo vetëm në aspekti profesional por edhe në mënyrën se si të artikulohen apo sillen në publik apo përpara kamerave, duke qenë se konkursi në të cilin përfshihet studioja e “Halimi Law & Tax” transmetohet edhe në televizion.

Këtë vit synohen 20 skuadra përfaqësuese me shtrirje të mëtejshme në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Fituesit e gjyqeve të simuluara të edicionit të shkuar patën mundësinë të kishin vizita studimore në Strasburg, apo dhe të ndiqnin shkolla verore, ndërsa në edicionin e këtij viti synohet që fituesit të kenë mundësi të konkurrojnë më tej edhe me kolegë të tyre nga Europa.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH