Kryesore

Si i kapi qeveria të gjithë pushtetet dhe opozita u bë konfrontuese

               Publikuar në : 09:30 - 09/10/19 liberale

Forumet UET/ Presidenti Meta shprehet se Shqipëria nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë për të çelur negociatat me BE, ndërsa ishte i mendimit se çfarëdo vendimi të marrë Gjykata Kushtetuese, ajo nuk do  mundet t’i japë legjitimitet 30 qershorit. Kreu u shtetit, gjatë bashkëbisedimit me studentët e ekselencës në UET, foli edhe për presione të jashtme nga faktorë që duan një Shqipëri të paqëndrueshme, në një kohë kur  edhe Kosova është në bisedime me Serbinë

Nëse më 13 tetor do të kishte pasur zgjedhje, negociatat një javë më pas do të kishin marrë dritën jeshile. Kështu do të shprehej presidenti Meta, i vetmi që  besoi se  zgjedhjet lokale, të caktuara me dekret të tij, do të ishin rrugëzgjidhja e krizës politike, duke i lejuar qytetarëve mundësinë që nuk e patën më 30 qershor, atë të alternativave. Një rrugëtim të gjatë, nga vitet e studimeve në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës tek  stacionet e rëndësishme të hyrjes në politikë, zgjedhja si kryeministri më i ri dhe detyrat si kryetar Kuvendi e deri tek posti i presidentit që e sheh si mision,  Ilir Meta e ndau përballë studentëve të Ekselencës, në Universitetin Europian të Tiranës.  I ftuar në Forumet UET, presidenti shprehu shqetësimin e largimit të të rinjve nga vendi duke u ndalur tek shkaqet, por edhe sesi mund të ndalohej kjo zbrazje masive e vendit nga pjesa e kualifikuar dhe e arsimuar e saj. Qeveria ka shkelur 38 herë Kushtetutën, tha kreu i shtetit, duke përmendur vendime dhe ligje të dhëna nga 2013 deri më 2016-n, ndërsa për opozitën tha se po ecën në drejtim konfrontues. Ai u ndal tek zgjedhjet në Kosovë, çelja e negociatave, presionet ndërkombëtare, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë dhe  kritikat për Reformën në Drejtësi, që vijon të zbatohet e njëanshme.  Sipas presidentit, Kushtetuesja nuk mund t’i japë legjitimitet 30 qershorit

Të dielën u zhvilluan zgjedhjet në Kosovë, që për nga mënyra fatkeqësisht e bëjnë Shqipërinë të duket në këtë drejtim shumë vite larg,  duke pasur parasysh të gjitha problemet që kemi në  zhvillimin e  garës demokratike. A do të ndikojnë ato në marrëdhëniet me Shqipërinë? Kam  parasysh disa deklarata të kryeministrit të mundshëm, Albin Kurti në drejtim të qeverisë aktuale këtu te ne, që për hir të vërtetës nuk janë fort miqësore.  Marrëdhëniet Shqipëri Kosovë varen nga emra të caktuar politikanësh apo shkojnë përtej ?

Na duket sikur zgjedhjet në Kosovë ishin zgjedhjet në Danimarkë, në raport me disa mangësi që ne i kemi demonstruar për shkak të mungesës së vullnetit politik, jo se qytetarët shqiptarë këtu nuk janë në gjendje dhe nuk duan të marrin pjesë në procese të tilla, por lidershipi politik këtu ua ka bërë të vështirë këtë mundësi. Megjithatë, zgjedhjet në Kosovë ishin të shkëlqyera, ka disa veçanti atje, por një veçanti për mua pozitive është edhe sistemi elektoral. Ata kanë një sistem me lista të hapura, pra voton për partinë, por voton edhe brenda partisë. Ishte një garë aq e fortë sa edhe tani vazhdojnë ende kalkulime, pavarësisht se duket që Vetëvendosja është forcë e parë. Pra ka një meritë sistemi, sepse i jep mundësi qytetarit, që dhe ai të shprehë mendimin për deputetin, dhe i vendos partitë nën presionin që të vënë në krye njerëz sa më përfaqësues, në mënyrë që të marrin votat, në mënyrë që të fitojnë edhe pushtetin. Drama jonë fillon me 2008-ën, unë e kam thënë disa herë. Ne kemi pasur një kushtetutë shumë të mirë, atë që u bë në ‘98, e cila  bë që të mos përsëritej ajo që ndodhi në ‘96-‘97-ën në Shqipëri. Dhe në vitin 2008 ajo që ndodhi me listat e mbyllura është një problem i madh, sepse ne jemi një vend pa një traditë të fortë demokratike dhe nuk është se i kemi partitë demokratike dhe partitë po bëjnë përzgjedhjet brenda tyre me një të tillë që ti përgjigjet kërkesës së qytetarëve apo dhe të anëtarëve të shoqërisë. Dhe që atëherë dhe partitë u bënë më të mbyllur, edhe i gjithë sistemi është bërë më i mbyllur. Nuk ka më deputet të cilët bëjnë oponencë, japi mendimin e tyre ndryshe, të cilët janë të detyruar ta bëjnë këtë gjë dhe për shkak se do shkojnë nesër të votohen, sepse e dinë që fati i tyre nuk do të varet nga reagimi i qytetarëve shumë, do të varet nëse do të jetë i pari, i dyti ose i treti në listë, sipas  fuqisë që ka partia në një rajon të caktuar. Edhe kjo faktikisht e ka goditur në thelb edhe në zemër demokracinë parlamentare. Dhe ky është një problem që duhet parë me shumë përgjegjshmëri, edhe në kuadër të reformës zgjedhore. Natyrisht, nuk është reforma ajo që garanton zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sepse ne i kemi pasur ligjet dhe i kemi, dhe prapë nuk janë respektuar siç duhet. Institucionet nuk kanë funksionuar. Sidoqoftë nuk do të jetë një temë e lehtë për arsye sepse edhe kjo kërkon një unitet brenda politikës së Kosovës dhe kërkon njëkohësisht që ne nga Tirana të mos ndërhyjmë ne këtë çështjen e dialogut Kosovë Serbi, por vetëm të mbështesim dialogun dhe të mbështesim unifikimin e gjithë faktorit të Kosovës në këtë dialog, se çdo lloj ndërhyrje është faktikisht një cenim i sovranitetit të institucioneve të Kosovës që janë përgjegjëse për të marrë vendime në emër të populli të Kosovës.

Ju kemi parë shpesh herë në shoqërinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, po për Albin Kurtin çfarë mendimi keni dhe çfarë raportesh keni me të?

Për Albin Kurtin mund të them që ka një potencial intelektual edhe politik të jashtëzakonshëm, e tregoi në këto zgjedhje. Unë personalisht nuk jam ndër ata që kanë besuar që Vetëvendosja do të arrinte të dilte forcë e parë, pavarësisht se kam qenë i bindur se do të ishte në një garë shumë të fortë për vendin e parë, për një arsye, sepse ka marrë një goditje të fortë, të paktën në kuptim të imazhit nga jashtë.  Unë  jetoj në Shqipëri, nuk jetoj në Kosovë, për të bërë një gjykim më të plotë, kur iu shkëput një grup deputetësh,  i cili ishte gati gjysma e grupit parlamentar, që kishte Vetëvendosja më parë, përfshirë edhe disa drejtorë të rëndësishëm të pushtetit vendor, siç ishte kryetari i Bashkisë së Prishtinës, i zgjedhur nga Vetëvendosja e kështu me radhë. Natyrisht e ardhmja nuk është e thjeshtë për arsye se të qeverisësh është tjetër, të bësh opozitë është tjetër, dhe qeveria kërkon jo vetëm një kryeministër të zotë, apo të aftë apo të palodhur, por kërkon edhe shumë njerëz të tjerë, sepse nuk është një gjë e thjeshtë, presionet janë gjithmonë shumë të mëdha dhe të gjithanshme. Megjithatë  unë shpresoj që ai të tregojë me vepra se është një shembull i mirëqeverisjes dhe këtë mundësi e ka,  duke mos pasur në të kaluarën funksione qeverisëse apo ekzekutive. Është  një figurë tërësisht e pastër në këtë kuptim dhe natyrisht, është shumë i rëndësishëm edhe ekipi që do të zgjedhë dhe e gjithë filozofia që do të implementojë, pasi sfidat dhe vështirësitë e Kosovës janë të mëdha, po ai do të bashkëpunojë dhe me aktorë të tjerë të rëndësishëm, sepse kuptohet që është një fitore e cila është në kushte të caktuara ku duhet patjetër të kesh një partner shumë të rëndësishëm, që në rastin konkret duket që do të jetë LDK-ja.

A e  meriton Shqipëria hapjen e negociatave në këtë moment apo edhe ju si kryeministri mendoni se fajin e ka konteksti i brendshëm i Europës, për një përgjigje negative?

Felipe Gonzales, ish-Kryeministri Spanjës, ishte figurë shumë frymëzuese dikur në vitet ’80-’90, drejtoi Spanjën nga tranzicioni drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha një shprehje shumë të bukur:  “E ardhmja nuk është më ajo që ishte”. Kjo do të thotë që po të ishim në vitin 2000, dhe të më thoshe “Si mendon sikur Shqipëria të hyjë anëtare e BE-së në vitin 2015 a do të ishe i kënaqur?” Unë do të bija në grusht, sepse mendoja që Shqipëria duhet të hyjë më shpejt. Tani  jemi në vitin 2019 dhe jemi ende në një moment të tillë ku presim çeljen e negociatave. Duhet të bëj një retrospektivë… Kemi humbur shumë kohë dhe ne për fat të keq si popull, dhe pak si komb, humbasim shumë kohë. Për shembull,  në vitin 2001 kemi qenë në kushtet e konfirmimit europian me të njëjtin hap si Kroacia dhe shumë më përpara se Serbia dhe Mali i Zi. Tani ata janë shumë përpara me kapitujt e negociatave dhe ne ende po luftojmë për të marrë një autorizim, që më pas të marrim edhe datën, sepse më parë duhet të përmbushim disa detyrime. Kjo nuk është një përgjegjësi e qytetarëve shqiptarë, sepse kanë treguar jo vetëm që janë pro europianë pavarësisht nga të gjitha sfidat, vështirësitë, padurimet por edhe shoqëria jonë funksion në një mënyrë europiane në tërësi në raport me njëri-tjetrin. Ndërkohë shohim që politika në nivelet e larta është mjaft toksike, mjaft e komplikuar dhe është artificiale çdo gjë. Nuk ka një bazë reale sepse është zgjedhur konflikti si një mënyrë drejtimi por edhe shmangie të llogaridhënies.

A nuk luan euroskepticizmi një rol në këtë vonesë?  A është kjo një përgjegjësi totalisht e jona?

Euroskepticizimi nuk është ndihmues. Por të vijmë tek çështjet kryesore? Sa kohë kanë ata të Bundestagut që e kanë ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjen e hetimit të dosjeve të zgjedhjeve që kanë qenë në prokurori? Në fund çështja e zgjedhjeve është një çështje themelore, sepse nga zgjedhjet varet i gjithë funksionimi i shtetit të së drejtës, demokracisë, i pavarësisë, i ligjit, të drejtave të njeriut, etj. Apo mesazhet që dhanë përpara krizës sonë, ku thanë “shikoni mundësinë për dialog dhe që të realizoni zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore,  sepse kjo do t’ju ndihmojë për rrugën e europiane”. Ata nuk flasin aq hapur sa ne do të donim, ata flasin si europianë. Se ne nuk duam të dëgjojmë do të thotë se ne nuk jemi në atë standard që ata janë, që të reagojmë në një mënyrë të tillë, që ta kuptojmë se kjo nuk bëhet vetëm për ata, por bëhet edhe për qytetarët tanë. Këto deficite që ne i shtojmë hap pas hapi ata i shënojnë, dhe kur vjen dita e llogarisë ata i vendosin në tavolinë. Shqipëria sot ka një lidership në përgjithësi që nuk do të mbajë përgjegjësi. Gjithnjë do të bëjmë përgjegjës dikë tjetër për atë që ne nuk e bëjmë vetë dhe që e kemi për detyrë ta bëjmë. Integrimi Europian ka detyrime që janë mbartur dhe shtuar. Por nëse do të futësh, fjala bie, hundët tek Drejtësia, ndërkombëtarët nuk të shohin si partner.

Keni qenë shpeshherë skeptik dhe kritik ndaj mënyrës si është aplikuar Reforma në Drejtësi. Konkretisht,  ku ka çaluar zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe përse ajo po vonohet kaq shumë? A mund të thoni se qeveria aktuale ka ndikimin e saj në organet e reja të drejtësisë?

Skeptik ndoshta keni qenë ju, unë kam qenë kritik për mënyrën e zbatimit, për arsye shumë të qartë, që kjo është një reformë që u bë me konsensus nga të gjithë, u votua me 140 vota dhe kur ka ardhur çështja tek zbatimi i saj, është zbatuar në mënyrë të njëanshme dhe kështu vazhdon,  edhe sot e kësaj dite. Unë kam bërë përpjekjet më të mira që kjo gjë të mos ndodhë kështu, sepse e kam ditur dhe e di çfarë do të thotë ta politizosh këtë çështje. Do të thotë të kërkosh një kontestim të të gjithë institucioneve dhe të drejtësisë, aq më tepër ta përdorësh si një armë për të bërë presion mbi kundërshtarë. Rasti më shqetësues,  që i dha një goditje serioze kësaj çështje, është zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ky është një term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që është votuar më 22 Korrik. Është bërë me një ligj të njëanshëm. Kuptohet që ky është një proces që nuk duhet të kishte ecur në këtë mënyrë. Kemi vendin pa një Gjykatë Kushtetuese. Ju mund të dëgjoni të thuhet se është kështu për shkak të vetingut, por kjo nuk është e vërtetë. Unë e kam thënë hapur dhe kam bërë gjithë përpjekjet e mia, edhe kur kam qenë Kryetar Parlamenti, edhe President, që Shqipëria të mos mbetet pa Gjykatë Kushtetuese. Në rast se do të ishte thjesht çështja e vetingut, Shqipëria mund të kishte sot maksimumi tre vakanca në këtë Gjykatë, por jo që të mos ketë sot asnjë. Është vetëm një zonjë që ka tre vite që i ka mbaruar mandati, por rri aty për një përgjegjshmëri, pasi dikush duhet të qëndrojë në këtë institucion. Më 2017 u bllokua KED, sepse dikujt nuk i pëlqyen emrat që dolën nga shorti, u kërcënuan me veting publikisht, erdhi edhe një ambasador ngatërroi dynjanë. Iku një vit dhe  ajo nuk funksionoi. Ndërkohë krijoheshin mungesat në Gjykatën Kushtetuese. Edhe vitin tjetër po e njëjta gjë. Pra nëse procesi bllokohet tri vite qëllimisht vendi mbetet pa Gjykatë Kushtetuese. Kush përfiton nga mungesa e saj? Përfiton opozita? Jo, sepse opozita kur ka një përplasje në parlament, për një ligj apo për çdo gjë që ka të bëjë me shumicën, shkon në Gjykatën Kushtetuese. Përfiton pushteti vendor kur ka një përplasje, përfiton një grup interesi?! Jo! Pa një Gjykatë Kushtetuese, qeveria bëhet e gjithëpushtetshme, siç është bërë gjatë këtyre viteve.Se keni dëgjuar që thonë për mua që kam shkelur Kushtetutën, kurrë mos e besoni këtë. Që ta dini ju, qeveria e mikut tim Edi, nga 2013 që ka pasur Gjykatë Kushtetuese e deri më 2016 ka  38 shkeljet të Kushtetutës , me vendime dhe shkelje që ka bërë, e që i ka nga Gjykata Kushtetuese.

Neni 155 i Kushtetutës thotë që lidhur me politikën e taksave, asnjë ndryshim nuk mund të ketë efekt prapaveprues. Mund ta ndryshosh taksën sot, nga 20 në 10 përqind por nuk mund të ketë efekt për të kaluarën. Ne na ndodhi një gjë e pamendueshme dhe ata që kanë vepruar nuk janë të pandërgjegjshëm, ka nga ata që e dinë shumë mirë, me eksperiencë, që i kanë dhënë fuqi prapavepruese pa limit. Këtu, shkelja është skandaloze, sepse kemi të bëjmë me një diskriminim të qartë të barazisë, biznesit, por edhe dëmi i qytetarit, buxhetit është shumë i madh. E përmenda këtë,  sepse po të kishte  Gjykatë Kushtetuese, ata nuk do ta bënin kurrë, sepse sado e kapur të jetë Gjykata është kaq flagrante saqë është e pamundur. Po kështu kemi probleme të tjera, pa gjykatën e lartë, janë 31 mijë  dosje që presin. Sipas një studimi do të duheshin 20 vjet, pa pasur në konsideratë dosjet që krijohen çdo ditë. Kjo është një çështje që nuk mund të anashkalohet më, nuk mund të shtrohet më pyetje cila nga palët e do Reformën dhe cila jo.

Do thoni ju, po europianët që e cilësojnë sukses të madh? Ata këtë do thonë, sepse BE jep shumë fonde për këtë Reformë dhe ata e kanë të vështirë ta pranojnë se ajo nuk po ecën siç duhet. Për më tepër që ata kanë dëshirë që këtë ta çojnë edhe në vende të tjera dhe që ta bëjnë këtë nuk mund të thonë që është një dështim në Shqipëri dhe ne po eksportojmë dështim. Ne kemi shqetësimin se mund të rregullohet kjo gjë, sepse bëmë mirë që hymë në këtë rrugë por hymë për t’i përmirësuar gjërat dhe jo për të krijuar një vakum e për të pasur sot një sistem demokratik pa llogaridhënie. E kontrollon parlamenti qeverinë apo e kontrollon qeveria parlamentin? Pushteti vendor  dihet sesi është, situata me drejtësinë është kjo gjë, kur praktikisht qeveria është e pahetueshme, kur qeveria është e pagjykueshme, kush ta gjykojë? Gjykatat që nuk ekzistojnë? Kushtetuesja nuk ekziston, as e larta. i kam ngritur shqetësimet në kohë. Hajde ta zgjidhim se do të na krijojë probleme më të mëdha? A mund të dilte opozita nga parlamenti po të kishte Gjykatë Kushtetuese? Nuk mund të them a dilte nuk dilte, por do të ishte për mua krejt e palogjikshme, sepse do të kishte Kushtetuese, ku të ankoheshin. Nuk kishte asnjë lloj justifikimi, jo se kjo që kanë bërë ka justifikim, sepse kjo është një ecje në një drejtim tërësisht konfrontues dhe nuk është kjo zgjidhja, por janë krijuar disa probleme të mëdha, ndaj ata të Bundestagut thonë pa u bërë Kushtetuesja, e larta, etj., etj..  ka  rëndësi edhe mënyra sesi do të bëhen, që të mos kemi kushte të  tjera pas pak kohësh. Ata nuk kanë probleme me ne, por kur të je anëtarë e BE-së,  të ketë ato garanci që ka sistemi i këtyre vendeve dhe BE, sepse përndryshe do të dëmtohen qytetarët e tyre.

Jeni i vetmi politikan, gjatë tranzicionit shqiptar,  që keni qenë kryeministër, kryetar i Kuvendit dhe president aktualisht. Si ndjeheni në postin e presidentit dhe cilin do të veçonit nga postet, kush ka qenë më i rëndësishëm për ju nga këta të tre? Ndërkohë, nëse Gjykata Kushtetuese kur të ndërtohet do të vendos se presidenti ka shkelur Kushtetutën, çfarë vendimi do të merrni për të ardhmen tuaj?

Së pari duhet të jemi shumë të qartë që Presidenti vetëm e ka mbrojtur Kushtetutën. Nëse ka dikush që thotë se cilin nen ka shkelur Presidenti, unë do t’i isha shumë mirënjohës. Unë nuk ndaloj as Komisioni e Venecias, as Gjykatën Kushtetuese, as OKB-në që të çmendet. Unë jam shumë i qartë, kam vënë dorën mbi Kushtetutë dhe kjo histori ka mbaruar. Kushtetuta e Shqipërisë të drejtën për caktimin e zgjedhjeve, ia jep vetëm Presidentit të Republikës, i cili këtë të drejtë nuk e ndan, as me parlamentin, as me KQZ, me askënd tjetër. A është anulimi i zgjedhjeve një akt normal? Jo nuk është. Sepse Presidenti i dekretoi zgjedhjet që ato të bëhen. Presidenti u konsultua me partitë, caktoi datën brenda afateve të Kodit Zgjedhor, por nga nëntori që Presidenti bërë këtë veprim e deri në 10 Qershor që u detyrua të bëjë aktin tjetër, ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur, nuk ka qenë një situatë normale. Nëse partitë do ishin regjistruar, situata do të ishte normale dhe Presidenti e anulon sepse Kushtetuta nuk e ndalon ta bëjë këtë veprim, atëherë po Presidenti është çmendur dhe po bën një akt kundër demokracisë. Por në atë situatë aq konfrontuese, çfarë mund të bëjë? Ka dy mundësi, ose të përpiqet për dialog, përpjekje të cilat Presidenti i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme, ose “armën” e vetme dekretin, të cilin u detyrova ta nxirrja në momentin që të dy palët refuzonin dialogun për të gjetur një zgjidhje për zgjedhje siç i parashikon Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, si e vetmja mënyrë për të ndaluar një përplasje me shumë pasoja sidomos për qytetarët. Përgjegjësia ishte shumë e madhe. Ato vetëm zgjedhje nuk mund të ishin, ashtu siç po bëheshin, përkundrazi ishin një dëm i jashtëzakonshëm për demokracinë, për funksionimin e pushtetit vendor, por edhe për datën 18 tetor. Po ju them me bindje të plotë, se nëse Presidenti nuk do të kishte marrë atë vendim që mori, i cili ndikoi më pas në qartësimin e situatës, sepse secila palë ectë me variantin e vetë, se nëse nuk do të kishte dalë dekreti, të jeni të sigurt se nuk do të kishte sot një shkresë se mund të merret një autorizim për çeljen e negociatave./Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *