“FJALË ZEMRE PËR VENDLINDJEN” - NJË VEPËR MONUMENTALE STUDIMORE
E kam zakon, madje dhe parim botëvështrimi, veçanërisht në leximet, kundrimet, analizat dhe përsiatjet e mia në botën e letërsisë dhe jo vetëm (këtë parim e aplikoj edhe te veprat filozofike, shkencore dhe ideo-politike), që përpara se të lexoj një vepër të caktuar lexoj me theks të veçantë mendimet dhe shkrimet e kritikëve letrar kundruall akëcilës vepër - kjo për arsye se kursej energjinë, nuk dua të humbas nga koha e çmuar për të lexuar atë që s’ia vlenë. Kritika më orienton drejt cilësisë dhe vlerave letrare, veçanërisht edhe në rastet kur një vepër e caktuar merr çmimin për “vepra më e arrirë e vitit” (kuptohet, nga juri profesionale dhe shoqata prestigjioze e të mirëfillta të letërsisë, qoftë kombëtare, qoftë ndërkombëtare).
Së këndejmi dhe kur ma dorëzoi elektronikisht dorëshkrimin me titull “Fjalë zemre për vendlindjen” autori erudit Agim Lika, për ta lexuar dhe për t’i hedhur një vështrim analitik, unë menjëherë e hapa dhe drejt e lexova parathënien dhe pasthënien vështrimore nga redaktori i librit, studiuesi dhe kritiku letrar Prof. Kujtim Xhebexhiu “PËR NJË KRIJIMTARI TË SUKSESHME, RËNDËSI TË VEÇANTË KA KRITIKA LETRARE” (parathënia) dhe “POETI, STUDIUESI DHE HISTORIANI AGIM LIKA, QË VIJON TË KONTRIBUOJË PËR VENDLINDJEN E TIJ” (pasthënia).
Nga ana tjetër, unë veçmë kishte kohë që e njihja mirë personalitetin e Agim Likës dhe, në thelb, mbarë jetëshkrimin dhe opusin e tij krijues studimor e letrar, meqë para do muajsh pata shkruar për “biografinë” e tij te libri im pesëvëllimësh në shqip-anglisht “Portrete shkrimtarësh”. E, për të shkruar këtë “portret” të tij pata gjurmuar në “arkivën” e tij profesionale dhe jetëshkrimore.
Shto këtu dhe mendimet e poetëve, shkrimtarëve dhe kritikëve të tjerë, të cilët kishin shkruar në detaje për veprat studimore e poetike të Agimit, si: Trëndafile Molla, Urim Mezini, Rudina Muharremi Beja, Prof. Shpendi Topallaj, Prof. Dr. Bernard Zotaj, Prof.Dr. Diana Shehu, Prof. Kujtim Xhebexhiu e të tjerë.
Që të gjitha këto vështrime i lexova me ëndje dhe i shijova, por nuk mund të lë pa përmendur dhe një mbresë të çuditshme që aty për aty më vetëtiu në kokë: “Çfarë më mbetet mua për të thënë e shkruar pas gjitha këtyre vështrimeve që lexova dhe sidomos nga vështrimi tejet profesional, i mbarështruar e fjalëndërtuar në detaje dhe nga gjitha pikëvështrimet për këtë vepër studimore të Agim Likës nga studiuesi dhe kritiku erudit Prof. Kujtim Xhebexhiu (!?)”.
Por, megjithatë, si mos të shkruaj edhe unë nga pikëpamja ime, ashtu në mënyrë koncize, për këtë vepër të autorit, personalitetit erudit, imagjinata, muza dhe lapsi i të cilit është i lidhur ngushtë me mallin dhe dashurinë e tij të prushtë ndaj vendlindjes së tij, Shetaj - ndaj qytetit të Ishmit e Durrësit, peizazheve të tyre piktoreske dhe figurave të tyre poliedrike e shumëdimensionale, të gjallë e në amshim, të cilët kanë kontribuar shumë dhe vazhdojnë të kontribuojnë akoma edhe sot e kësaj dite në fushat e segmentet krucialë të shoqërisë, të Ishmit, të Durrësit, të shtetit të Shqipërisë dhe te mërgata jonë kudo që gjenden, jetojnë dhe veprojnë në glob. Pra, si të mos shkruhet për studiuesin, oficerin e lartë ushtarak, pedagogun, poetin e shkrimtarin e spikatur Agim Lika, i cili me spektrin e gjithëmbarshëm të veprimtarive të tij të bujshme profesionale, studimore e letrare po shkëlqen në nënqiellin e jo vetëm krahinës së Ishmit e Durrësit, por në mbarë Shqipërinë (këtu kam fjalën për Shqipërinë Natyrale - mbarë Gadishullin iliro-dardano-arbëror) dhe ngado diasporës sonë jashtë në botë!
Tani për pak, do dal një fije nga kornizat e veprës në fjalë dhe do ndalem te një përshtypje imja mjaft sublime: më duhet të shkruaj për Agim Likën - këtë autor të spikatur të perlave poetike “PEIZAZHI MË I BUKUR”, “VENDLINDJA MBETET E PAHARRUAR”, “DO BËJMË MË T’MIRËN PËR VENDLINDJEN” dhe, për mendimin dhe shijen time, të kryeperlës së tij poetike me titull “VENDLINDJA E HARRUAR”.
Dorën në zemër, këto poezi sa më kanë freskuar e çmallur skajshëm po kaq edhe më kanë drithëruar mishtë e kurmit - kjo për arsye se vet unë ka afro tri dekada që jetoj dhe veproj jashtë atdheut, në mërgim, në Berlin të Gjermanisë. E, mallin dhe dashurinë e zjarrtë ndaj vendlindjes aq bukur e ka shpërfaqur te margaritarlt e tij letrarë poeti Lika sa m’ka rrëmbyer mendjen dhe shpirtin.
Jo lexojmë, por le ta rilexojmë shumë herë kryeperlën e tij:
“Për vendlindjen, prap kam për t’shkruar/ Si në prozë dhe në poezi/Vlerën, Ishmit për t’ia lartësuar/E kam bërë dje, do ta bëj përsëri/Për vendlindjen, shumë kanë shkruar/ Se ajo është një e pashtershme gurrë Ishmi,/ me famë, shkrimet i ka merituar/ Ato për Ishmin s’do t’shterojnë kurrë/ Sa mirë që njerëzit janë ndërgjegjësuar/ Janë ngopur me t’pa vërtetat/ E duan historinë të pashtrembruar/ Se janë t’lodhur, nga gënjeshtrat/ Në këtë udhëtim mund t’keshë dëshirën/ Por dhe mbështetja s’na ka munguar/ Për vendlindjen do t’bëjmë më t’mirë/ Njerëzit, afër na kanë qëndruar/ Fjalë zemre për vendlindjen/ Luan Xhixhën, po e vë si t’parë/ Klod Kërtusha ndihmon plot gaz/ Zijai, Lavdiu, Gëzimi, vijnë me radhë/ As Altin Kulla s’ngelet pas/ I përmenda t’gjithë me emra/ Se këta mbështetje i kam unë/ I vlerësoj shumë dhe i uroj nga zemra/ Kanë zemër t’madhe, i dua shumë/ Kur dyert t’hapen në çdo portë/ Do ta vijoj këtë rrugëtim/ Pavarësisht lodhjes, do i dal zot/ Se unë jam, kapiten i shpirtit tim”
Pikërisht kjo kryeperlë na flet më së qarti për misionin dhe botëvështrimin e studiuesit A. Lika, na dëfton për motivin e ndërmarrjes së tij studimore librore, që tashmë ka kulmuar me përbotësimin e tri veprave kapitale autoriale: “"Malikët e Shetajt dhe pasardhësit e tyre", “Arsimi në krahinën e Ishmit (1912 - 1944)” dhe kjo e fundit “Fjalë zemre për vendlindjen”.
PËRMBAJTJA DHE GJUHA FINE REPREZENTATIVE NË VEPËR
“Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të të shënjtëve; ata nuk kanë lënë trashëgimi dinarë as dirheme, por ata kanë lënë për trashëgimi dijen, prandaj kush e merr atë, ka marrë në të vërtetë hisen e pasurinë më të madhe."
(Nga thesari hyjnor)
Në përgatitjen dhe shkrimin e veprës monumentale “Fjalë zemre për vendlindjen“, siç shprehet vet autori Agim Lika, është nisur nga motivi i tij më sublim dhe shpirtëror për të ndriçuar dhe për të vënë në spikamë vlerat dhe veprat madhore të korifenjve të arsimit, artit, kulturës, politikës e luftës patriotike për liri dhe pavarësi dhe të letërsisë nga Krahina e Ishmit. Në këtë rrafsh ai, në radhë të parë, ka shpërfaqur mbresat dhe ndjenjat e tij dashurore ndaj bashkëvendasve të tij kolegë: edukatorëve, mësuesve, artistëve, piktorëve, poetëve, shkrimtarëve, gazetarëve dhe studiuesve, të cilët kanë ushtruar një ndikim të thellë pozitiv në formimin dhe ngritjen e vetëdijes e të ndërgjegjes atdhetare, intelektuale, pedagogjiko-arsimore, kulturo-artistike dhe estetiko-letrare jo betëm te qytetarët e Ishmit, por dhe më gjerë në botën shqiptare.
Duke qenë se, siç shkruhet gjerë e gjatë në vepër, kontributi i tyre është kolosal, autori Lika ka dashur sado pak të shlyej, ta quaj me të drejtë, borxhin që ai e ka ndaj tyre, veçanërisht ndaj atyre që tashmë nuk janë mes nesh, por janë esencialisht gjallë me bëmat, kontributet dhe veprat e tyre, si dhe ndaj mësuesve e krijuesve më në moshë, të cilët kanë ndikuar thellë në formimin dhe ngritjen e tij arsimore, intelektuale e krijuese.
Personaliteti karizmatik i z. Lika dhe puna e tij studimore e letrare, po ushtron një magjepsje të fuqishme tek të gjithë studiuesit e krijuesit e tjerë të të gjitha profileve e zhanreve, duke bërë që fama e tij të kapërcejë kufijtë provincialë e të vërshojë gjithandej trojeve tona etnike në atdhe dhe jasht në mërgatë.
Para së gjithash e mbi të gjitha është mision sublim i çdo studiuesi e krijuesi idealist e inteligjent që të hulumtojë, ndriçojë e promovojë vlerat, veprat dhe asetet tona kombëtare. E, këtë punë e ka kryer me dinjitet, krenari e përgjegjësi të lartë profesionale z. Lika, veprat e të cilit, madje dhe kjo e fundit, nuk ka grimë dileme, do të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë të begatë kulturo-qytetëruese dhe do të njihen nga brezat e ardhshëm nëpër shekuj e mileniume. Prandaj, puna dhe kontributi i këtij studiuesi erudit është i pallogaritshëm, përmasash kolosale, siç ka qenë dhe është edhe i atyre për të cilët ka shkruar ky autor.
Për më tepër, ai është një model i shkëlqyer studiuesi edhe për mjaft studiues të rinj të kohës.
Përshtypje të thellë më ka bërë metodologjia studimore, hulumtuese dhe promovuese e autorit, pasi që ai, përveç prezantimit të përgjithshëm të portreteve e jetëshkrimeve të shumë figurave elitare të zonës, njëkohësisht ka hedhur edhe mendimet e tij analitike e vështrimore për veprat e tyre disazhanrore, që kanë ndikime të fuqishme në kohë dhe hapësirë dhe që, s’do mend, do lënë gjurmë përjetësisht edhe në histori. Krahasimisht me këtë, ai i ka hedhur në letër edhe mendimet e kritikëve të tjerë të disiplinave shkencore, letrare e kulturo-artistike. Për mendim timin, këto pjesë përshkruese veprës i kanë dhënë një sharm akoma më mbresëlënës dhe domethënës.
Kjo pikërisht, ashtu siç shkruante i madhi gjermano-hebre Franc Kafka:
“Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthej në ligj dhe ta bëjë njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik". Për të konstatuar në vazhdim: “Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh”.
Brendapërbrenda tërë materies librore kristalizohet një botë e tërë pikëpamjesh, informatash e opinionesh analitike, të cilën z. Lika e ka shpërfaqur me një semantikë të pasur gjuhësore, me nivel fin artistik dhe me një estetizëm të rrallë. Ai është një shembull i përsosur i një studiuesi gjenial që kaq thellë është i pasionuar, i fortë dhe dominues në gjykimet dhe hulumtimet letrare, kulturo-artsitike e studimore. Madje, ai përfaqëson në botën e teorisë së gjykimit e qëmtimit letrar një formë të veçantë të “kritikës” dhe shllimeve të librave studimorë, poetikë e prozaikë, dhe të atyre artistikë - një kritikë e një studim ky që nga ana strukturore dhe kuptimore, e them me të drejtë legjitime, i përket tashmë një pasurie të çmuar të letërsisë shqiptare, e cila në hovin e deritanishëm ndoshta nuk “duartrokitet” aq shumë, por në një të nesërme të afërt, konsideroj unë, do të kurorëzohet si studimi dhe kritika avangardiste mbi stilin unik të tij, që kaq rrallë shpërfaqet sot, në këto tri dekadat e shekullit XXI.
E them me bindje të thellë këtë konstatim për arsye se kritika të këtij niveli të lartë personalisht kam lexuar shumë te kritikët gjermano-austriakë në Gjermani ku jetoj 29 vjet dhe në Zvicër, ku kam punuar 5 vjet. Vetë fakti që librat e autorëve të shquar botohen në këta shtete në miliona ekzemplarë dhe ndiqen nga dhjetëra vështrime e gjykime profesionale studimore e letrare flet vetvetiu për faktin që ka shumë lexueshmëri këtu dhe edhe eksplorues, gjurmues e gjykues profesionistë letrarë. Mandej, është fenomen që promovimet e këtyre veprave zhvillohen në një shkallë spektakulare si nëpër tribuna, konferenca e seminare, ashtu edhe nëpër media. Dhe këto promovime, madje, nuk janë “të vdekura”, të ngurta e formale, siç rëndom bëhen dendur te ne, në trojet tona.
Shkrimet studimore dhe vështrimet analitike të z. Lika janë një profetizëm sokratik që duhet të pranohen me admirim të qetë e konsideratë të lartë nga studiuesit e letërsisë dhe nga poetët e shkrimtarët mirëfillorë, kjo për arsye se karakterologjia studimore e gjykuese e tij i takon një zhanri të veçantë, atij të eksploruesit e mendimtarit të thellë, jetëshkrimi i të cilit, ashtu si dhe idea / mendimi, të magjepsin nga çdo pikëvështrim, veçanërisht ai i magjeps qarqet studimore, mendimtare e letrare.
Po, ai thjesht të magjeps me gjuhën e tij vlerësuese tejet magjike e të sofistikuar, e cila shpalos mjeshtërisht figura elitare bashk me veprat e tyre. Dhe, shih në këtë drejtim, në saje të asaj çfarë kam bashkëbiseduar me këtë autor, ai do të na befasojë këndshëm në të ardhmen edhe me vepra të tjera perla studimore dhe letrare.
Prandaj ai nuk di të ndalet, studion masivisht, shkruan pambarim, duke mos i lënë hapësirë ikjes së çasteve frymëzuese dhe vrapon të kap çastin e ditën më të mbarë motivuese.
Për më tepër, me këtë vepër ai përdëshmon katërcipërisht shpirtin dhe karakteri e tij prej humanisti modern, madje edhe të një krijuesi pa cmira, pa xhelozi, pa keqdashje, por gjithmonë një njeri me kulturë solide komunikuese me gjithë studiuesit dhe krijuesit e tjerë artistë, poetë e shkrimtarë. Në këtë rrugëtim mjaft sublim, ai i miqëson poetët e shkrimtarët, shfaq dhe evidenton të veçantën dhe cilësoren në çdo talent e krijues. E, me këtë punë ai ngre lart vlerën e artistëve, shkrimtarëve dhe poetëve cilësorë, ndërton një botë artistike unike njerëzore dhe kombëtare dhe çliron energjitë krijuese në çdo udhë të krijuesve tanë.
Vepra e tij ka tematika të veçantë, një përsjellje ndryshe. Një strukturë tematike dhe një staturë koherente ... Përdorim i efektshmërisë, i dëshmive dhe provave, i ndërtuar me fakte reale kokëfortë historikë të hulumtuar në “enciklopedinë shkrimore paraqitëse të deritashme”, duke e ilustruar me shembuj konkretë dhe zëfortë. Për këtë flasin burimet dhe referencat bibliografike e arkivore të cilat ai i ka gjurmuar e hulumtuar me profesionalizëm të theksuar.
Një strukturë e goditur shkrimore e librore, me një staturë plotësisht të qëndrueshme, rezistente ndaj “tërmeteve“ disaballësh të “produktivitetit” mediokër të profanizmit, lukunisë së mediokritetit që keqas përbaltë dritëditurinë e brezave dhe shekujve të një kombi të lashtë.
Krijuesi ka hyrë në këtë arenë me plotëditurinë, me studime të thella dhe me lexime shumë interesante nga arkivat dhe veprat e historianëve dhe shkrimtarëve të sferës kombëtare, madje për disa figura dhe të sferës ndërkombëtare, i cili ka patur si pikësynim trajtimin e thelbit kryesor: figurat shumëplanshe, të shndritshme, dimensionale dhe atipike të korifenjëve të Kombit Shqiptar, të cilët, me talentet dhe kryeaftësitë e tyre të veçanta dhe të spikatura, kanë dhënë kontribut kapital në shumë drejtime dhe fusha jetësore. Së këndejmi dhe kjo vepër mbetet pikë reference dhe lavdi e dekadave, transmetur te shqiptarët në formë të një vepre monumentale që këtë vit ka parë dritën e botimit. Vetë emri i tij, i tejet përhapur, e provon katërcipërisht identitetin dhe gjenealitetin e këtij Kombi të lashtë, paçka nga tratativat, diktimet deri në sakrificë të ndërrimit të besimit nga pushtimi i stërgjatur osman dhe planet e pazaret për copëtimin e tij në pjesëza për mosekzitencën e Tij....
Autori Agim Lika e ndërton këtë vepër mbi disa kolonata të qëndrueshme dhe mbushamendëse., të cilat ai nëpërmjet një aftësie selektive ka arritur të evidentojë me plot sukses më kontributorët realë për Kombin dhe Atdheun.
Nëse, iu referohemi edhe veprave të tjera të këtij krijuesi, që i përmenda më sipër, ndeshim me individualitetin e tij autorial të dhënies parësi të efektit me kryepersonazhe që tashmë kanë bërë historinë lavdiplote të zonës së Shetajt, Ishmit, Durësit, më gjerë në Shqipëri dhe në shtete të tjera të Evropës e Perëndimit.
Në këtë libër spikasin emrat e shquar të figurave si: Ibrahim Kodra, Adem Skënder Roda, Ali Gjyli, Ramazan Gjyli, Demir Gjergji, Hashim Kërtusha, Laureta Kulla, Nazmi Mezini, Naim Gjoka, Sabia Kurti, Shezahir Kërtusha, Rudina Muharremi Beja, Trandafile Molla (Baja), Urim Mezini, Vaid Hyzoti dhe Vesel Dervishi.
Por ajo që më ka lënë përshtypje shumë të thellë në këtë vepër është spikatja nga ana e autorit e figurës elitare të artit dhe poezisë, gjeniut me famë ndërkombëtare Ibrahim Kodra. Personalisht kam pasur njohuri për veprat e tij në art e piktura, por nuk e kam ditur që ka qenë edhe poet, madje një poet i spikatur. Me pozitë e tij perla u ndesha për herë të parë në këtë vepër të z. Lika.
Mandej po përshtypje të thellë më kanë shkaktuar edhe emrat e shquar të veprimtarëve të mëdhenj kombëtarë, për të cilët autori ka shkruar me admiratë të thellë, si: klerikët: Sheh Adem Skënder Roda - klerik i Teqesë së Ishmit, Prifti Seferin Luzha i Kishës së Shën Kollit Bizë (Ishëm), Gjet Dom Simoni, Dom Pashko Krasniqi, si dhe patriotët e bashkëluftëtarët e tyre të famshëm: Ismail Qemajli, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Dërvish Hima, Luigj Gurakuqi, Jashar Erebara, Kasem Durrësi, Themistokli Germenji, Nikoll Kaçorri, Nikoll Kol Gjini, Muharrem Hoxha, Aqif Pasha, Gjin Pjetër Skuraj, Bajram Metaga, Kosta Janco, Muharrem Gallata, e të tjerë.
Në veçanti portreri i Sheh Adem Rodës shkëlqen tejmase në libër. Ai ka qenë një klerik universal, patriot i flaktë, iluminist i arsimit kombëtar dhe luftëtar sypatrembur në luftë kundër hordhive osmano-turke për çlirimin dhe pavarësimin e Shqipërisë.
Autori z. Lika e ka evidencuar edhe poemën e tij perlë e mjaft të fuqishme në mesazh kombëtar:
“O Shqipni lulja xhenetit
Për Krishtit e Muhametit
As keni mendu ju a të mjerë
Ky yll, kjo drit’ se do të vijë ndonjëherë?
Unë i mjeri shumë sa hoqa e u përpoqa
Mal më mal e shkrep më shkrep
Kjo ka qënë nafak prej Zotit
Por rroft’ e qoftë kjo Shqipnija
Rrof’t e qoftë me gjithë flamur
Për ty bëj be për syt’ e ballit
Zemra e jeme s’prishet kurrë!”
Sheh Adem Rodq është dekoruar nga Franc Jozefi, për shpëtimin e pilotëve austro - gjermanë. Është dekoruar edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me:
1) Medaljen e Trimërisë;
2) Medaljen e Kujtimit;
3) Medaljen për veprimtarinë patriotike.
Me Vendimin nr. 10, datë 27.12.2018, Këshilli i Qarkut Durrës, i jep titullin “Nderi i Qarkut Durrës” me motivacionin “Për kontributin e tij në mbrojtje të atdheut, ka marrë pjesë në shumë lëvizje dhe beteja për çlirimin e vendit nga pushtuesi turk, gjithashtu ka qenë një luftëtar i zjarrtë i luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”.
Struktura kompozicionale në vepër:
E konceptuar në një kolonat tërësor me disa kolona e kapituj, vepra “Fjalë zemre për vendlindjen” prezanton në mënyrë të rrjedhshme: kryepersonazhe, personazhe, ndodhi, portretizime, karaktere, temperamente, deduksione, arsyetime, shkëlqime, ngjarje, evidentime, ligjërime, rrëfenja, vendosmëri, triumfe, besëdhënie, spikatje, refleksime, vepra e tjerë.
I direktë, objektiv dhe frytdhënës, sinjifikativ (tregues) përdorimi dhe prezantimi i dëshmive dhe provave konkrete në këto komponente të rëndësishme evidente të veprës, të cilat marrin karakter të fortë real dhe përshkruhen me aftësi pjekurore mendimore.
Çdo shkrim i kësaj vepreje reflekton thellësinë dhe pasurinë e veprave të autorëve të përmendur në të, duke e ofruar një vështrim mbi tematikat dhe mesazhet që ndjekin. Autori me sukses ka arritur të nxjerr në pah vlerat e këtyre veprave që janë të mbushura me reflektime estetiko-filozofike, letrare e kulturale, që shfaqin qartazi mesazhin dhe thirrjen për një shoqëri më të drejtë dhe më humane në mbarë botën shqiptare.
Autori duhet të vijojë dhe më tej me këtë stil studimor, përshkrues e valorizues, madje duke e fortësuar e ngritur si në detaje të dhënash, ashtu edhe në simbolikë. Në shpjegimet e tij maturore, autori me shprehësi frazeologjike, të buruar nga horizonti e diapazioni i tij dituror dhe empirist, i ka realizuar me mjeshtëri këndvështrimet e tij rrëfimore e tregimore, duke produktuar “narrativitetin” e kthjellët dhe të sinqertë...
K O N K L U Z I O N
Prandaj dhe, nga sa thashë deri më tani, z. Agim Hamza Lika është një “gjeneral” jo vetëm i studimit dhe hedhjes dritë për figurat elitare të kombit, por edhe i kritikës së artit, kulturës e të letërsisë, madje edhe përfaqësues dinjitoz i teorive të saj epistemologjike. Në këtë sferë, ai shpërfaq një kritikë ontologjike, si përqasje themelore brendapërbrenda subjekteve të letërsisë. Sot, kur kemi deficitet në ambientin kulturor dhe në ambientin promovues, vlerësues e gjykues kritiko-letrar dhe kur ajo është në gjendje pothuaj anomie të plotë (ku dominon “filozofia e pallangës”, siç e quan një filozof), shpërfaqen disa figura korifenjsh të letërsisë dhe kritikës së saj, si z. Lika, të cilët kërkojnë që shoqëria shqiptare dhe, veçanërisht krijuesit, të krijojnë prioritete dhe të organizojnë mirëfillisht e cilësisht kaosin kulturo-letrar, arsimor e artistik, pse jo edhe atë ideo-politik në botën shqiptare (te shtetet e saj). Dhe, shikuar integralisht, në totalitet të veprave të gjithëmbarshme të përbotësuara deri më sot, z. Lika nuk është vetëm “kritik” i veprave letrare, artistike e studimore, por është një vështrues e gjykues universal e shumëdimensional veprash e fenomenesh, duke filluar nga individualja njerëzore dhe shoqëria dhe shteti shqiptar e deri te bota, te mërgata jonë, e shpërndarë gjithandej globit. Të gjitha këto fenomene vlerash janë në qendër të përsiatjeve studimore, shkencore, estetiko-letrare e artistike të tij. Përfundimisht, në fushën e letërsisë ia del mbanë të krijojë emër ai apo ajo krijuese që arrin të prodhojë krijesa letrare si perla e margaritarë të çmuar që do të rigjenerojnë jetën tonë vetanake dhe jetët e njerëzve në glob të të gjitha nacioneve, kulturave dhe qytetërimeve. E, pikërisht këtë emër e ka krijuar vetë z. Lika.
Duke lexuar këtë vepër, lexuesit jo vetëm që do të përfitojnë nga njohuritë e reja mbi krijimtarinë e autorëve të përfshirë në të, por do të mund të krijojnë edhe një reflektim të thellë mbi rolin e artit, arsimit, kulturës dhe letërsisë në jetën e përditshme.
Tashmë ka vite që z. Agim Lika është një emër serioz dhe dinjitoz në fushën e studimeve dhe të letërsisë - emër të cilin e ka arritur me punën e tij sa kapitale aq edhe mirëfillore e cilësore në disa vepra të tij autoriale, vepanërisht edhe me këtë vepër monumentale.
Për fund më mbetet që nëpërmjet këtij shkrimi modest vështrimor, por me shumë përzemërsi, t’i uroj autorit çdo të mirë në jetë dhe sa më shumë vepra të tjera cilësore në evidentimin e vlerave që përligjin statusin e shenjtë të popullit shqiptar dhe figurave të tij elitare në rrjedhat e historisë dhe të modernitetit!