Kanë qenë të shumta reagimet pasi kryeministri Edi Rama zbuloi në gazetën prestigjioze amerikane “New York Times” idenë për krijimin në Tiranë të një “Urdhri Bektashi” të ngjashëm me atë të shtetit të Vatikanit në Romë.
Për të shuar të gjitha spekulimet, Kryegjyshata Botërore Bektashiane që ka selinë në kryeqytetin shqiptar thotë se e mbështet nismën duke apeluar për dhënien fund të raportimeve të pabaza.
“Kryegjyshata Botërore Bektashiane përgënjeshtron thashethemet e fundit të qarkulluara në media në lidhje me nismën e sovranitetit të Urdhrit Bektashi. Këto raporte janë krejtësisht të pabaza. Baba Mondi, udhëheqësi shpirtëror i Urdhrit Bektashi, e mbështet plotësisht këtë nismë”.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane sjell në vëmendje deklaratën që kreu i komunitetit bektashi, Baba Edmond Brahimaj dha për New York Times.
“Ky është një hap vendimtar drejt mbrojtjes së traditës shekullore të Urdhrit Bektashi të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare. Në një kohë kur ekstremizmi dhe intoleranca janë në rritje, kjo nismë siguron që vlerat tona të paqes dhe tolerancës mund të lulëzojnë në një shkallë globale.”
Kryeministri Edi Rama shpjegoi se krijimi i një shteti bektashi, me territorin dhe pasaportat e tij është një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare.
“Një mikroshtet i moderuar islamik do të dërgonte një mesazh; mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë myslimanet. Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë. Ndoshta të gjithë do të thonë ky është i çmendur, Këtë e kanë thënë shumë herë më parë. Nuk më intereson. Gjëja e rëndësishme, çmenduri apo jo, është të luftosh për mirë”.
Detajet për këtë nismë mbeten ende për t’u diskutuar dhe për këtë po punojnë një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë.
Që ky shtet i ri brenda Shqipërisë brenda vendit të realizohet duhet të marrë miratimin nga Parlamenti.
Territori i shtetin sovran të ‘Urdhrit Bektashi’ është kompleksi prej 27 hektarësh në Kryegjyshatën Botërore. Sipas të dhënave të censusit të vitit 2024 në Shqipëri janë 116 mijë besimtarë bektashinj.