Nga Erblin Jaku
Londra me gjithë magjinë e festave është e ftohtë. Dimri i këtij viti gjen qindra mijëra shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk ka një numër të saktë por dihet zonat ku kryesisht jetojnë. Një vonesë trenash e bën edhe më të ngadaltë rrugën drejt veriut të Londrës, Wood Green, aty ku gjendet një komunitet i madh emigrantësh e mes të cilëve edhe nga Shqipëria. Jetojnë në kushte që shpeshherë as nuk duan t’i tregojnë sepse janë larg, shumë larg, ëndrrës që i sollin në tokën britanike.
Janë shumë restorante e kafene shqiptare, që mbajnë emra nga Tirana e deri te Iliria. Stafi në përgjithësi është shqiptarë dhe janë shumë mikpritës. Këtu nuk është vështirë të takosh emigrantë nga çdo qytet apo fshat. Njihen të gjithë me njëri-tjetrin dhe këtë fundjavë unë kam zgjedhur të takoj disa prej tyre. Rezarta Llani një mësuese e gjuhës angleze e cila është zhvendosur bashkë me familjen është ende në luftë për të gjetur vetveten në shtetin e ri. Dëshira për të punuar mësuese nuk mjafton tregon Rezarta. Pavarësisht kualifikimeve dhe viteve të përvojës, rregullat e rrepta të Mbretërisë së Bashkuar bënë që ajo të punojë vetëm si asistente. "Mendova se do të kisha mundësi të avancoja në karrierë, por përfundova duke pranuar një pozicion më të ulët pune, me më pak pagë dhe respekt" thotë Rezarta duke kujtuar me nostalgji kohën e punës në Dibër megjithë vështirësitë e asaj zone.
Kostoja e jetesës në Mbretërinë e Bashkuar i shton edhe më shumë vështirësitë. Me qiratë që rriten, çmimet e energjisë që po shkojnë në qiell dhe nevojat bazë që bëhen gjithnjë e më të papërballueshme, edhe ata që kanë punë të qëndrueshme e kanë të vështirë të mbulojnë shpenzimet. Për shumë shqiptarë që ëndërrojnë një të ardhme më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar, realiteti mund të jetë zhgënjyes. I tillë është edhe rasti i Jurgen Begës i cili një vit më parë është diplomuar për marketing digjital në Londër. Ai tregon se është përballur me refuzime të vazhdueshme gjatë kërkimit për punë. Punëdhënësit shpesh refuzonin aplikimet e tij, duke përmendur mungesën e "përvojës përkatëse" për tregun britanik. "Është zhgënjyese të investosh kaq shumë në arsim, vetëm për t'u thënë se aftësitë e mia nuk vlejnë këtu" tregon i trishtuar Jurgeni.
Tregu i punës në Shqipëri, megjithëse i kufizuar, ofron mundësi që shpesh neglizhohen. Ata që kanë tashmë një punë të qëndrueshme në Shqipëri shpesh janë më mirë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë karrierën e tyre në vend. Premtimi për një jetë më të mirë jashtë vendit mund të jetë mashtrues, veçanërisht kur rruga e integrimit në një vend të ri është plot sfida financiare dhe profesionale.
Në këtë komunitet të madh shqiptarësh janë të shumtë ata që kan ardhur në mënyrë të paligjshme. Për ta vështirësia është më e madhe, pajisja me dokumente është e pamundur dhe jetesa është përtej çdo imagjinate. Besarti është një prej tyre. I gënjyer me ëndrrën britanike prmes miqve ai vendosi të lërë punën si berber në Tiranë dhe të vijë në Londër. Asnjë ditë nuk ka qenë siç e kisha menduar tregon ai. I penduar për atë që ka bërë numëron ditët kur do të kthehet në Shqipëri. “Do të doja t’i kisha vlerësuar më shumë mundësitë që kisha në atdhe para se të largohesha. Unë isha shumë mirë në Tiranë, punoja bashkë me vëllain si berber dhe kishim të ardhura shumë të mirë. Mendova të vij të fitoj më shumë para, por më vjen keq ta pranoj se kam dështuar” thotë Jurgeni.
Historitë e këtyre të rinjëve përfaqësojnë edhe qindra e mijëra të tjerë të cilët kanë braktisur Shqipërinë. Këto dëshmi janë një kujtesë për të peshuar me kujdes rreziqet dhe përfitimet e emigrimit. Për shqiptarët që mendojnë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, këshilla është e qartë: mendoni dy herë, hulumtoni me kujdes dhe konsideroni nëse sakrificat ia vlejnë vërtet për përfitimet e mundshme. Ndonjëherë, mundësitë më të mira janë më afër sesa mendoni.
*Autori është konsulent politikash i diplomuar në Master of Public Policy në The London School of Economics and Political Science.