Shqipëria mund të jetë një opsion që mund të merret në konsideratë nga administrata amerikane për të dërguar palestinezë të larguar nga Gaza.
I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me mbretin e Jordanisë, Presidenti Donald Trump u përgjigj “Po, sigurisht. Dhe ka vende të tjera që duan të përfshihen”.
Më herët kryeministri Rama e ka përjashtuar këtë mundësi kur një gazetar izraelit e përmendi Shqipërinë.
Pyetje: A po merrni në konsideratë vende të tjera për të dërguar palestinezët përveç Egjiptit dhe Jordanisë, ka pasur fjalë për vende të tjera si Shqipëria apo Indonezia?
Donald Trump: Po, sigurisht. Dhe ka vende të tjera që duan të përfshihen. Ka shumë njerëz që duan të përfshihen.
Ka një sens dëshire për të ndihmuar palestinezët. Ka shumë vende të mira, njerëz që drejtojnë këto vende me zemra të mëdha dhe ky zotëria këtu është në krye të listës.
Deklarata e Trump bie në kundërshtim me qëndrimin që ka mbajtur kryeministri Edi Rama dy javë më parë. Kur një gazetar izraelit, i quajtur Amit Segal publikoi informacionin se Shqipëria ishte një nga vendet ku do të zhvendoseshin palestinezët, kryeministri Rama e përgënjeshtroi menjëherë.
“Nuk është absolutisht e vërtetë” u shpreh Rama, që u shfaq i habitur nga informacioni që publikoi Amit Segal, duke shtuar se prej kohësh nuk kishte dëgjuar “diçka kaq të rreme”.
Rama kujtoi se Shqipëria e ka njohur shtetin e Palestinës dhe se “nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër europian në një çështje të tillë”.
“Më lejoni të jem i qartë: Shqipëria nuk është kërkuar nga askush dhe as ne nuk mundemi. madje mendoni të merrni përsipër ndonjë përgjegjësi të tillë. Jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur shumë kohë më parë. Por Shqipëria nuk është në vetë Lindjen e Mesme dhe nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër europian në një çështje të tillë” u shpreh kryeministri i Shqipërisë.
Është e qartë se Rama dhe Trump po bëjnë dy pohime të kundërta.
Për të kuptuar të vërtetën duhet llogaritur se Rama i është përgjigjur pozitivisht amerikanëve për të marrë 3 mijë muxhahedinë dhe disa mijëra afganë që u arratisën nga regjimi taleban.
Përveç kësaj, duhet llogaritur se Trump e bëri të qartë në konferencën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu; SHBA nuk do të pranojë një JO nga vendet që ka piketuar për të zhvendosur palestinezë./Liberale.al/