Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka zhvendosur të shtunën fushatën e socialistëve për zgjedhjet e 11 majit 2025 në jug-lindje të vendit, përkatësisht në Qarkun e Korçës.
Rama, në një takim me gratë dhe vajzat e Korçës, deklaroi se 56% e anëtarëve të PS janë gra e vajza dhe se ato do shtohen edhe më tej, pasi kanë edhe përqindjen më të lartë në administratë dhe institucionet lokale.
Kreu i socialistëve theksoi se pa vullnetin e grave dhe vajzave, as nisma për mbylljen e TikTok për mbrojtjen e fëmijëve nga krimi nuk do të arrihej.
“Kam marrë disa mesazhe nga shok, miq e qytetarë, pse unë mbroj gratë dhe i lëvdoj më shumë se sa burrat. Disa kanë hallin se mos na ikin burrat, pse lavdëroj gratë. Unë nuk shaj burrat. Por ne kemi 56% të mbështetëseve gra dhe vajza. Ata burra që, përveç grave mbështesin PS-në, janë jo vetëm të aftë, por edhe të mençur dhe të zotë. Kurse ata që rrinë e pllaquriten në kënetë, përveçse të pazotë janë edhe politikisht çyrykë. Nëse mërziten, më vjen keq, por unë nuk mërzitem.”, tha Rama.
Sipas tij, ato që ka bërë PS këto vite s’i ka bërë askush dhe se kjo parti ka krijuar hapësira për gratë që deri dje ose i kishin të ngushta këto hapësira, ose u mungonin fare.
“Kjo nuk është vetëm çështje bukurie, edhe pse ajo është e rëndësishme. Por nuk është vetëm çështje bukurie, por virtytesh, aftësish dhe vullnetesh. Duke pasur më shumë mundësi, kjo ka bërë të mundur të kenë më shumë përgjegjshmëri në vendimmarrje. Kur nisëm këtë rrugë kishte zona të tëra pa gra. S’kishte fare. Kur i pyesja unë se ku janë gratë? Ata thoshin se s’ka gra këtu! Po kush ju ushqen e lan? Kur e nisëm ishin 15% gra e vajza, tani janë mbi 50%. Por ne nuk do ndalemi këtu”, theksoi Rama.
Sipas tij, të gjithë burrat e djemtë e mençur, pa diskutim, e mbështesin nevojën për të pasur në krah gratë dhe vajzat.
“Ndaj kam besim se rritja e rezultateve tona ka ardhur edhe fal rritjes së fuqisë së vajzave dhe grave. Sot keni 71% të përfaqësueseve për Kuvendin e ardhshëm në listë. Por më e bukura është se në listat e mbyllura 52% janë gra dhe vajza. Ka qenë rrugë e gjatë edhe për këshillat bashkiakë e administrate. Jo e lehtë dhe luftë e madhe. E kemi filluar më 2011 më 15%, më 2015 me 35%, më 2019 me 43% gra e vajza dhe 2023 mbi 50% gra e vajza. Sot në administratë publike janë mbi gjysma gra e vajza dhe në drejtim të saj gjithashtu më shumë se gjysma janë gra e vajza.”, tha Rama.
Edhe në negociatat me BE-në, - vuri në dukje kryeministri, - 1 mijë nga ne dhe 1 mijë nga ata, shumica janë gra e vajza.
“Nuk do të arrinim të mbyllnin TikTokun pa mbështetjen absolute të grave. Po të ishte muhabet burrash nuk e di nëse do ishte mbështetja për të mirën e fëmijëve për mbylljen e TikTok. Ne nuk do ndalemi”, tha Rama.
Rama solli në vëmendje se qeveria ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për afro 10 mijë nëna të papuna me 3 ose më shumë fëmijë, për të cilat janë shpenzuar deri tani 25 milionë euro.
“Ato nuk shkojnë dot në punë, për shkak të fëmijëve të vegjël por ama të mos iu mungojë pensioni”, u shpreh Rama.
Siҫ është vepruar me bonusin e bebes nga i cili kanë përfituar 277 mijë bebe, Rama tha se tani do të shkohet në një hap më tutje, pasi nuk do të jepet më bonusi i bebes në një dorë, një ҫek në ditën e lindjes, por ai do të shtrihet si një mbështetje financiare për nënat çdo muaj, sipas numrit të fëmijëve.