Politikë

PROTAGONISTI i DITËS/ Pandeli Majko, drejtuesi “rezervë” i socialistëve

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI i DITËS/ Pandeli Majko, drejtuesi “rezervë” i

Pandeli Majko në politikë ka hyrë në moshë të re, kur sapo kishte përfunduar universitetin. Ishte një ndër studentët e dhjetorit që më pas u angazhuan në themelimin e forumit rinor socialist, FRESSH. Ai, si shumë të rinj socialist të asaj kohe, bashkë me Ilir Metën, u bënë drejtues të kësaj organizate rinore dhe e kthyen atë, në një peshë specifike në PS-në e drejtuar nga Fatos Nano. 29 vjeç Kryeministër i vendit. Herë i ka rastisur të jetë edhe emër i parë, e herë tjetër edhe është vetëofruar, si një zgjedhje konsensuale, në momente të rëndësishme krizash politike brenda së majtës.

Ish-kryeministri socialist fillimisht u vendos si drejtues politik i PS-së në qarkun Kukës dhe më pas u shkarkua, për t’u emëruar përsëri, sipas burimeve të Top Channel, si drejtues në Kavajë. Në qarkun e Kukësit, Majko drejtoi fushatën fituese të PS-së në pushtetin lokal, në një përpjekje të tij, për të ofruar kushtet që mazhoranca socialiste të merrte edhe mandatin e dytë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Emërimi i Majkos si drejtues politik në Kukës, u argumentua nga socialistët, se një drejtues nuk mund të vendoset vetëm në zonat e tij të sigurisë, por edhe në zona të vështira, ku ata kanë shumë nevojë të ruajnë rezultatet apo t’i përmirësojnë ato.

Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ish-kryeministri socialist Pandeli Majko konsiderohet “si kriminel i madh elektoral në Kukës”, duke theksuar se në një përgjues të vendosur poshtë tavolinës, ku ishte ulur deputeti i PS-së, është regjistruar teksa bën pazar për blerje votash.

“Thotë ‘ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale, ato kushtonin nja 40-60 mijë euro, por do të faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 mijë do ti dërgohen Tropojës për vota, 200 në Durrës, të tjerat në Kukës’,”– deklaroi Berisha.

Më pas Berisha tregoi detaje nga regjistrimi ku u shpreh: “Përveç kësaj në bisedë, përfaqësuesit e Hasit kërkojnë edhe armë, sepse thonë “Miftar Dautin nuk e mundim dot.”

Megjithatë, Partia Socialiste është kujdesur që zëvendësimin e Majkos me Eduart Shalsin, ta trajtojë më shumë si mungesë performance nga ana e tij, sesa një lidhje me krimin elektoral, që sipas Berishës, ekziston edhe një video-përgjim. Në korridoret mediatike të majta, një lëvizje e tillë, u konsiderua si një performancë jo e duhur nga ana e Majkos, krahasuar me të gjitha strukturat e PS në qarqet e tjera, veçanërisht në procesin e identifikimit të votuesve potencial nga diaspora.

Top Channel, raportoi të hënën paradite se ka pasur edhe një zhvillim të ri për Pandeli Majkon, të cilit iu hoq drejtimi politik i qarkut Kukës, por që sipas burimeve të këtij televizioni, ish-kryeministri socialist është caktuar të angazhohet në qytetin e Kavajës.

Ajo çfarë po ndodh me Pandeli Majkon sot është shumë e habitshme për këdo që e mban mend vjeshtën e vitit 1998, kur lufta politike mes mazhorancës e opozitës ishte skajshëm e ashpërsuar. Situata e acaruar politike vinte për shkak se  më 14 shtator të atij viti ishte vrarë lideri i dhjetorit, Azem Hajdari, deputet i PD-së dhe themelues i saj. Në këtë situatë të acaruar politike, më 28 shtator 1998, Fatos Nano dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Në vend të Nanos, forumet e PS-së zgjodhën kryeministër Pandeli Majkon dhe zëvendës të tij Ilir Metën. Në mesin e shtatorit 1999, Pandeli Majko, shkoi më tej në ambiciet e tij, kandidoi për kryetar të PS. Ilir Meta deklaroi publikisht mbështetjen për kandidaturën e Majkos. Përballë Majkos ishte Fatos Nano, i cili kishte pak muaj që kishte dhënë dorëheqjen nga ky post.

Me slloganin “ne t’birtë e shekullit të ri”, nisi në 9 tetor kongresi i tretë i PS, ku përplaseshin dy grupe kundërshtare grupi Nano dhe grupi Majko-Meta. Në seancën e zgjedhjeve të kongresit, Fatos Nano u zgjodh kryetar me 297 vota përkundrejt kandidaturës së Majkos 261 vota. Brenda pak ditësh, Pandeli Majko dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Sot, ish-kryeministri socialist, pretendent për fronin e kryetarit të partisë, një nga emrat më të rëndësishëm socialist, përfundon thjesht një drejtues rrethi për socialistët./Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH