Katër të rinj të kthyer nga jashtë vendit, që sot mbajnë poste drejtuese në qeveri, Florian Semani, zëvendësministër i Financave, Blerina Abrazhda, zëvendësministre e Mbrojtjes, Andi Memeti, zëvendësministër i Financave dhe Erinda Aliaj, eksperte e teknologjisë në Kryeministri ishin të ftuarit e kësaj të shtune në podcastin e kryeministrit Edi Rama.
Ata rrëfyen arsyet pse vendosën të riktheheshin në vendlindjen e tyre.
Ndërkohë Rama foli me vlerësim për performancën e administratës shqiptare në procesin e screening-ut me Bashkimin Europian.
Kryesocialisti ka ndarë për herë të parë se çfarë deklaruan kryeministri i Holandës, Spanjës dhe Danimarkës për ekipin shqiptar.
Rama: Padiskutim që administrata ka hijet e veta, por unë vetë kam pasur më shumë stres nga hijet e administratës se sa kam pasur mjaftueshëm motivim për t’i dalë për zot. Por kjo është përmbysur komplet kur kemi bërë screening. Të gjithë bashkëpunëtorët e dinë shumë mirë që thosha e kam pasur si gozhdë çfarë do të ndodhë në orën e së vërtetës. Ora e së vërtetës për mua ishte kur negociatat do të fillonin me të gjithë diagnozën e shtetit shqiptar, ku faktikisht janë 1000 vetë nga ana andej dhe 100 vetë nga ana këtej që ulen përballë njëri-tjetrit me 36 grupe. Dhe që i hyjnë deri në qelizë shtetit shqiptar. Aty ka shumë rëndësi si e luan ti pjesën tënde.
Kryeministri i Holandës më tha: Po dëgjoj shumë fjalë të mira për ekipin shqiptar. Kryeministri i Danimarkës u habit dhe pyeti: Çfarë ka ndodhur me administratën tuaj? Jeni on top!. Edhe kryeministri i Spanjës vuri re seriozitetin. Dhe kur procesi hyri më thellë, u tha qartë: Shqipëria është surpriza. Administrata shumë e përgatitur, negociatorët të saktë në çdo aspekt. Nuk kemi pse ta fshehim se ka edhe hije në administratë, por të përgjithësojmë duke i quajtur të gjithë hajdutë është padrejtësi. Ky proces e tregoi se kemi njerëz të përgatitur që dinë të përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht.