Politikë

INTERVISTA ELEKTORALE/ Mimi Kodheli: Fitorja e PS më 11 maj përballë alternativës sonë të madhe për ‘Shqipërinë e së ardhmes’

Shkruar nga Liberale

INTERVISTA ELEKTORALE/ Mimi Kodheli: Fitorja e PS më 11 maj

Intervistoi: Aranit Muraçi

Mimi Kodheli mbart një karrierë politike për t’u pasur zili; si ish-nënkryetare e bashkisë së Tiranës, deputete prej 2009 në Kuvendin e Shqipërisë dhe e para grua në postin e ministres së Mbrojtjes. Kur mbeten edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, zgjedhje në të cilat PS-ja synon mandatin e katërt radhazi, nga eksperienca dhe ajo çka përfaqëson Mimi Kodheli beson se ka ende për të dhënë në politikë. Has pak politikanë me formim të spikatur akademik dhe akoma më pak që, përtej ‘kostumit politik’, në përditshmëri i karakterizon thjeshtësia, mençuria, dhe eleganca e saj.
E pozicionuar në listat e hapura të qarkut të Tiranës, Kodheli synon më 11 maj mandatin e saj të pestë si deputete. E ftuara e radhës në rubrikën e Liberale.al, “Intervista Elektorale”, Mimi Kodheli, shpalos disa nga pikëpamjet e saj. Vota për Shqipërinë, - shprehet deputetja socialiste, - është më e rëndësishme dhe "PS mbetet e vetmja alternativë që do ta çojë përpara projektin e saj europian, për të ardhmen tonë të përbashkët, për një e ardhme më të mirë": 


Zonja Kodheli, jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 2009. Për kontributin që keni dhënë dhe atë çka përfaqësoni në politikë a mendoni se emri juaj duhet të ishte në listat e mbyllura për Tiranën?

Ka një logjikë që tejkalon diskutimin e listave të mbyllura dhe atyre të hapura. Më së pari unë nuk jam e vetmja kandidate me kontribute në PS dhe në politikën shqiptare që jam në listat e hapura. Së dyti, mundësia që na ka dhënë, përgjatë gjithë këtyre viteve, të qenit person publik, të pasurit të mundësive për të shërbyer dhe njohur njerëz e bën punën time me angazhuese nga njëra anë, por edhe me të thjeshtë nga ana tjeter.
Duket sikur ka antagonizëm në këtë që them, por gjykoj kjo është më pranë realiettit se çdo tendencë tjetër për të demostruar se sa e vështirë është të bësh një fushatë ku realisht të duhet të mbulosh një zoneë si Qarku i Tiranës me shumë më shumë se 1 milion banorë.

Lidhur me shanset e PS-së për një mandat tjetër, të katërt dhe historik, a i shihni partitë e vogla si një pengesë të mundshme për të siguruar mazhorancën?

Partitë e vogla i shikoj si një alternativë opozitare për aq kohë sa partia kryesore opozitare u përkujdes në këto vitet e fundit më shumë të luftonte mes vetes sesa të ishte alternativa evropiane që i duhet Shqipërisë. E rëndësishme është që partitë e vogla të mos kopjojnë partitë e dala "demode" pasi rrezikojnë të jenë të reja në moshë, por të vjetra në mendim e projekt.

Nëse do të duhet të zgjidhnit pas 11 majit mes dy alternativave: midis mandatit tuaj si deputete dhe humbjes së PS-së, cilën prej tyre do të preferonit?

Do të kisha dashur të isha e besueshme kur them se e rëndësishme është që PS të vazhdojë projektin e saj për një Shqipëri evropiane. Unë kam bërë një karrierë të spikatur në politikë, di të bëj ende gjëra të tjera, por ajo që është më e rëndësishme për mua në këtë moment është fokusimi tek çuarja me sukses deri në fund e këtyre zgjedhjeve. Jam e bindur që qytetarët do dijnë të zgjedhin edhe këtë herë. Gjithsesi fitorja e PS është një fitore e vogël për çdo qytetar pasi është fitorja jonë për një Shqipëri të së ardhmes.

A jeni edhe ju e mendimit se shumica e grave kanë përfituar nga vizioni i kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar karrierë në politikë, ndërsa gjysma e burrave janë ‘çyrykë’, siç pretendon po ashtu vetë kryeministri?

Karriera e grave në politikë ka një historik që duhet parë në dinamikë. Kanë qenë të shumta organizatat, vetë zonjat parlamentare dhe fryma që ato të parat kanë përcjellë për të sjellë këtë pjesëmarrje dhe këtë emancipim.
Sigurisht që kjo ka kulmuar me ardhjen në pushtet të PS-së me kryeministër Edi Ramën. Personalisht jam dëshmitare e propozimit që më erdhi prej tij për t’u bërë gruaja e parë në historinë e Shqipërisë që mbajti pozicionin e Ministrit te Mbrojtjes, një pozicion thellësisht i dominuar nga meshkujt, deri në atë kohë. Sot Shqipëria renditet ndër 5 vendet e para në botë që ka në përbërje të saj më shumë se gjysmën zonja. Dhe kjo nuk është pak.

Mendoni se kryetari i opozitës Berisha është vërtet një “gogol elektoral” që PS e ka përballë sërish më 11 maj, në vend që të kishit përballë një alternative tjetër e cila ka mbetur e bllokuar prej tij?


Unë mendoj që alternativat politike duhet të jenë të qarta, të prekshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme. Duhet që të mësojmë edhe publikun si ta lexojë alternativën, politikat dhe reformat e sektorëve. Shpesh herë shikoj, dhe besoj jo vetëm unë, që politikat dhe programet që propozohen janë ose të pamundura të zbatohen dhe totalisht utopike, ose abuzime me inteligjencën e qytetarëve. Në momentin që ky proces është aty
i bllokuar, duhet të ndërrojë qasje, përndryshe ne do të vazhdojmë të qeverisim përtej mandatit të katërt dhe kjo si bën mirë demokracisë.

Shumë vite në politikë, 12 vite në qeverisje. Çfarë do të donit të kishte ndryshuar ose të ishte bërë më mirë por që nuk është realizuar nga PS-ja?

Disa gjëra mund dhe duheshin bërë më mirë. Por kjo është diçka që mund ta themi për çdo qeverisje moderne perëndimore pavarësisht nga suksesi që mund të kenë. Nga ana tjetër gjykoj që mund dhe duhet të vazhdojmë disa reforma të nisura në Qeverinë ‘Rama 1` që në gjykimin tim nuk u thelluan apo zgjeruan ashtu siç duhet dhe aq sa duhet. Mbase nga që donim të reformonim shumë sektorë dhe të gjithë njëherësh.
Gjithsesi uroj të rregullojmë e korrigjojmë disa prej tyre sidomos kur flitet për rritjen e pensioneve pavarësisht se reforma në fushën e Sigurimeve Shoqërore mbetet një ndër më të vështirat.

Së fundmi, keni menduar ndonjëherë për trashëgiminë politike që do të lërë PS-ja në një të ardhme? A është ngritur e majta që kemi sot mbi parimet e asaj që besoni se duhet të kishte?  

Gjykoj që nocioni i së majtës së sotme ka ndryshuar krahasuar me atë që në të kaluarën konsiderohej e majta klasike. Rrugët alternative apo rrugët e treta e kanë bërë këtë nocion të rrijë më afër qendrës dhe të jetë më pragmatist. Gjithsesi kam një qëndrim konservator kur bie fjala për një të majtë që duhet të përkujdeset më shumë për rishpërndarje të pasurisë apo vëmendje më të madhe ndaj shtresave në nevojë.
Thënë kjo, shpresoj që PS të lërë një trashëgimi politike që do t'i vlejë vendit, pasi ka ditur dhe di ta drejtojë këtë vend si pak kush ndaj është një aset që nuk duhet humbur kurrsesi, ashtu si aset janë dhe të gjitha forcat opozitare që në momente të caktuara të historisë tonë moderne kanë ditur të demostrojnë mençuri dhe maturi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH