Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në takimin përmbyllës të fushatës në Has, i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i besojnë votën më 11 maj, duke premtuar se do t’i japë fund varfërisë dhe largimit të të rinjve nga vendi. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se shqiptarët po përballen me një krizë të thellë shprese dhe identiteti, duke akuzuar maxhorancën socialiste për keqqeverisje.
“Me 11 maj të votojmë ndryshimin, me 11 maj, të votojmë për një epokë të re, për një kapitull të ri, për një histori të re, të Hasit dhe të Shqipërisë, për tu ndarë nga kjo e keqe e madhe e cila varfëroi shqiptarët nga viti në vit”, tha Berisha.
Berisha premtoi se, nëse koalicioni PD-ASHM del fitues në zgjedhjet e 11 majit, në 100 ditët e para të qeverisjes “nuk do të ketë më asnjë qytetar që jeton në varfëri të skajshme”. Po ashtu, ai u zotua se do të marrë masa të menjëhershme për uljen e çmimeve, rritjen e pensioneve e pagave, dhe heqjen e taksave që i konsideroi abuzive.
“Në Shqipëri nuk do të ketë pas 100 ditësh, asnjë shqiptar që jeton në varfëri të skajshme. Dhe kjo realizohet duke vendosur minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar, në punë pa punë çfarë do që të jetë, por që merr më pak se 200 euro. 560 mijë pensionistë marrin sot një pension nga 60-172 euro. Që të gjithë do të marrin 200 euro pas 100 ditësh. Rrogat e ulëta, nuk do të ketë rrogë të ulët ndën 500 euro. Pensionistët dhe rrogëultit do të ketë kartën e konsumatorit me të cilën do të blejnë, bukën, vajin, sheqerin, mishin dhe të gjitha produktet e shportës bazë, 20% më lirë se të tjerët. Do u kthehen 450 euro në vit me kartën e konsumatorit. Do ulim çmimin e energjisë në 7 lek. Do ulim naftën, qindarkë për qindarkë, aq sa është në Kosovë dhe në Maqedoni. Javën e parë taksa Rama hidhet në Drin. Nuk do të paguani kurrë më ju taksë për të ardhur në Tiranë, dhe jo një por dy, ta dinë mirë. Javën e parë ato zhduken nga autostrada. Rrogat mesatare do rriten në 1250 euro. Rrogat e mësuesve në 1500 euro. Rrogat e mjekëve dhe infermierëve do të dyfishohen”, deklaroi Berisha.