Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka komentuar sot kontratën e lobimit prej 6 milionë dollarësh në SHBA, të lidhur nga Partia Demokratike për të ndikuar në heqjen e statusit “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në një prononcim për media, Kryemadhi e cilësoi veprimin si legjitim dhe shifrën si të arsyeshme.
“Nuk më duket e ekzagjeruar dhe ka qenë publike që në fillim në faqen e Departamentit të Drejtësisë,” – u shpreh ajo.
Sipas dokumenteve të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, kontrata është regjistruar nën Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA). Ajo përfshin shërbime të lobimit pranë institucioneve amerikane dhe fushata për të përmirësuar imazhin e Berishës në arenën ndërkombëtare.
Qëllimi final i këtij lobimi është rishikimi i vendimit për shpalljen “non grata” të Berishës nga SHBA-ja, marrë në vitin 2021 për korrupsion dhe minimin e demokracisë.
Reagimet publike pas deklaratës së Kryemadhit kanë qenë të ndara. Një pjesë e opinionit publik e sheh si një përpjekje për të rehabilituar Berishën në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa të tjerë e kritikojnë si një përdorim të pajustifikuar të fondeve të një partie politike.