Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të nisë nesër, më 17 qershor 2025, në orën 09:00, procesin zyrtar të rinumërimit të 2323 qendrave të votimit, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Rinumërimi do të përfshijë gjithashtu edhe 85 kuti votimi nga diaspora dhe do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë. Procesi do të organizohet në 24 tavolina të posaçme dhe do të ndiqet në kohë reale nga publiku përmes transmetimit ‘live’ në rrjetet sociale të KQZ-së.
Qarqet e përfshira në rinumërim janë: Tirana, Durrësi, Fieri dhe Elbasani.
Të drejtën për të pasur vëzhgues gjatë rinumërimit e kanë vetëm subjektet politike që u legjitimuan nga KAS gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore. Konkretisht:
Qarku Elbasan: Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste;
Qarku Fier: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Koalicioni Nisma – Shqipëria Bëhet;
Qarku Durrës: Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste;
Qarku Tiranë: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe partia Mundësia.