Më 6 janar 1882 - në fshatin shqiptar Qytezë (Ibriktepe) të Trakisë, lindi Theofan Stilian Noli, i njohur më mirë si Fan Noli - shkrimtar, studiues, diplomat, politikan, historian, orator, dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare; ai shërbeu si kryeministër dhe regjent i Shqipërisë në vitin 1924 gjatë Revolucionit të qershorit.
Studiuesi Ilir Ikonomi solli vetëm pak ditë më parë vëllimin e dytë të biografisë së Fan Nolit, titulluar “Rebeli”, botim i UET Press që përshkruante fillimin e viteve 1920, në folenë e grerëzave të politikës shqiptare, siç ai e quan.
“Është një titull që i përshtatet shumë mirë Fan Nolit, sepse ai në fakt ishte një rebel. Nga studimet që kam bërë, kam arritur në konkluzionin se po, kështu ishte, guxonte t’i thoshte jo gjërave që shkonin kundër rrymës”, u shpreh Konomi.
Me një ndërthurje të biografisë me historinë, autori sjell detaje që kanë për qëllim që lexuesi të futet në atë epokë, ta ndiejë dhe jo ta gjykojë me kriteret e sotme.
100 vite pas trazirave të bujshme të vitit 1924, Ikonomi synon të sjellë personazhet e librit thjesht si njerëz që ka prodhuar koha, pa heronj apo tradhtarë, në një përpjekje për të treguar të vërtetën, bazuar në faktet e siguruara nga arkivi i gjerë brenda dhe jashtë vendit. Pas Apostullit që ishte vëllim i parë, së shpejti për publikun pritet të mbërrijë edhe vëllimi i tretë.
Dy vëllimet e para rezultuan një sukses i jashtëzakonshëm. Kjo pasi figura e Fan Nolit mbetet e admiruar në publikun e gjerë.
Fan Noli nderohet mes shqiptarëve si kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës dhe atdhetarizmit. Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në konsolidimin e shqipes si gjuhë kombëtare me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Kontributi i tij në anglisht është, gjithashtu, i shumëfishtë: si studiues dhe autor i një sërë publikimesh për Skënderbeun, Shekspirin, Bethovenin, tekste fetare dhe përkthime.
Noli u diplomua në Harvard dhe u shugurua prift në vitin 1908, duke krijuar në këtë mënyrë Kishën Shqiptare dhe ngritjen e gjuhës shqipe në përdorimin kishtar. Theofani banoi për pak kohë në Shqipëri pas shpalljes së pavarësisë më 1912. Pas Luftës së Parë Botërore, Noli udhëhoqi përpjekjet diplomatike për të marrë mbështetjen e presidentit amerikan Wilson. Më vonë ndoqi karrierë politike e diplomatike, duke çuar me sukses kërkesën shqiptare për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve.
Figurë e respektuar, Fan Nolit iu kërkua për të udhëhequr revolucionin e qershorit 1924. Më pas, ai shërbeu si kryeministër deri sa qeveria e tij u rrëzua nga Ahmet Zogut. Në dhjetor 1924, Fan Stilian Noli ikën në Itali, vendoset përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1930, dhe mori shtetësisë amerikane duke rënë dakord për t'i dhënë fund përfshirjes në politikë.
Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet ’30 në një spektër tjetër përpjekjesh krijuese, në atë të muzikologjisë. Në vitin 1935 Noli, i njohur gjerësisht si klerik dhe politikan, iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme, muzikës. Në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju-England, në Boston, ku u diplomua më 1938. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u mbrojt prej Nolit si temë diplome.
Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Ai u njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA, më 1908. U bë reformatori i mirëfilltë i saj. Reforma kishtare e Nolit solli të kënduarit shqip në kishë. Të kënduarit në “kishën e Nolit” bëhej me kor të përzier (burra e gra), ashtu siç këndohen në Perëndim meshat, oratoriot, requiem-et e madrigalët, por që ishin himne të Kishës Ortodokse dhe më kryesorja, të përkthyera prej tij dhe kënduara të gjitha në shqip.
Noli e kaloi pjesën tjetër të jetës si studiues, fetar, shkrimtar; vdiq më 13 mars 1965 në Florida.