Leka, majtas, në vitin 1997, gjatë referendumit për të rikthyer monarkinë (AP)
Është ky përshkrimi me shkurtime që i bën fotos dhe ngjarjes historike The Indepedent një e përditshme britanike, artikull i publikuar në kohën kur Leka Zogu u nda nga jeta në 2011:
"Leka i Shqipërisë ishte një nga personazhet më kontraverse në skenën ballkanike të shekullit të 20-të. Ai lindi në vitin 1939, kohë kur qeveria e babait të tij, Mbretit Zog, mbretit të parë të Shqipërisë, ishte gati për t’u rrëzuar nga forcat e Musolinit. Kur Leka ishte një ditësh, babai i tij mbajti një paradë të madhe ushtarake në kryeqytet, Tiranë, që u konsiderua një provokim i madh për Duçen në Romë.
U hartuan plane për largimin e menjëhershëm të Lekës dhe nënës së tij, Mbretëreshës Geraldinë. Plani i Zogut për t'u tërhequr në male e për të udhëhequr një rezistencë antifashiste u pengua nga tradhtia e jugosllavëve, prandaj edhe ai vetë u largua në mërgim.
Leka nuk do të kthehej në Shqipëri për më shumë se 50 vjet dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në mërgim. Ai ai nuk u martua deri në vitin 1975. Geraldina e fuqishme kishte kontakte të shumta midis aristokracive evropiane dhe pjesën më të madhe të Luftës së Dytë Botërore e kaloi në Londër.
Fundi i komunizmit në vitet 1990-91 ia ndërlikoi ndjeshëm jetën. Ai dëshironte të kthehej në Shqipëri, por për një kohë të gjatë nuk mundi, pasi nuk e pranonte faktin që nuk ishte ende mbret legjitim edhe pse e kishte atë titull në pasaportë. Ai u arrestua në aeroportin e Tiranës në një rast dhe u deportua në vitin 1995, me sa duket në Brazil. Ndjekësit e tij në Shqipëri ishin të ndarë në dy grupe: ata që donin një monarki kushtetuese; dhe ata që dëshironin ta shihnin të kthehej në pushtet sipas kushtetutës gjysmëdiktatoriale të vitit 1929 të babait të tij, Zogut…
Këto tensione arritën kulmin në vitin 1997, kur Leka u bind të kthehej në Tiranë për të kërkuar pushtet. Ai u rikthye dhe një referendum mbi monarkinë u mposht vetëm me një diferencë të ngushtë, siç pretendoi Leka, nga manipulimi zgjedhor i Daan Everts, kreu i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Njësitë paraushtarake të Lekës udhëhoqën një sulm ndaj ndërtesave qeveritare por ai i shpëtoi arrestimit vetëm për pak. Leka u kthye në mërgim në Afrikën e Jugut; Kauza monarkiste dukej e humbur në mënyrë të pakthyeshme dhe dukej po aq e pamundur që ai ta shihte përsëri atdheun e tij. (Por duket se Leka hoqi dorë nga pretendimet për monarkinë dhe u kthye më vonë në Tiranë ku edhe ndërroi jetë më 30 nëntor të vitit 2011)."
/Liberale.al/