Politikë

‘Shqipëria Bëhet’ nis fushatën zyrtarisht nga Vlora, Endri Shabani: Rrjeti i merimangës mban peng vendin!

Shkruar nga Liberale

‘Shqipëria Bëhet’ nis fushatën zyrtarisht nga Vlora,

Koalicioni ‘Shqipëria Bëhet’ çeli sot (12 prill) zyrtarisht fushatën elektorale nga qyteti i Vlorës.
Ky koalicion është i përbërë nga “Shqipëria bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj dhe “Nisma”, e Endri Shabanit.

Në fjalën e tyre, para mbështetësve të pranishëm në shesh, Shabani dhe Lapaj shpalosën programin elektoral, ku ngritën shqetësimet për gjendjen ekonomiko-sociale të vendit, skandalet e korrupsionit dhe premtuan rritje ekonomike, deri edhe Bankë Kombëtare Agrare për fermerët, bujqit dhe bizneset.

Fjala e tyre ishte e përqendruar tek aspekti ekonomik, ku thanë se minimumi jetik do jetë 200 euro, po aq sa e premton edhe PD.
Endri Shabani tha se dy partitë e mëdha kanë folur deri tani për bufa e këneta, por vetëm për 'rrjetë merimange' nuk kanë folur.

"Këta kanë folur për gjithçka deri tani, për bufa, kënetë e moçale, por vetëm për rrjetën e merimangës nuk kanë folur. Këta e kanë bërë rrjetë merimange, e kanë marrë peng këtë vend prej tre dekadash. Ajo merimangë është gjysmë blu dhe gjysmë mavi. Një rrjet interesash që mban peng njerëzit, që largon të rinjtë, mban peng ekonominë, që nuk të lënë të avancosh në të gjitha fushat. janë të njëjtët njerëz në Parlament dhe institucione, një rrjet merimange", tha Shabani, duke kërkuar votimin e numrit 6 që ka ky koalicion në fletë.
Lapaj deklaroi rritje të pagesës së invaliditetit në 200 euro, rritje të rrogave në arsim, buxhetin e arsimit me 2,39% të Prodhimit të Brendshëm. Një tjetër pikë programi ishte edhe ulja e taksave ndaj biznesit, rimbursimi, si dhe subvencionimi në bujqësi dhe blegtori Gjithashtu edhe një takse unike me 10% të fitimit.

Lapaj tha se do hapet Banka Kombëtare Agrare, për të ndihmuar bujqit dhe fermerët, për të shmangur kreditë me interesa të larta te bankat aktuale, nëpërmjet dhënies së kredive të buta.
“Do e çojmë paranë te ata që i kanë duart me kallo dhe ballin me rrudha. Këta me xhetona nga Tirana që më thonë mua sikur kam qenë unë në qeverisje për 34 vite, këta që bëjnë pallate e kulla, unë u them se unë nuk do ndalem. Këta të baltës ndihen të kërcënuar sepse e dinë. S’mund të ketë Republikë të pasur me njerëz të varfër. Këta duan të na sjellin njerëz nga Bangladeshi, por ky vend duhet të jetë i shqiptarëve”, tha Lapaj mes të tjerash.
Në fund, ai kërkoi edhe votën e shqiptarëve dhe diasporës për të ndëshkuar këtë politikë 34-vjeçare të dy forcave të mëdha, me thirrjen "mos na lini vetëm".

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH