
Ditën e sotme, 12 prill, në orën 12:00, Partia Socialiste do të hapë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Mesdita do të gjejë socialistët në sheshin “Skënderbej”, ku do të mbahet tubimi i madh, ndërsa ajo që është e veçantë është përzgjedhja e numrit 12 si simbolikë e 12 yjeve të flamurit të BE.
“12 prill nga 12 qarqe rreth 12 yjeve të Europës në 12.00, familja jonë e madhe politike, mblidhet në Sheshin Skënderbej për takimin festiv Shqipëria 2030 në BE”, shkroi Rama në rrjetet sociale kur njoftoi takimin.
Data e sotme është zgjedhur për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE-së, që është edhe fokusi i fushatës së kryeministrit Rama, pra integrimi në Bashkimin Europian.
Fjala kryesore pritet të jetë ajo e kryesocialistit Rama i cili do të flasë në lidhje me objektivin e fushatës.
Ndërkohë ditën e djeshme Rama ka mbledhur gratë socialiste në Teatrin e Operas dhe Baletit, aktivitet që zgjati rreth 2 orë e gjysmë. Kreu i qeverisë në fjalimin e tij theksoi rëndësinë që kanë për PS gratë, duke u shprehur se vota e tyre do të jetë vendimtare më 11 maj.
Ai tha gjithashtu se nuk është e largët dita kur vendi ynë do të ketë një kryeministre grua, që u shpreh i bindur se do të jetë nga radhët e socialistëve.
Ditën e djeshme në orën 19:00, PD çeli fushatën në sheshin “Nënë Tereza”./vizionplus.tv