Për Partinë Demokratike, dita e nesërme (11 prill) do të jetë një ditë e rëndësishme, pasi kjo forcë politike çel zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kreu i PD Sali Berisha u rezervua sot të tregojë detaje se çfarë do të ndodhë ditën e premte, ndërsa theksoi se fushata është surprizë.
“Fushata surprizë. Problemi është se çifti dashurohet muaj apo vite, por e ka një ditë që ndryshon dhe paraqitet tjetër dhe të gjithë pavarësisht se i kanë parë qindra mijëra herë vrapojnë t’i shohin atë ditë si çift. Të gjitha surprizat janë nesër”, tha Berisha.
Kryedemokrati u pyet edhe për një parashikim për rezultatin e 11 Majit. Berisha u përgjigj se nuk është profet.
“Siç e kam theksuar unë nuk jap kurrë përqindje dhe numra sepse unë nuk jam profet, nuk marr rol profeti. Ajo çka bëj unë dhe po përpiqem me forcën time të siguroj një mbështetje madhore kombëtare për fitoren e 11 Majit dhe besoj se këto janë evidente. Shihni entuziazmin që ekziston dhe optimizmin e ligjshëm që ekziston sot në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te zhvillimet në Parlamentin Europian ku tha se komuniteti ndërkombëtar është i vendosur që Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira.