Nesër në orën 19.00 Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të hapë fushatën elektorale, ku mesazhin kryesor do ta japë kryetari i PD Sali Berisha dhe Chris LaCivita, strategu i fushatës se presidentit Trump në vitin 2024 i cili është strategu i betejës se PD për tu rikthyer në pushtet pas 12 viteve opozitë.
Kryetari i PD Sali Berisha deklaroi se si asnjëherë më parë komuniteti ndërkombëtar po mbështet shqetësimet e opozitës në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Berisha shfrytëzoi për të mbështetur këtë argument mbledhjen e një dite më parë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian ku u zhvillua një seancë dëgjimore për situatën në Shqipëri në prag të betejës elektorale të 11 majit, duke vënë në dukje se një mbledhje e ngjashme është zhvilluar vetëm pas përdorimit të Dushkut në zgjedhjet e vitit 2002.
“Europa është e vendosur që Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira. U them shqiptarëve me bindjen më të thellë, Europa është e vendosur t’i japë atë që meriton të gjithë atyre që kërkojnë t’i privojnë shqiptarët nga e drejta e votës së lirë dhe tentojnë t’u kontrollojnë atyre vullnetin dhe ky është një ogur i bardhë shumë për çdo shqiptar”, tha Berisha.
Sipas Berishës mbledhja e një dite më parë në Parlamentin Europian tregon mbështetjen që opozita ka në Bruksel.
“Dje, pasaporta evropiane e Edi Ramës u gris. Mashtrimi i tij me pasaportën evropiane mori fund”, deklaroi kreu i PD-së.
Pak ditë para se të nisë shpërndarja e fletëve të votimit në diasporë, Berisha u shpreh optimist për mbështetjen e opozitës te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Të mendosh se Edi Rama nuk do të bëjë çdo përpjekje për të manipuluar votën është të gënjesh veten, i thonë kësaj. Por ne do ta mbrojmë atë votë, ne po e mbrojmë atë votë. Dhe ne do të ndjekim çdo proces të kësaj vote, gjersa ajo të numërohet e tëra me transparencë”, tha kreu i PD-së.
Kryetari i PD Berisha preferoi të mos zbulojë detaje nga hapja e fushatës elektorale nesër pasdite në sheshin “Nënë Tereza”.
“Fushata surprizë, por nëqoftëse thuhen surprizat sot, atëherë, ato janë jo. Problemi është se, çifti dashurohet muaj apo vite, por e ka një ditë që ndryshon dhe paraqitet krejt tjetër dhe të gjithë pavarësisht se i kanë parë qindra e mijëra herë, vrapojnë ti shohin atë ditë si çift, me kostumin e nusërisë. Ndaj dhe të gjitha surprizat janë nesër”, tha Berisha.