Kronikë

U arrestua për tjetërsimin e dy pronave në Dhërmi, Jorgo Goro del sot para GJKKO

Shkruar nga Liberale

U arrestua për tjetërsimin e dy pronave në Dhërmi, Jorgo

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili u arrestua të shtunën me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme do të dalë sot në GJKKO, ku do t’i verifikohet masa e sigurisë dhe do të merret në pyetje. Po në këtë seancë do verifikohen edhe masat e sigurisë për 4 të akuzuarit e tjerë, dy prej tyre ende në kërkim. 

Goro është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku do të shoqërohet për t’u dërguar në gjykatë. Goro u prangos më 23 mars me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS.

Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit. 

Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, Stavri e Foto Mëhilli, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gacin.

Në episodin e dytë një pronë bujqësore prej 5080 m2, Jorgo Goro në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashi, e ka kthyer pronë shtet, ku më pas janë kryer transaksione. Në kufi me këtë sipërfaqe toke, sipërmarrësi privat, Artan Gaçi, ish- deputet i PS- së, i kishte blerë tokën me dokumente të falsifikuara Stavri Mëhillit. Sipërfaqja e tokës më pas është bashkuar në një të vetme dhe pas kësaj shoqëria tregtare e drejtuar prej Artan Gaçit merr leje ndërtimi për një kompleks turistik, i cili do të ndërtohet në të dyja sipërfaqet e tokës, në total (10.592 m2).

Ndërkohë në “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Masat e sigurisë, u ekzekutuan këtë të shtunë për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi dhe shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH