Një konflikt mes dy vëllezërve degjeneroi në përdorimin e armëve në njësinë administrative Gradishtë, bashkia Divjakë.
Zarif dhe Shpëtim Konja, banues në zonë, janë përfshirë fillimisht në një sherr fizik, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte.
Njëri prej tyre Zarif Konja ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të vëllait të tij, por të shtënat nuk e kanë prekur mbi të. Pas ngjarjes, vëllai që ka qëlluar me armë është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur.
Policia ka sekuestruar në vendngjarje një armë gjahu dhe katër gëzhoja. Nga të shtënat janë dëmtuar një mjet i parkuar në anë të rrugës dhe tenda e një lavazhi.
Vëllai tjetër Shpëtim Konja është shoqëruar nga policia për të sqaruar rrethanat e konfliktit. Nga ana tjetër policia po merr në pyetje persona të tjerë që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes ose që mund të kenë dijeni.
Ende nuk janë të qarta arsyet që çuan në përplasjen mes dy vëllezërve Konja.