Policia ka arrestuar drejtuesin e kamionit, Vasil Rika, pas aksidentit tragjik që i mori jetën 29-vjeçarit Kosta Nako nga Pojani, i cili ishte banor i bashkisë së Maliqit.
Ekspertët e qarkullimit rrugor, pas një ekzaminimi të detajuar të vendit të ngjarjes, kanë zbardhur dinamikën e aksidentit që përfshinte një të vdekur dhe dy të plagosur. Sipas raportit të ekspertizës, drejtuesi i kamionit po udhëtonte nga Maliqi drejt Korçës, ndërkohë që para tij, në të njëjtin sens lëvizjeje, ishte një automjet tjetër.
Ky i fundit, në mënyrë të papritur, ka tentuar të kalojë nga krahu i djathtë i rrugës, për t'u futur në një rrugë dytësore. Për të shmangur një përplasje të mundshme, drejtuesi i kamionit ka frenuar për më shumë se 10 metra dhe ka devijuar djathtas, ku ka goditur mjetin e viktimës, i cili ishte i ndaluar jashtë rrugës, duke pritur për të hyrë në rrugën kryesore.
Si pasojë e goditjes, 29-vjeçari Kosta Nako ka humbur jetën, ndërkohë që një person tjetër që ishte pasagjer në mjet ka mbetur i plagosur, së bashku me drejtuesin e kamionit, i cili gjithashtu ka pësuar lëndime.