Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Raporti i dorëzohet BE-së, 65 Aleancat e Universiteteve Evropiane kërkojnë më tepër fonde

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Raporti i dorëzohet BE-së, 65 Aleancat e

Qeveritë kudo në Europën e zhvilluar investojnë çdo vit gjithmonë e më shumë për arsimin. Universitetet Evropiane përmes thirrjeve dhe propozimeve tërheqin vazhdimisht fonde që lidhen me rritjen dhe zhvillimin e tyre si dhe me kërkimin dhe inovacionin, të gjitha në shërbim të shoqërisë.

Aleancat e Universiteteve Evropiane të krijuara në kuadër të programit Erasmus+ duhet të marrin më shumë para edhe nga BE, sipas një draft raporti të përgatitur për komitetin e kulturës dhe arsimit të Parlamentit Evropian.

Sipas periudhës buxhetore 2021-2027, shifra që Erasmus+ do të akordojë çdo vit ka kapur një rekord prej rreth 1.2 miliardë euro dhe e gjitha kjo shumë do të shkojë mbi nismën e Universiteteve Evropiane. Kjo do të thotë deri në 14.4 milionë euro në dispozicion për çdo aleancë të Universiteteve Evropiane që mbulon periudhën e lartpërmendur. Kjo shifër është pothuajse 3 herë më shumë se ajo e ofruar gjatë fazës pilotuese 2019-2020, çka tregon se kur institucionet financiare bashkohen në një qëllim qoftë tërheqja e fondeve po ashtu edhe suksesi janë të garantuara.

Aleancat mund të jenë në gjendje të zgjasin këtë periudhë prej 4 vitesh financimi me një financim ndërlidhës në periudhën e ardhshme buxhetore të BE-së, që nis nga viti 2028. Kjo mundësi do të jetë pjesë e programeve të ardhshme të punës Erasmus+ që do të miratohen nga BE.

Krahas këtyre burimeve të financimit të dedikuar për Universitetet Evropiane, ata mund të kenë akses edhe në mundësi të tjera financimi Erasmus+, të lidhura për shembull me mobilitetin dhe inovacionin e studentëve dhe stafit akademik.

Raporti i publikuar këtë javë i bën thirrje Komisionit Evropian të paraqesë një strategji gjithëpërfshirëse financimi për aleancat që bazohet jo vetëm në Erasmus+, por edhe në programe të tjera të BE-së. Kjo për arsyen se aleancat përfaqësojnë një mjet të rëndësishëm për konkurrencën e BE-së.

Aleancat e Universiteteve Evropiane janë rrjete transnacionale të institucioneve të arsimit të lartë, të krijuara me qëllim të promovimit të bashkëpunimit, programeve të përbashkëta dhe lëvizshmërisë akademike. I nisur në vitin 2019, projekti fillimisht synonte të krijonte 20 aleanca. Megjithatë, nisma është rritur me shpejtësi duke shkuar aktualisht në 65 aleanca që përfshijnë 570 institucione në të gjithë Evropën.

Draft-raporti jo legjislativ, i përgatitur nga Laurence Farreng nga Grupi i Rinovimit të Evropës, thekson nevojën për të forcuar aleancat ekzistuese përpara se nisma të zgjerohet më tej.

"Në vend që të krijojnë aleanca të reja, këto programe dhe financimi i tyre duhet të mbështesin suksesin e atyre ekzistuese" që tashmë kanë filluar të riformësojnë përsosmërinë akademike të BE-së dhe lirinë akademike, tha Farreng për Science Business.

Pika të tjera të ngritura në draft-raport përfshijnë nevojën për të shmangur një qasje të vetme ndaj aleancave, një fokus në qëllimet cilësore dhe jo sasiore, dhe mbështetjen për projektet pilot paraprake që synojnë krijimin e një diplome të përbashkët evropiane.

Eurodeputetët kishin kohë deri në mesditën e 10 prillit për të paraqitur amendamentet në raport. Votimi në komision pritet në qershor. Miratimi përfundimtar pritet në një seancë plenare në muajin shtator.

Liberale Newsroom

Poll
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH