Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Kriza e strehimit, dyfishimi i çmimeve të banimit dhe dallimi i madh i qytetarëve shqiptarë me ata spanjollë

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: Kriza e strehimit, dyfishimi i çmimeve të

Aranit Muraçi

Pse qytetarët shqiptarë nuk mësojnë sesi mund edhe ata të protestojnë?!

Protesta e fundit në Shqipëri është zhvilluar për mbylljen e platformës Tik-Tok. Si mbyllja ashtu edhe protesta mund të quhen pa frikë dy çudira ‘alla shqiptare’. Janë zhvilluar më herët protesta të tjera në mbrojtje të politikanëve të akuzuar ose të arrestuar për korrupsion. Përpos çudirave të fundit, pengmarrësit e opinionit publik debatin nëse SPAK duhet të vazhdojë të hetojë apo të shkrihet, në pamundësi për shkrirjen e tij, e kanë katapultuar në krye të të gjithë diskutimeve mjerane gjatë muajve të fundit.

Ndërkohë që çmimet rriten, kryesisht ato të qirave e të banesave në Tiranë, rritja vazhdon të mos ndalet dhe ka vite që ecën me një ritëm shumë më të lartë e të shpejtë se të ardhurat çka e bën jetesën tepër të vështirë për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Kryesisht për të rinjtë të cilët si rrjedhojë e kësaj duke e parë të ardhmen e tyre të zymtë, kanë zgjedhur si rrugëzgjidhje largimin. Për të kuruar këtë plagë sociale as qeveria dhe as opozita nuk e kanë gjetur dhe as po bëjnë përpjekjen më minimale të mundshme që të gjejnë “doktorin” e duhur, për çudi, as në këtë periudhë meqë jemi në fushatë zgjedhore. Çka duket sikur palët politike ndajnë interesa të përbashkëta në fushën ekonomike, kryesisht në ndërtime dhe investime strategjike.

Kur e gjithë barra bie mbi qytetarin as opinioni publik nuk ngrihet dhe nuk proteston për të kërkuar të drejtat e tij. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse opinioni publik kulturën për t’u organizuar dhe për të kërkuar të drejtat e tij, pa qenë nevoja e ‘tutorëve’ politikë të cilët në fakt janë vetë problemi, nuk e ka fituar asnjëherë në Shqipëri pavarësisht rënies së komunizmit. Këtë kulturë as nuk ka ndërmend ta fitojë, sepse ata cilët mund ta udhëheqin ose i kanë lënë pa “mikrofon” ose i kanë ‘inkurajuar’ të largohen në emigracion.

Një krahasim me Spanjën e bën shumë të qartë dallimin. Në vendin iberik për të njëjtin problem, që me siguri është shumë më i rëndë në Shqipëri, qytetarët ngrihen dhe protestojnë masivisht. Pra para se të pretendojmë që të bëhemi anëtarë të BE-së veç reformave dhe standardeve që na kërkohet të arrijmë a mos duhet që të na mësojnë edhe sesi të protestojmë, ashtu siç protestojnë popujt e tjerë të Bashkimit Europian, ku ne duam të shkojmë!

Pse kur ndajnë të njëjtin problem, qytetarët në Shqipëri dallojnë shumë me ata në Spanjë?

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, duke supozuar se të gjithë e përjetojnë në përditshmëri atë që ndodh në Shqipëri me çmimet e qirave e të banesave, mjafton të shohim dhe të kuptojmë se çfarë ndodh këto ditë në Spanjë. Pse qytetarët atje protestojnë masivisht?

Në të gjithë Spanjën, dhjetëra mijëra qytetarë të zemëruar marshuan këtë fundjavë për të protestuar kundër krizës në rritje të strehimit. Autoritetet qeveritare pretenduan se 15,000 vetë marshuan në Madrid, ndërsa organizatorët thanë se 10 herë më shumë njerëz dolën për të protestuar në rrugët e kryeqytetit. Në Barcelonë, bashkia tha se 12,000 njerëz morën pjesë në protestë, ndërsa organizatorët pretenduan se ishin mbi 100,000 protestues.

Demonstrimi masiv i ankthit social që është një shqetësim i madh për qeverinë e majtë të Spanjës dhe bashkitë u organizua nga aktivistët e strehimit dhe u mbështet nga sindikatat kryesore të punës në Spanjë.

Kriza e strehimit është rënduar në Spanjë, ku ka një traditë të fortë të pronësisë së shtëpive dhe banesave (kjo traditë është akoma më e fortë në Shqipëri). Çmimet për qiratë dhe banesat janë nxitur nga rritja e kërkesës. Blerja e një shtëpie është bërë e papërballueshme për shumë njerëz, me presionet e tregut dhe spekulimet që i kanë rritur ndjeshëm çmimet gjatë viteve të fundit, veçanërisht në qytetet e mëdha dhe zonat bregdetare.

Një brez të rinjsh thonë se duhet të qëndrojnë me prindërit e tyre ose të kursejnë shumë që të mund të ndajnë me të tjerët një apartament, me shumë pak mundësi për të blerë një shtëpi në të ardhmen. Kostot e larta të strehimit nënkuptojnë se edhe ata me punë tradicionalisht të paguara mirë po hasin vështirësi të mëdha për të përballuar jetesën.

Qiraja mesatare në Spanjë thuajse është dyfishuar në 10 vitet e fundit. Rritja më e madhe është shënuar në metropole si në Madrid dhe Barcelonë. Të ardhurat nga ana tjetër kanë dështuar të rriten pavarësisht nga bumi ekonomik i fundit i Spanjës. Veçanërisht mungesën e të ardhurave po e vuajnë të rinjtë.
Spanja nuk ka banesa publike në të cilat vendet e tjera evropiane kanë investuar më herët për të ndihmuar qiramarrësit që vihen në vështirësi veçanërisht kur tregjet “çmenden” dhe i i rrisin çmimet nën ndiikimin e një kërkese të lartë.

Spanja është afër fundit të vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Banesat e saj publike me qira janë nën 2% të të gjithë banesave në dispozicion. Mesatarja e OECD-së është 7%. Në Francë është 14%, në Britani 16% dhe në Holandë 34%.

Qiramarrësit e zemëruar nuk po i gëzohen bumit turistik, përkundrazi, po vuajnë prej tij. Ata tregojnë për raste të invesitorëve ndërkombëtarë që blejnë prona, shpesh me synimin për t'i dhënë me qira turistëve të huaj. Çështja është bërë aq e ngarkuar politikisht sa qeveria e qytetit të Barcelonës u zotua vitin e kaluar të heqë gradualisht 10,000 lejet e saj për qiratë afatshkurtra, me qëllim rritjen e ofertës dhe uljen e çmimit në treg.

Iniciativa më e madhe e qeverisë spanjolle për frenimin e kostos së banesave është një mekanizëm i kufirit të qirasë që ajo u ka ofruar autoriteteve rajonale, bazuar në një indeks çmimesh të vendosur nga ministria e strehimit. Qeveria thotë se masa çoi disi në uljen e çmimit të qirave në Barcelonë, një nga zonat e pakta që është aplikuar.

Por masat e qeverisë nuk janë parë të mjaftueshme për të ndaluar protestat gjatë dy viteve të fundit. Ekspertët nuk presin që situata të përmirësohet në një kohë të shpejtë. Sepse vetë problemi është lejuar të trashet, pa marrë zgjidhje, në një dekadë. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH