Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 23 miliardë dollarë GDP për vitin 2023 sipas BB, rënia e popullsisë e bën “më të pasur” Shqipërinë

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: 23 miliardë dollarë GDP për vitin 2023 sipas

Aranit Muraçi

Në vitin 2023 Shqipëria vlerësohet të ketë arritur në një GDP prej 23.5 miliardë dollarësh, sipas të dhënave të përditësuara të Bankës Botërore. Vendi tjetër Europian që është marrë në analizë është Estonia, me një popullsi prej 1.3 milion banorësh. GDP e Estonisë vlerësohet në 41 miliard dollarë për vitin 2023. Mali, një vend afrikan me një popullsi prej 23 milionë banorësh, ka një GDP prej 20.6 miliardë dollarësh.   

Të ardhurat për frymë për shqiptarët vlerësohen të kenë shkuar sipas analizës së Bankës Botërore në 8.5 mijë dollarë, ndërkohë që për bazë është marrë popullsia para Censit 2023. Kjo do të thotë se me një popullsi më të reduktuar prej 400 mijë banorësh, teorikisht shqiptarët janë bërë më të pasur, ndërkohë që praktikisht në xhepat e tyre nuk ka ndryshuar asgjë veç kapricios së mesatares së statistikave. Të ardhurat për frymë për estonezët vlerësohen në 30,133 dollarë për vitin 2023, 5,838 për Mongolinë dhe vetëm 869 dollarë për banorët e Malit.  

Ndërsa rritja ekonomike, të cilës i referohen shpesh politikanët e vendeve të varfra nuk është tregues i mirëfilltë për një performancë të mirë, për arsyen se mundësitë në këto vende janë shumë më të mëdha. Kështu nëse mesatarja e rritjes ekonomike në Botë vlerësohet në 2.8 për qind për vitin 2023, në Shqipëri një e tillë është llogaritur në 3.9.  Mali (4.7), Mongolia (7.4) dhe Zimbabve (5.3) kanë një përqindje më të lartë të rritjes ekonomike, ndryshe nga Estonia që është një vend shumë më i zhvilluar por ka rënie (-3.0), për faktin se e ka pasur më të vështirë pas pandemisë të ndjekë rritjen ose të performojë me ritmet e viteve të kaluara.  

Nga ana tjetër, popullsia e botës është rritur me 0.9 për qind për vitin 2023. Sipas Bankës Botërore në Shqipëri popullsia ka pësuar rënie me (-1.1), bazuar më të dhënat e fundit. Vendi ynë është vendi i vetëm që ka rënie të popullsisë, krahasuar me vendet e tjera të marrë në analizë. Mali (3.0), Mongolia (1.4), Estonia (1.6), Zimbabve (1.7) .

Plakja e popullsisë dhe rënia e lindshmërisë është një fenomen edhe më i përhapur në kontinent. Emigracioni duket se ka ndikuar në rënien e popullsisë në vendin tonë, njësoj ose edhe më keq se vendet afrikane. Ndryshe nga Estonia që ka një bilanc pozitiv, pra më shumë të ardhur sesa të larguar  (5717) për vitin 2022, Shqipëria ka një deficit prej (-25.357). Vendet afrikane si Zimbabve (-97.370) dhe Mali (-39.953) edhe pse me një tregues më negativ, kanë një popullsi disa herë më të lartë se ajo e Shqipërisë.

Nga vendet e marra në analizë sipas Bankës Botërore, por me të dhënat e fundit të vitit 2021, borxhi i qeverisë qendrore, në total (si % e PBB-së) është 81.9 për qind për Shqipërinë. Ndërsa si krahasim me dy vendet e tjera të marra në analizën e fundit, për Mongolinë është 67.6 për qind dhe për Estoninë 24.9 për qind e PBB-së.  

Shqipëria ka një tregues më të mirë të individëve që përdorin internetin (% e popullsisë) në krahasim me mesataren globale që është 67 për vitin 2023. 83 për qind e shqiptarëve përdorin internetin nga 33 për qind e qytetarëve në Zimbabve, 33 në Mali, 84 në Mongoli dhe 93 për qind në Estoni.

/Liberale.al/ 

SHIFRA E DITËS: 23 miliardë dollarë GDP për vitin 2023 sipas

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH