Aeroporti i Rinasit ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët që kanë planifikuar udhëtime më 16 maj, ditën kur në Tiranë do të mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian.
Për shkak të masave të rrepta të sigurisë dhe pranisë së liderëve të BE-së, një numër i madh rrugësh në kryeqytet do të jenë të bllokuara, përfshirë edhe autostradën Tiranë–Durrës.
Në njoftimin e TIA thuhet se:
“Aksesi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të sigurohet përmes rrugëve dytësore të autostradës Tiranë, Qafë Kashar, Rinas dhe përmes Unazës Veriore. Po ashtu, mbeten të aksesueshme akset: Paskuqan, Institut, Kamëz, Domje, Laknas, Rinas dhe Paskuqan, Institut, Kamëz, Valias, Rinas.”