Kryeministri Edi Rama ka ndarë me publikun konkluzionet pas takimit maratonë me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, mbi rrugën e bërë dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Rama tha se në këtë mbledhje që ka zhvilluar sot me këtë sektor, ka mbetur shumë i kënaqur dhe është prezantuar me projekte të mrekullueshme dhe inovatore që do të ndihmojmë në çuarjen përpara vendin.
“Në radhë të parë dua të them që realisht sot ka pasur shumë brumë në tryezë dhe që nëse do të arrijmë të vendosim piketat që kemi diskutuar dhe bashkarish të ndjekim një hartë veprimesh, do të arrijmë të krijojmë më të mirën duke u bazuar te kapaciteti i progresit eksponencial që na ka sjellë bota e teknologjisë për ta çuar vendin në një nivel krejt tjetër”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Sa i përket dixhitalizimit, Rama kishte kritika për bankat dhe sektorin privat, duke shtuar se kjo po pengon rrugën e këtij sektori. Rama u shpreh se do të angazhohet nga afër bashkë me stafet përkatëse për të parë mundësinë e krijimit për herë të parë të një muzeu plotësisht me inteligjencë artificiale.
“Te bankat që janë në kushtet e një prapambetje të pajustifikuar digjitale që po vonon ecurinë e sektorit, të gjitha instrumentet nga ana e sektorit janë në dispozicion duke penguar ndërveprimet që lidhen me transaksionet financiare. E rëndësishme po ashtu që në Tiranë në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore një inovacion që vjen nga një startup shqiptarësh dhe nëse është ashtu siç me duket mua nga sa pashë, do të ndryshojë shumë mënyrën si funksionon gjithë sektori dhe studiot arkitekturës botërisht.