Kryeministri Edi Rama është rikthyer në selinë e Partisë Socialiste të martën paradite.
Në hyrje të selisë është takuar përzemërsisht nga një grua e moshuar e cila e ka uruar për suksesin në zgjedhjet e 11 majit.
I pyetur nga gazetarët për një koment për rezultatin, Rama është përgjigjur i buzëqeshur: “Të mbarojnë një herë zgjedhjet, pastaj”.
Në pritje të shpalljes së fitores, nuk parashikohen ndonjë miting madhështor me mbështetësit e PS siç ndodhi pas fitores në të 2021 në Sheshin Skënderbej.
Burime nga PS pohojnë se do të ketë një mesazh falënderues prej Ramës në adresë të shqiptarëve për votëbesimin e dhënë kësaj force politike e besuar një mandat të katërt qeverisës.
Nuk dihet ende nëse Rama do të dalë përpara medias nga selia e PS për të lexuar fjalën falënderuese apo do të jetë një mesazh video i regjistruar.
Për fitoren e 11 Majit, kryeministri Edi Rama ka dhënë një prononcim të parë për gazetën “Corriere della Sera ku ai ka deklaruar se fitorja e thellë erdhi falë këmbënguljes së tij dhe organizimit të PS-së në çdo cep të vendit.
Fitojmë ka deklaruar Rama sepse shqiptarët besojnë në rrugën që po ndjekim.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka siguruar mandatin e katërt, me një rezultat historik, pasi projeksioni i deritanishëm i jep plot 82 mandate.
Partia Demokratike parashikohet të marrë 52 mandate, Partia Social Demokrate 3 mandate, ndërsa nga 1 mandat duket se do të marrin edhe Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Koalicioni Shqipëria Bëhet.