“Retorika nacionaliste dhe përçarëse në Bosnje-Hercegovinë rrezikon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Shqetësimin e ka shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën që zhvilloi me kryesuesin aktual të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç.
Stoltenberg theksoi se NATO mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.
“NATO mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës. Jemi thellësisht të shqetësuar me retorikën ndarëse dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë. NATO mbështet reformat në fushën e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në këtë drejtim, përfshirë edhe në modernizimin e forcave të armatosura”, tha Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO.
Ndonëse Stoltenberg nuk përmendi emra, deklarata e tij duket se u bë në referencë për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh bën paralajmërime për shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.