Aktualitet

KPA pezullon prokuroren Elona Alvora, rikthehet në Shkollën e Magjistraturës për trajnim

Shkruar nga Liberale.al

KPA pezullon prokuroren Elona Alvora, rikthehet në Shkollën e

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur sot pezullimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Elona Alvora, për një periudhë njëvjeçare. Ky vendim rrëzon atë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili e kishte konfirmuar në detyrë më 7 qershor 2022.

Në vendimin e KPA, thuhet se prokurorja Elon Alviora pezullohet nga detyra për 1 vit dhe detyrohet që të rikthehet në Shkollën e Magjistraturës për të ndjekur programin e trajnimit sipas kurrikulave.

Në vendimin e marrë ditën e sotme nga trupa me kryesuese Ina Ramën, u evidentua se prokurorja Alvora ka mangësi të cilat mund t’i përfitojë duke ndjekur programet trajnuese në Shkollën e Magjistraturës.
Elona Alvora është aktualisht prokurore në Prokurorinë e Tiranës.

Vendimi për konfirmimin e saj në detyrë ishte apeluar nga Komisioneri Publik në vitin 2022.

Komisioneri Publik konstatoi në atë kohë se procesi i hetimit i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka qenë i plotë, e për rrjedhojë nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit është në kushtet për konfirmim në detyrë.

Komisioneri Publik kërkoi hetim të mëtejshëm për aftësitë profesionale të prokurores Alvora, pasi thotë se përfundimet e KPK për këtë kriter kontrolli nuk gjejnë mbështetje të plotë në aktet dhe provat e administruara.

Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 39/2022, datë 07.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenet 44, germa “b” dhe 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që i përket subjektit të rivlerësimit Elona Alvora.

Pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Elona Alvora për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Ky vendim ka efekt të menjëhershëm.

U shpall në Tiranë, sot, më datë 16.07.2025.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH