Nëna e Ajola Xoxës, Valbona Xoxa, u paraqit paraditen e kësaj të mërkure në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas burimeve, bëhet me dije se Valbona Xoxa, vjehrra e kryebashkiakut Erion Veliaj, u pyet si person në dijeni për momentet në të cilat përmendet emri i saj në dosjen e SPAK.
Mësohet se ajo ka dëshmuar për origjinën e vilës në Qerret, si dhe për transaksionet e kryera me kompaninë “Ava Studio”, ku administratore ishte vetë Valbona Xoxa.
Njëherazi, kjo e fundit në dosje rezulton se ka përdorur kartën e saj bankare edhe për blerjet online të së bijës, Ajola Xoxa.
Bashkëshortja e Erion Veliajt dyshohet se ka kryer korrupsion në bashkëpunim 9 herë, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndërkohë, gjyqtarja Ilirjana Olldashi është tërhequr përkohësisht nga vendimi për sekuestrimin e sendeve të Ajola Xoxës, duke paraqitur një raport të paaftësisë në punë.