Sokol Kryeziu, një nga biznesmenët e dosjes “Veliaj” është njohur sot me masën e sigurisë detyrim paraqitje nga GJKKO. Kryeziu është paraqitur këtë të premte para GJKKO-së për herë të parë, pasi mësohet se ndodhej jashtë vendit kur SPAK ekzekutoi masat e sigurisë për të dyshuarit e dosjes.
Sipas vendimit të marrë nga trupa me kryesues gjyqtarin Erjon Bani, Kryeziu duhet të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji në orën 14.45.
NJOFTIMI:
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 26.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Sokol Kryeziu me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 24, datë 28.02.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Sokol Kryeziu, me vendimin Nr.7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë
ndryshim:
2. Urdhërohet personi nën hetim Sokol Kryeziu, që të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji në orën 14.45
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.