Në Shqipëri, Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e ish presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin e tij me burg dhe masën “detyrim paraqitje” ndaj deputetes Monika Kryemadhi.
Zoti Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar, nën dyshimet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Hetimet ndaj tij përfshijnë disa çështje, që nga kontrata CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike, te një kontratë lobimi të LSI-së me një kompani në Shtetet e Bashkuara, dyshimet për favorizimin e një kompanie vendase në fushën e telefonisë celulare, apo dhe të një sipërmarrësi shqiptaro-amerikan, për një marrëveshje interkoneksioni në fushën e telekomunikacionit, dyshime për blerjen me para të pajustifikuara nga burime të ligjshme të një apartamenti në Tiranë si dhe mosdeklarim të shpenzimeve mjekësore.
Në një audio mesazh të shpërndarë pas vendimit të Gjykatës, zoti Meta reagoi duke e konsideruar atë një “pengesë fiktive” për të ecur me shpejt drejt Gjykatës të së drejtave të Njeriut në Strasburg. Ai ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme se ka vepruar nën urdhërat e kreministrit Edi Rama për të goditur opozitën dhe Partinë e Lirisë, së drejtuar prej tij, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Në audio mesazhin e tij, i bëhet thirrje shqiptarëve që të votojnë më 11 maj për të “rrëzuar rregjimin e narkoshtetit”.
Gjykata e Posaçme dënon Kaprin, ish kryebashkiakun e Pogradecit
Gjykata e Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dënoi sot me 1 vit e 6 muaj burgim ish kryebashkiakun demokrat të Pogradecit, Eduard Kapri, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij reduktohet në 1 vit burgim, i cili u konvertua në 2 vjet shërbim prove. Zotit Kapri i ndalohet gjithashtu të ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Nën të njejtën akuzë dhe me një dënim prej 1 viti burgim, të konvertuar në 1 vit e 4 muaj shërbim prove u dënuan dhe dy ish zyrtarë të Bashkisë së Pogradecit, Besjan Meço, ish jurist dhe Besmira Niko, ish specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të territorit.
Që të tre i lidh leja e dhënë për vijimin e punimeve të një pallati në qytetin e Pogradecit, i cili kishte nisur në vitin 2009 nga kompania “Gedi”, në zotërim të vëllait të zotit Kapri, ku ky i fundit kishte qenë administrator. Punimet ishin pezulluar në vitin 2014 nga Bashkia, për shkak të shkeljes së afateve. Por me zgjedhjen e tij si kryebashkiak në vitin 2015, zoti Kapri ndonëse “në konflikt të hapur interesi”, sipas prokurorisë, dhe ndërsa çështja ishte në Gjykatën Administrative të Apelit, lejoi, një vit më pas, vijimin e punimeve të cilat rezultuan dhe me dy kate shtesë, përtej lejes fillestare.
Sipas Prokurorisë së Posaçme “ky ndërtim u lejua në kundërshtim me ligjin “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, me Kodin e Procedurës Administrative, dhe në shkelje të një vendimi të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate”.
Avokati i tij në mënyrë të përsëritur e ka konsideruar të paarsyeshme mbajtjen e zotit Meta në burgim, përsa kohë nuk ka asnjë rrezik për prishjen e provave, të cilat sipas tij janë mbledhur tashmë nga prokuroria.