Shkrimtarja dhe deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka reaguar në ditën e parë të vitit akademik 2022-23, përmes një statusi në Facebook, ku thotë se “Universitetin nuk e bëjnë vetëm godinat, por ato i japin seriozitetin e duhur.”
“Edhe pse publikohen gjithfarë arritjesh, sa kohë që lënda e Gjuhës Shqipe nuk është e detyruar në çfarëdo cikli e viti, do të vijë një ditë që në auditore nuk do të flitet më shqip”, ngre shqetësimin deputetja.
Reagimi i plotë i Flutura Açkës
Universitetin nuk e bëjnë vetëm godinat, por ato i japin seriozitetin e duhur. Pas mureve të ndërtesave hijerënda, gëlon paprerë një jetë suksesesh dhe dështimesh, që në më të shumtën varet nga individi.
Por njëherësh, aq sa mund të ndikojë edhe fatet, varet edhe nga shoqëria, nga kujdesi i saj përmes të zgjedhurve. Të atyre që qeverisin.
Shqipëria po tregon rastin me kujdesin më të shkujdesshëm ndaj Arsimit të Lartë, dhe në vitet e fundit ne kemi humbur disa beteja të mëdha për të siguruar qoftë një normalitet të pranueshëm në universitetet tona.
Edhe pse publikohen gjithfarë arritjesh, sa kohë që lënda e Gjuhës Shqipe nuk është e detyruar në çfarëdo cikli e viti, do të vijë një ditë që në auditore nuk do të flitet më shqip.
Por për këtë do të flasim një ditë tjetër.
Një urim mbarësie për studentë shqiptarë kudo që të jenë duke studiuar, veçmas ata të viteve të para, si edhe stafit akademik shqiptar.
Në emër të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të mira!