Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Sa do ta ndihmojë mbijetesën e 43% të shqiptarëve rritja e pagave

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Sa do ta ndihmojë mbijetesën e 43% të

 Aranit Muraçi

“Loja” e pagës minimale duket më tepër si ‘detyrë shtëpie’, për ta paraqitur pagën minimale si të pranueshme për institucionet ndërkombëtare (kryesisht për BE-në) sesa një plan ekonomik i mirë-menduar. Nga 1 prilli 2023, paga minimale në Shqipëri u rrit nga 34.000 lekë në 40.000 lekë (afërsisht nga 295 euro në 350 euro). Vendimi i qeverisë erdhi si reagim për të qetësuar vështirësitë e shumë familjeve në nevojë, për shkak të inflacionit të lartë. Rritja e pagës minimale është vendimi i fundit i miratuar nga qeveria, i cili shënon rritjen e tretë brenda një viti. Kjo rritje prej 17.6% është më e larta në një periudhë të shkurtër gjatë tranzicionit. Fillimisht paga minimale është rritur në shtator të vitit 2022, në nivelin +30 Euro. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), deri në tremujorin e tretë të vitit 2022, 16% e punonjësve në vend paguheshin me pagë minimale (afro 295 euro) dhe 27% të tjerë e kanë pagën afro 350 euro. Kështu, 43% e shqiptarëve mezi mbijetojnë me të ardhura mujore nga puna e tyre. Rritja nënkupton që çdo punëdhënës, jo vetëm sektori publik, do të jetë i detyruar të zbatojë pagën minimale nga 1 prilli. Ministrja e Financave tha se rritja nuk ka të bëjë me zgjedhjet lokale të 14 majit. Ajo shtoi se shteti do të subvencionojë bizneset si bujqësia, pylltaria dhe peshkimi për mbulimin e sigurimeve shëndetësore deri në fund të këtij viti. Gjithashtu rritje page prej 7 për qind do të përfitojnë edhe një sërë kategorish si mësuesit, mjekët, ushtarakët etj. Megjithatë, sa e mundshme është rritja reale e pagave në kohë krize? Pagat fare mirë mund të ishin rritur në një kohë tjetër, gradualisht, kur dihet që për të prodhuar ekonomia kishte mundësi më tepër kur kishte fuqi punëtore, dhe si rrjedhojë më tepër pritej të kishte produktivitet, sepse vetëm fitimi mbi produktivitetin është rritje reale e pagave në çdo vend.

Shqipëria edhe pse së fundmi e ka rritur ndjeshëm pagën minimale dhe premton se brenda dy viteve do të rrisë pagën mesatare, aktualisht renditet ndër vendet me pagat më të ulëta në rajon. Vendet e tjera kanë një nivel më të lartë se Shqipëria, prandaj kjo politikë bëhet për dy qëllime, e para, për të angazhuar forcë shtesë në tregun e punës dhe së dyti punonjësit me pagë minimale mund të përballojnë më mirë rritjen e çmimeve për shkak të inflacionit. Për më tepër, është gjithashtu një detyrim për rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian (BE); paga minimale duhet të jetë në nivelin 60% të pagës mesatare.

Por bizneset veçanërisht fabrikat e fasonerisë kanë një numër shumë të lartë punonjësish që dominohen nga punët me pagë minimale. Kjo do të ndikojë më së shumti në kostot totale të prodhimit. Në realitetin shqiptar të vitit 2023, as punëtorët nuk mund të përballojnë vetëm kostot e inflacionit, por as kompanitë nuk mund t'i përballojnë ato. Për ta, menaxhimi i kostos do të mundësonte përdorimin më efektiv të burimeve të disponueshme, materialeve dhe makinerive. Mbajtja e këtyre elementeve të kostove të biznesit brenda kufijve të parashikueshëm do të ndihmonte në përgatitjen e planeve të zhvillimit dhe zgjerimit si dhe zbatimit të tyre me sukses. Megjithatë, tregu shqiptar ka një dinamizëm të dobët ekonomik, gjë që vërehet në jetëgjatësinë mesatare të ulët të bizneseve. Janë të shumta bizneset që aktualisht mezi arrijnë të mbijetojnë në treg.

Disa studime tregojnë se qeveritë nuk mund të ndërhyjnë në transaksionet vullnetare midis një punonjësi dhe një punëdhënësi, pasi paga minimale dëmton më shumë sesa sjell përfitime. Kostoja e çdo ligji të imponuar paguhet gjithmonë nga pala më e dobët në transaksion. Paga minimale është po ashtu edhe një pengesë për punësimin e atyre me pak ose aspak përvojë ose pa aftësi pune, çka do të thotë se rritja e pastudiuar do të ndikojë në përkeqësimin e shifrave të punësimit. Nëse paga minimale është mbi vlerën që krijon një person, ajo nuk do të ketë asnjë nxitje që kompania të punësojë më tej punonjës të rinj. Për më tepër, rritja e kostos së punës e bën punësimin më të shtrenjtë. Kështu, sa më e lartë të jetë paga (përgjithësisht në punët që kërkojnë trajnim specifik), aq më e lartë është kostoja e punonjësit dhe aq më e ulët është mundësia që njerëzit më pak me përvojë të fillojnë karrierën.

Rritja e pagës minimale mund të shkaktojë gjithashtu një spirale ose një rreth vicioz në rritjen e inflacionit. Logjikisht, rritja e pagesës për punonjësit do të rëndojë bizneset, sepse rritet kostoja e prodhimit dhe prej saj shkaktohet rritje e çmimeve përfundimtare të produkteve kur dalin në treg, e për pasojë rritet inflacioni.

Gjithashtu menaxhimi i krizës së kostos së jetesës do të nënkuptonte ofrimin e një alternative ndaj modelit tonë ekzistues ekonomik – një model që fuqizon kompanitë e papërgjegjshme për të përfituar nga mjerimi i konsumatorëve. Për të demokratizuar ekonominë, duhen demokratizuar edhe vendet e punës. Megjithatë, si mund të arrihet kjo në një vend ekonomia e të cilit është mbi 40 për qind në informalitet?

Shumica e ekonomistëve pajtohen se rritja e pagës minimale nuk është mënyra për të dalë nga kriza, veçanërisht në vendet në zhvillim. Në realitetin shqiptar, veçanërisht në sektorin privat, qytetarët janë të vetëdijshëm për faktin se rritja e vlerës së pagës minimale nuk do të rrisë mirëqenien e tyre. Ajo rrezikon të shtojë interesin për të gjetur një punë në sektorin publik dhe varësinë e mëtejshme të qytetarëve nga politika.

Para së gjithash, dihet gjerësisht se nëse do të ketë rritje të taksave, në këtë rast, shuma totale që punëdhënësi do të duhet të paguajë për punonjësin në sigurimet shoqërore, nuk do të dalë nga kompania, por do të paguhet në një farë mënyre nga punëtori. Është një praktikë e zakonshme për shumë kompani që të deklarojnë disa punonjës si punëtorë me kohë të pjesshme me qëllim për të shmangur shpenzimet shtesë, ndërsa në realitet ata punojnë me kohë të plotë. Pastaj, ka një trend tjetër ku punonjësit deklarohen me pagë minimale (40 orë në javë), por realisht punojnë 50 deri në 60 orë në javë. Edhe për ata punonjës që fitojnë më shumë se paga minimale (ndonjëherë dyfish), paga e tyre deklarohet minimale, ndërsa pjesa tjetër paguhet në dorë, duke u klasifikuar si informale. Prandaj, ka shumë mënyra që kompanitë të shmangin më shumë shpenzime për punonjësit e tyre dhe ky fakt është aq i zakonshëm sa që në tregun e punës, ndonëse ligji nuk e përmban, merret si realitet i pranueshëm. Pra, kjo rritje e diktuar nga qeveria përfundimisht do të dëmtojë xhepat e punonjësve të thjeshtë që jetojnë me pagë minimale.

Të goditura nga inflacioni i lartë pagat po rriten kudo në botë, por si dallim vendet e tjera kanë institucionet më të besueshme dhe më profesionale si për të përcaktuar nivelin real të rritjes së pagave, ashtu edhe për zbatimin e kodit të punës.

Pagat minimale në Greqi nga 1 prilli 2023 do të rritet për punëtorët nga 31,85 euro në 34,84 euro në ditë ose nga 713,00 euro në 780,00 euro në muaj. Vendosja e një page minimale mund të jetë e nevojshme për shkak të faktit se ndihmon njerëzit të të mund të përballojnë shpenzimet për sa kohë që punojnë edhe pse shpesh ka shumë kundërshtime kundër vetë nocionit të pagës minimale. Prandaj nuk ka një “rregullore magjike”.  Pagat minimale në mbarë botën ndryshojnë nga njëri vend në një tjetër. Ndër vendet me pagën minimale më të lartë është Australia, ku punëtorët mund të fitojnë jo më pak se 2,000 dollarë në muaj. Paga minimale prej 2,022 dollarësh e Australisë është pak më e ulët se paga prej 2,140 dollarë në Luksemburg. Por Luksemburgu ka një popullsi shumë më të vogël, gjë që e bën më të lehtë mbajtjen e qëndrueshme të nivelit të pagave. Nga kriza e çmimeve, respektivisht Australia dhe Luksemburgu kanë rritur gjithashtu pagat e tyre minimale me 4.7% dhe 9.2% .

Megjithatë, ka vende të tjera ku paga minimale mund të mos jetë aq e lartë, por është rritur në mënyrë dramatike gjatë vitit të kaluar, ose gjatë viteve të fundit. Qiproja kryeson listën me një rritje të jashtëzakonshme prej 104.5%. Argjentina vjen në vendin e dytë me rritje rreth 100%. Kjo do të thotë se pagat minimale në të dyja këto vende janë dyfishuar. Turqia zë vendin e tretë me një rritje prej 32.5%, duke e çuar pagën e saj minimale në rreth 457 dollarë. Megjithatë, monedha turke, Lira, ka rënë me 40% në vlerë, ndaj ky rregullim shërben vetëm për afrimin e pagës minimale me nivelet e mëparshme. Në SHBA, paga minimale mund të ndryshojë nga shteti në shtet. Kalifornia ofron pagën minimale më të lartë prej rreth 15,5 dollarë në orë, ndërsa shumë shtete të tjera zgjedhin pagën minimale prej vetëm 7,25 dollarë në orë. Kjo e bën SHBA-në një nga performuesit më të dobët për sa i përket pagës minimale. Rregulli “i artë” i pagës minimale, e thënë ndryshe, nuk varet nga vullneti i ndonjë qeverie. Respektimi i rregullave të lojës në tregun e punës, ligjeve, kodit të punës, nxitjes së konkurencës, i krijimit të mundësive, dhe i vlerësimit të aftësive është detyrë parësore e qeverive që angazhohen në zhvillimin ekonomik.

/Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH