Aranit Muraçi
Shqipëria duket se ka zgjedhur që të gjitha “mrekullitë” ekonomike t’i zgjidhë në kohe krize.
E ndërsa paga mesatare është premtuar të shkojë në vitin 2024 në 900 euro, në vlerë nominale paralelisht po rriten edhe pensionet. Sipas planifikimit të qeverisë nga 1 tetori pensionet do të rriten me 8.6 për qind, për të gjithë kategoritë. Në fakt, për pensionet terminologjia e përdorur “indeksim”, ndryshe nga pagat, do të thotë se qeveria ka planifikuar të kompensojë koston e rritur të jetesës së pensionistëve nga rritja e çmimeve.
Por në vlerë reale, a do të rriten pensionet?
Pyetja normale që duhet të shtrohet është: A është i mjaftueshëm indeksimi për të kompensuar aq sa duhet rritjen e çmimeve?
Sipas një llogarie të thjeshtë, një pensionisti që merrte 100 mijë lekë të vjetra deri dje, pensionit të tij do t’i shtohet me indeksimin e fundit shuma 8 mijë e 600 lekë. Për 200 mijë lekë të vjetra pensioni do të rritet me 17 e 200 lekë, e për 300 mijë lekë shtesa do të jetë 25 mijë e 800 lekë.
A është rritur kaq kostoja e jetesës për më shumë se 1 vit e gjysmë, që pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, kur edhe nisi kriza e çmimeve? Nuk ka një një vlerësim të kostos reale, por të dhënat të besueshme nga studime të institucioneve ndërkombëtare tregojnë se kostoja mesatare e jetesës në Shqipëri është rritur për çdo qytetar gjatë krizës së çmimeve nga 60 mijë në rrethe në 80 mijë lekë të vjetra, në Tiranë.
Indeksi i Çmimeve për muajin gusht, sipas vlerësimit të INSTAT
Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Gusht 2023 është 4,7 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 8,2 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,3 %, “Argëtim dhe kulturë” me 6,1 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,6 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0 %, “Shërbimi arsimor” me 2,6 %, “Shëndeti” me 1,9 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Komunikimi” me 1,0 % secili.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 5,6 %.
Në muajin Gusht, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,4 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti me 1,5 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,5 % secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,4 % secili, “Shëndeti” me 0,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili, “Komunikimi” me 0,1 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,1 % secili.
Sa e vërtetë është se çmimet po bien dhe po rriten pensionet e pagat
Nga të dhënat e fundit krijohet përshtypja sikur pagat dhe pensionet po rriten, ndërsa nga ana tjetër çmimet në treg po bien. Duket sikur Shqipëria ndodhet nga suksesi i rënies së çmimeve mes Norvegjisë dhe Suedisë (siç edhe tregon tabela). Në fakt, ndodh e kundërta: gjatë vitit të fundit në tregun e lirë janë rritur çmimet. Edhe pse inflacioni ka rënë në muajin gusht sipas INSTAT, çmimet e shportës së ushqimeve janë ato të cilat e mbajnë ende të lartë inflacionin, krahasuar me dy vite më parë. Që do të thotë se shpenzimet bazë të një muaji për qytetarët vazhdojnë të gërryejnë xhepat e shumicës dërrmuese prej tyre, veçanërisht të atyre me të ardhura më të ulëta.
Rritja e çmimeve ka rritur koston e jetesës kudo në botë, por, me qëllim që të mos goditet fuqia blerëse janë duke ndërhyrë qeveritë të cilat me instrumentet e tyre po tentojnë të normalizojnë tregun, duke rritur pagat dhe të ardhurat për shtresat më të prekura nga kriza e çmimeve.
Në vendin tonë në mungesë të një analize të tregut të punës dhe produktivitetit ka ndodhur ose vazhdon të ndodhë e kundërta. Rritja e pagave nisi nga Presidenti, anëtarët e qeverisë, deputetët, dhe buxhetorët, të cilët trajtohen me pagat më të larta. Ndërsa për pensionistët, më shumë se një vit pas krizës kjo është ndërhyrja e parë dhe flitet për një indeksim, nga i cili me siguri shumica e pensionistëve do të mbeten të paplotësuar.
Në mungesë të matjes dhe analizës së produktivitetit, rritja e pagave pa asnjë studim tregu shkon përgjithësisht për disa njerëz, sipas preferencave të caktuara politike, që në disa raste nuk meritojnë ndoshta as trajtimin me pagë. Për sa kohë do të mungojë analiza e produktivitetit dhe e performancës në tregun e punës, pagat, pensionet dhe të ardhurat reale nuk do të jenë asnjëherë reale për ata që e meritojnë rritjen dhe do të jenë të mbi vlerësuara për kategoritë të tjera të veçanta, të privilegjuara, ose të lidhura me politikën, ose nga favorizimet që krijon pushteti i pamerituar. Kështu ndodh me ato vende që i prezantojnë “mrekullitë ekonomike” në kohë krize. /Liberale.al/