Editorial

Rëndësia (historike) e të moderuarve për demokracinë

Shkruar nga Liberale
Rëndësia (historike) e të moderuarve për demokracinë

Nga Antonio Polito

Demokracia përfaqësuese ka nevojë për një të djathtë të përkorët, konservatore, kushtetuese. Për t’u mbrojtur nga sulmi I skajshmërisë populiste, demokracia ka nevojë për një forcë liberale të masës, që t’a mbështjellë e t’a ruajë, të themeluar mbi interesat e kulturën e borgjezisë. Në fund të fundit është kjo që na thotë kriza amerikane. Edhe aty ku ka lindur më shumë se dy shekuj më parë, demokracia në fakt i ka treguar gjithë botës në këto ditë, se është e “varur në një fije”, siç ka shkruar Le Monde.

Nuk duhen turma të mëdha për të marshuar mbi një pallat, thuhet se pesëqind vetë, t’armatosur mirë, do të kishin ndaluar Revolucionin e Tetorit, për të mos folur mbi ecjen drejt Romës.  Ajo që duhet është një zbrazëti pushteti dhe një bashkëpuntor në të. Por nëse e djathta liberale italiane në çastin vendimtar i dha një kalim fashizmit, ajo amerikane, megjithë oportunizmat dhe burracakërinë e klasës së saj drejtuese parlamentare, më së shumti ajo qëndroi.

Trump-in e kanë mundur zgjedhësit e përkorë, që kanë patur rolin e  gjilpërës së peshores, duke e bërë atë të anonte nga ana e qëndërsorit Biden në votimet presidenciale, e më pas nga ana e demokratëve në votimin e dytë në Xhorxhian republikane, sepse ishin të lodhur nga aventura. Politikani që i tha jo presidentit, në kërkimin e 11.789 votave që i mungonin, ka qënë republikani Brad Raffensperger, sekretari i Shtetit i Xhorxhias. E përditëshmja që, mbas fakteve të Capitol Hill ka shkruar “N’emër të Zotit, shporru” duke huajtur britmën e një deputeti anglez kundër kryeministrit të tij, Chamberlain, e cila i hapi rrugën qeverisë Churchill, ishte konservatorja Wall Street Journal.  Qe një gjeneral që nuk pranoi të rrjeshtojë trupat kundër turmave që protestonin kundër dhunave raciale të policisë, siç kërkonte Trump-i, e bashkë me të ministri i Mbrojtjes republikani Mark Esper, për të cilën më vonë u pushua nga presidenti.

Nëse të gjitha këto fije nuk do të kishin qëndruar nuk do të ishim këtu të lëshonim  psherëtimën e lehtësimit për rrezikun e shmangur. Në të djathtën amerikane ka mbetur e dobët por e gjallë, një traditë e kahut të Shtetit që secili mund t’a vlerësojë duke riparë në You Tube fjalën me të cilën John McCain, kandidati republikan i tetë viteve më parë, pranoi humbjen dhe pohoi admirimin e tij për fituesin Obama.

Është vendimtar, i çmueshëm, roli që e djathta konservatore  do të dijë të ketë në rindërtimin e Grand Old Party n’Amerikë, e që do të jetë e ftuar të zhvillojë edhe thirrjen për mënyra të mira n’Evropë, përballë një populizmi të damkosur nga humbjet politike por aspak të shtruar e ndoshta të gatshëm të gjejë linfë të re në dramaticitetin që ka arritur ndeshja (jam kurioz të di se çfarë mendojnë për ndalimin e Twitter 88 milionë ndjekësat e presidentit) Ka çështje konkrete, ekonomike e kulturore, që largojnë masa të “forgotten men” në Arizona si në Gjermaninë lindore apo në Veri të Anglisë nga demokracia dhe e bëjnë atë të duket gënjeshtare dhe zhgënjyese. Shtymjen dhe zemërimin e valës populiste nuk mund t’a shtrojnë vetëm me thirrje për mënyra të mira ose një bisedë social më pak të dhunshme, nëse forcat demokratike nuk do të jenë në gjëndje të ndryshojnë apo të përditësojnë ofertën e tyre politike.

Ka dy mënyra për të lexuar gjërësinë e habitëshme dhe agresivitetin e kësaj lëvizjeje globale të opinionit. E para është ajo e zgjedhur nga një pjesë e së majtës edhe në Itali, aq e mrekulluar nga çdo lëvizje sa që të përceptpojë edhe tek zotëria me brirë dhe kapelen e marmotës në kokë që ka mësyer Capitol Hillin fytyrën e një skamësi, të viktimës së pabarazisë, e që pra propozon një përgjigje shoqërore, të reformës së kapitalizmit. E dyta është kundërveprimi liberal që sheh në Shtetn e së drejtës, në mbrojtjen e institucioneve dhe në cilësinë e ndërmjetësimit politik ndërmjet interesave ledhin e regjimeve demokratike. Sepse ajo që në të vërtetë vlen në demokraci nuk është të dërgohet në pushtet njeriu më i mirë, ose më popullor, por të sigurohet një sistem që do t’i ndalojë atij të shpërdorojë pushtetin, sa herë ai të tundohet t’a bëjë.

Një e djathtë e këtij tipi na duhet edhe neve n’Itali. E lindur në 1994 për rreth Silvio Berluskonit, e jona ka vuajtur gjatë nga prejardhia e saj personalistike e karismatike e nga kundërshtia e interesave që, pashmangmërisht e vinte në tendosje me Shtetin e së drejtës. Por edhe se me çaste rreziqesh e tensioni të rëndë ndërmjet pushteteve (për shembull me gjyqësorin), ajo e djathtë ka përfaqësuar për njëzet vite njërin ndër dy polet e një demokracie të qëndrueshme, të një vendosjeje evropiane të sigurtë, e të një ternimi demokratik të shëndoshë. Tani që e djathta e përkorët është kandisur në një qiri, e mbyllur siç është në llogoren zgjedhore të Forza Italia-s, është qenësore që të mund të zëvëndësohet nga diçka e aftë të qëndrojë edhe përballë tundimeve për të kalëruar valën populiste. Kjo e djathtë është në Vend. Në zgjedhësit lombardë për shembull edhe se në një çast kur i mungon drejtimi. Në Veneto ku e ka drejtimin. Në krahinat e në qytetet e qeverisura nga përfaqësues të Legës e të Vëllezërve t’Italisë, ku politika e s’ardhmes së afërt detyron të lënë mënjanë paragjykimet ideologjike e të mendojnë për qenësoren. Por kemi parë edhe në ndodhinë zgjedhore amerikane se sa mundim bëjnë drejtuesit e saj të dallojnë e të luftojnë ballëhapur rreziqet autoritare që fshhihen mbas bisedës populiste.

Sa më shumë të arrijë të bindet ajo se elektorati i  moderuar nuk është gëlltitur në vrimën e zezë të krizës ekonomike, e që në çastin e duhur din të rrjeshtohet kundër aventurës dhe rebelimit, aq më tepër një e djathtë e re do të jetë siguri për vazhdimësinë demokratike të një sistemi që edhe te ne nuk mund të quhet i imunizuar nga infektimi trumpist.

“Corriere della Sera”, 9 janar 2021

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH