Kryeministri Edi Rama kërkoi publikisht nga Komiteti Teknik i Ekspertëve marrjen e disa masave të reja shtrënguese. Në daljen e tij të parë publike për këtë vit, kreu i ekzekutivit nuk kurseu mesazhet për situatën e krijuar në kampin opozitar.
“A duhet që Shqipëria ta vendosë certifikatën e gjelbër të vaksinimit si kusht për të hyrë në hapësira publike të myllura, apo tubime të mëdha, edhe pse sot të flasësh për tubime kemi tubime për brava, për çelësa, për komardare e kështu me radhë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi nga Komiteti Teknik i Ekspertëve masa shtrënguese për ditët në vijim: “Për momentin, kur nuk ka asnjë plan mbylljeje, disa masa nuk do të ishte e paudhë t’i prisje. Nuk mund të jemi vendi me lirinë më të madhe absolute dhe ndërkohë të ankohemi që po tentojnë të na vënë maskën, teksa varianti i ri përhapet gjithandej dhe spitalet mbushen. Disa masa do të ishte e arsyeshme të priteshin nga Komiteti Teknik i Ekspertëve”.