Aktualitet

Rakacolli: S'ka rikthim të karantinës, shtyhet hapja e transportit

Shkruar nga Liberale
Rakacolli: S'ka rikthim të karantinës, shtyhet hapja e

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, njëkohësisht kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se pavarësisht shifrave të larta të të infektuarve situata është nën kontroll dhe se nuk ka kthim pas me strategjinë e rihapjes.

Po ashtu, zv/ministrja ka thënë se do të shtyhet edhe për 1 javë tjetër hapja e shërbimit të transportit publik, i cili ishte parashikuar të hapej të hënën më 15 qershor.

"Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.

Gjithsesi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.

Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike.

Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut", tha Rakacolli.

Kujtojmë që Shoqata e Transporteve lajmëroi sot se nuk do të nisë punë të hënën, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për subvencionim nga shteti.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH