Letërsi

Portreti i një shkrimtari

Shkruar nga Liberale
Portreti i një shkrimtari

Maku Pone

Po të kishte patur pak më shumë zell e kurajo, e të mos kish ndeshur skenën në rrugën e tij, themi se fati do ta kishte pasuruar letërsinë shqipe me një poet tjetër në vazhdën e Poradecit, Kutelit, Jorgo Bllacit e Frederik Reshpjes...

 Letërsia e Pëllumb Kullës është një letërsi e klasit të parë. Në lëndinat e letërsisë së tij i gjen të gjitha lulet: rrëfimin e pastër, figurshmërinë, krahasimet e goditura, lirizmin, të papriturat, paradokset, ironinë, abstragimin, një mori burimesh të kristaltë për të ushqyer imagjinatën e gjithçka, gjithçka që e bën letërsinë të pëlqyeshme. Në faqet me tekst të rralluar, siç i ka zakonisht faqet letërsia skenike, këtij autori do ti gjesh megjithatë, një dialog të ngjeshur, një ritëm të saktë dhe një strukturim të përsosur të pjesëve, të gjata apo të botuara. Veçon Kol Jakovën si mjeshtër të kompozimit dramaturgjik, por ne mund të themi se edhe ky vetëm jo pak i tillë në letërsinë e tij për skenën. Letërsia e madhe botërore na ka mësuar, që prurjet më të mëdha e më të çmuara në lëmin e saj janë karakteret.

Janë miliona e miliarda faqe në ditë që dalin nga shtypshkronjat, me po aq historira nga më aventurozet, romane policeskë, novela me tmerre e ankthe me lotë e psherëtima, histori të panumërta dashurish me funde të lumtur e pa funde fare, por nuk maten për nga vlerat me një figurë të vetme, si Antigona, Odhiseu, Elena e Trojës, Don Kishoti, Otelloja, Tartufi, Harpagoni, Tartarini, Shvejku, Ana Karenina, Idioti, Xhaxha Vanja, Tom Sojeri, Baj Cano e shumë të tjerë. Vihet re menjëherë tendenca e autorit për të shkruar i ngarkuar në rrugën e gjatë drejt atij lëmi të madh, duke kaluar nga lëmi ynë kombëtar ku para tij mjeshtrat të shquar kanë shpënë krijesat e tyre: Adhamudhin, Bajlozin, Malcorin, Jarien, Zylon, Plakën Nicë, Nihilistin...

Me drojën e mysafirit të ri në këtë lëmë ai kërkon vëmëndje tek shtyn të shfaqen ca figura interesante bashkëkohësish, Rushkën (“Shoku Niqifor”), atë njeriun në mes të dallgëve të prepotencës eprore; një Dule mjaft tërheqës , (Flokë dëbore në prill”), që përfaqëson regjimente Dulesh, të cilët vadisin bimët e rëndësisë së tyre brenda sistemit shoqëror; Lipen, “(Lipe Shtogu në listë”), atë oportunistin e vockël socialist, që u bë më i njohur se anëtarët e dikurshëm të Byrosë Politike; Zelihanë, (Telefoni i ri në shtëpi), koketën pacipë, që zdërhallet në dialogët e saj të dashurisë nëpër telefonat e gjitonëve; Selon, (A doni më për Belulin), që pranë shtatores së Belulit po ngre një shtatore më të madhe akoma, të tijën; Fatbardhën (Ujku i përrallës), vajzën që mezi pret të përballet me ujqërit; Asafin (Asaf Lala kërkon largimin), nëpunësin e vockël e korrekt që ka humbur nga vëmendja e përgjithshme dhe bën kërkesë largimi duke drithëruar tek përfytyron çastin kur shefat ti ulërijnë: “je në vete, si mund të të lëmë të na largohesh ti?!”...

Pastaj, pleqtë! Pleqtë e Kullës janë nga më origjinalët. Ata janë të ngrohtë e plot nerv, të rrahur nga vitet, fjalëmbël e hazërxhevapë, sikur të kishin jetuar në një rrugicë me Nastradinin. Si në skeçet ashtu edhe në pjesët e plota autori thotë më shumë sesa flet. Një figurshmëri paralele, një simbolikë e pandjerë, e padhunueshme për rrëfimin realist, shoqëron shumicën e veprës së tij. Nuk ka nevojë për ndonjë mprehtësi akademike të shohësh Shqipërinë e kohës tek “Ishulli i çmendur”, ku një dorë e egër, një spekulator demagog, sundon me zjarr e hekur e i mundon të gjithë duke mashtruar me idealin e kapërcimit të vështirësive, për ti mbijetuarve egërsisë së jetës në ishulli për të arritur një ditë në botën e madhe. Anijet do ti shpien atje, befas nisin e kalojnë para syve dhe të gjithë e kuptojnë, se tirani ka gënjyer, pasi zgjidhja e tij është të jetojë në këtë ishull. Në botën e madhe ai nuk guxon të shkel, ngaqë do të ndëshkohet për tërë gjakun që ka derdhur në emër të mbërritjes në atë botë. “E bukur shtëpi e vjetër”, nuk është veçse i bukuri atdheu ynë, me vlera shekullore, objekt studimi për shkencëtarë, e soditjeje për turistë. Por tani njeriu në krye të vendit, plaku i shtëpisë bën shurdhin, djali i shtëpisë rron e dëfren me djerën e motrave e gjithë anëtarëve të familjes, meqë flitet se po hapen dyert, gjallojnë dhe presin xhaxhanë e zakonshëm nga Amerika.

Alegorinë e has në një numër shumë të madh skeçesh dhe komedish. Alegorike është e tërë situata paralele e “ndërrimit të qiejve”, tek “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”. Dyzet e ca vjet më vonë nga c ç’tregon komedia, në prag të përmbysjes së komunizmit kur po fryeninin erërat e perstrojkës, në Shqipëri u pa një përgatitje masive valixhesh e gati-gati po quhej gjëmë të të thërrisnin atë çast për të të ngarkuar detyra ministrore. Kur autori nisi të shkruante komedinë , monumentet kishin nisur të lëkundeshin megjithë piedestale..Alegorike janë shtjellat edhe tek “Na e ngarkojnë, do ta bëjmë”, “Kontakte dhe izolatorë” dhe mrekullisht e gjetur është situata alegorike tek “Klientët e urtë në banak”, ku një banakier prepotent u ul gramaturën klientëve dhe ata nuk guxojnë të protestojnë se shohin se si rrihen ata që e bëjnë këtë gjë. Kështu arrin deri aty deri sa të trokasin e të urojnë njëri tjetrin me gotat bosh.

Edhe këtu, në libra, pra e shkëputur nga realizmi skenik, dramaturgjia e Pëllumb Kullës ruan po ato vlera. Të ngazëllen kur e lexon. Të mbush shtatin me mornica. Të deh me atë lirizëm të hollë e të pashoq. Ka monolog apo batuta të tëra, që gëlojnë nga poezia. Po të kishte patur pak më shumë zell e kurajo, e të mos kish ndeshur skenën në rrugën e tij, themi se fati do ta kishte pasuruar letërsinë shqipe me një poet tjetër në vazhdën e Poradecit, Kutelit, Jorgo Bllacit, e Frederik Reshpjes.../Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH