Aktualitet

Patenta 85 mijë lekë të reja! Sekretari i Shoqatës së Auto-shkollave: Kërkuam rritjen e tarifës, sepse jemi në vështirësi ekonomike

Shkruar nga Liberale
Patenta 85 mijë lekë të reja! Sekretari i Shoqatës së

DPSHTRR, nën drejtimin e Blendi Gonxhes, vendosi që tarifa e marrjes së patentës në vendin tonë të shkojë në 85 mijë lekë të reja. Vetë Gonxhe e motivoi këtë vendim me arsyetimin se tregu duhet të formalizohet dhe se kjo do të rrisë edhe sigurinë rrugore, duke qenë se shoferi sipas tij do të jetë më i përgatitur në timon, ngaqë krahas rritjes së çmimit do të shtohen disa orë në praktikë. Por ai nuk tha se kjo ishte një kërkesë prej kohësh e disa auto-shkollave, të cilët nga ana tjetër nxjerrin një arsye tjetër, "vështirësitë ekonomike".

Tonin Gjinaj, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës kombëtare të Auto-shkollave ka komentuar rritjen e çmimit të kursit të patentës.

Patenta më tej do të shkojë në 850 mijë lekë të vjetra  më shumë se dyfishi i tarifës që paguhej deri tani. Gjinaj u shpreh se ka qenë shoqata e auto-shkollave që ka kërkuar këtë rritje, duke thënë se edhe në rajon çmimi është i përafërt.

Sipas tij, ata kanë qenë në vështirësi ekonomike dhe se kanë pasur kohë që e kanë kërkuar dyfishimin e çmimit të patentës.

“Duke qenë vazhdimisht në vështirësi të madhe ekonomike, kishte kohë që ne kërkonin të përshtateshim në këtë treg dhe të mos kishim turizëm patente. Se nuk mund ta bëjmë patentën me 200 mijë lekë të vjetra, kur Maqedonia e bën me 700 euro. S’ka pse të hidhet baltë as mbi DPSHTRR as mbi zotin Gonxhe, sepse jemi ne që kemi kërkuar të rritet çmimi. Deri tani ka pasur informalitetet. Ka 6-7 muaj që ne kemi bërë konferencën e parë të auto-shkollës, është ngrit grupi i punës… Jemi në vështirësi ekstreme, nuk gjejmë dot një instruktor praktike”, tha ai për News 24.

“Më tej tha se qytetarët nuk duhet të dynden këtë periudhë për të bërë patentën me çmimin aktual, pasi nuk do ketë kapacitet auto-shkolla.

“Mos të dynden njerëzit sepse nuk do të kenë kapacitet auto-shkollat. Ne kërkojmë të jemi të barabartë”, theksoi ai.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH