Kryesore

Panairi i 15 Vjetorit, një sukses i ri për UETPRESS

               Publikuar në : 09:25 - 22/11/21 liberale

Suela Mino

Panairi i Librit është nga ato festat e traditës, ku të gjithë janë të mirëpritur, sepse të gjithë ‘kemi nevojë të gëzojmë’; pas kaq kohe të zymtë, në izolim dhe distancë, kemi vërtetë nevojë të gëzojmë. Por në festat tona të bukura të traditës, je i mirëpritur të bujtësh, i njohur a visitor i rastit, me ose pa një dhuratë për mikpritësit, e ke apo nuk e ke ‘terezinë e xhepit’. Këtu ndryshon panairi… sepse në panair nuk feston dot ‘me duart në xhepa’…

Panairi i 24-ërt i Librit erdhi si një lajm i shumëpritur për botuesit, autorët, lexuesit dhe mjedisin kulturor në tërësi.  Të gjithë ne u përpoqëm të bënim më të mirëm që mundëm: botuesit, duke kujdesur cilësinë e botimeve, autorët duke mos u kursyer për të qenë të pranishëm në stenda, sa më pranë lexuesve, vetë lexuesit, duke dëshmuar me praninë e tyre se janë ende aty, të interesuar, të dëshiruar të gëzojnë fëmijët, veten, të dashurit e tyre me dhuratën chic – libër.

Nga ana e brendshme e një stende, ke rastin të kuptosh më mirë lexuesin, atë që të mungon, atë që thuhet se ‘ka humbur’, atë që përpiqesh ta njohësh për të ditur si t’i qasesh, si ta bësh për vete, si ta ngazëllesh, si ta nxisësh estetikisht dhe intelektualisht.

Nga gjithë mozaiku i këtij panairi, përtej kënaqësisë së madhe të rikthimit pas 2 vitesh pandemie, ka një element analize të cilin nuk mund ta kapërcesh, qoftë edhe për retorikë të të folurit në publik.

Duke qenë të pozicionuar si palë, – ne botuesit, media, autorët, aktorët e tjerë të komunikimit të librit – na duhet të jemi të kthjellët në analizë, dhe majftueshëm të sinqertë për të thënë të vërtetën. Pa u ngutur, sepse do të marrë kohën e vet, ditët në vijim, diskutimi i fenomenit ‘panair’. Por në një lexim të parë, kthjelltazi duket se ‘thembra e Akilit’ në tregun e librit është portofoli i lexuesit-blerës.

Lexuesi është aty, e di shumë mirë çfarë kërkon, di ta zbulojë atë që i pëlqen, di të zgjedhë dhe të orientohet sipas intereve të veta. Por i duhet të bëjë llogari, llogarinë e tij.

Në këtë pikë, ne jemi të gjithë bashkë dhe të ndarë, ndaj ka nevojë të ndalemi për të kuptuar çfarë mbeti pas feste…

***

Uetpress pati privilegjin të priste lexuesit e saj, duke qenë një pikë takimi gjithmonë ‘e zhurmshme’ përgjatë 5 ditëve të Panairit të Librit. Me mbi 50 tituj të rinj, nga të 5 kolanat tona, me larmishmëri botimesh në gjini të ndryshme të shkrimit dhe mendimit, nga letërsia artistike, te jetëshkrimet e deri te studimet e librat me natyrë akademike, ne rigjetëm me kënaqësi interesin e lexuesve.

Prej 15 vitesh vijojmë t’i sjellim publikut shqiptar një ngasje të re për të shijuar leximin, si atë artistik-letrar ashtu edhe atë më të ftohtë intelektual e profesional, gjithmonë të kujdesur për të mbërritur në duart e lexuesit si botime dinjitoze.

Në kolanën Leteratura spikatën botimet e reja të shkrimtarit Preç Zogaj, përmbledhja me poezi “Një e tretë, dashuria” dhe novela “Bija e vjetër e nënës së re”. sa edhe “LUX” i Loer Kumes;  fituesi i Çmimit Kadare 2021 Gani Mehmetaj me “Zogjtë e qyqes”, romani i ri “Vaji i gurit” i autores Miranda Haxhia, “Kokëmushkat” e Edmond Budinës, “Përsiatje” të Bjorn Kamberit, shkrimtari Odise Kote me dy botime të reja, përmbledhjen me tregime “Biletë për në qiell” dhe vëllimin poetik “Pengje të gurëve”, autori Sami Milloshi me përmbledhjen me tregime “Ora e Murit”, me një stil dhe rrëfim original, si edhe romani “Prushi Pellazg i autorit Miço Mone, dedikuar Dhimitër Pilikës.

Një tjetër sukses ishte “Djali me biçikletë” i shkrimtarit të njohur izraelit Eli Amir, vepra e parë e letërsisë izraelite që vjen e përkthyer nga gjuha hebraike në gjuhën shqipe, nga përkthyesi Alban Rreli, nën logon e UETPress.

Gjithmonë në vëmëndje të lexuesit, shkrimtarët Vera Bekteshi, Ben Blushi, Rudolf Marku, Kim Mehmeti, Virgjil Muçi, etj.

Ndërkohë që UETPRESS ishte me disa botime dinjitoze në kolanën Scripta manent, ndër të tjera jetëshkrimi i gjuhëtarit Bahri Beci, i cili skanon tre periudha historike nën titullin “Përjetime/ 1936-2021”, apo ai i një personazhi si Kurt Kola me titullin “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”, apo përmbledhja me intervista nga gazetari i njohur Roland Qaforku “50 pyetje për 50 personazhe – Historitë e jetës së shqiptarëve më të famshëm”.

Biografitë e skalitura nga publicisti Ilir Ikonomi mbi figurën e Faik Konicës, Esat PAshë Toptanit, apo Ismail Qemalit, ishin shumë të kërkuara në panair, krahas botimeve të tjera ndër vitë të kolanës Scripta Manent.

Nga kolanat Monografi, Studime, Acta Scentarium spikatën emra – autoritete në fushat e tyre, botime që kultivojnë debatin dhe mendimin kritik, duke pasuruar mjedisin shqiptar me kontribute të spikatura. Juristi i njohur Denar Biba me “Të drejtat e njeriut dhe Konstitucionalizmi”, ndërsa u mirëprit në shqip teksti profesional autoritativ nga dy personalitete botërore të fushës: “Marrëdhëniet Publike Sot”, nga Trevor Morris dhe Simon Goldsëorthy, botim i prestigjiozes “Macmillan Education Pelgrave”, përkthyer nga një grup pedagogësh të Departamentit të Komunikimit në UET, nën udhëheqjen e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Belina Budini.  Profesori i nderuar Albert Doja me “Ardhja e Antropologkisë në Shqipëri” sjell një studim thelbësor dhe shumë të mirëpritur nga lexuesi I kualifikuar.

Këto dhe shumë ttituj të tjerë ishin për lexuesit në stendat e UETPress, përgjatë 5 ditëve të Panairit të 24-ët të Librit në Tiranë, duke shenjuar një tjetër takim të mrekullueshëm mes nesh, që u mbyll me mirënjohje të thellë për secilin vizitor që u ndal tek botimet tona, për autorët tanë gjithmonë të pranishëm, median dhe çdonjerin që ndihmoi në realizimin e këtij aktiviteti madhor. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back