Kryesore

Pa rezultat

               Publikuar në : 09:41 - 29/05/20 liberale

Megjithëse dinamika e djeshme, me ambasadoren amerikane që takoi anëtarët e Këshillit Politik, deklaratën e OSBE për fokus tek rekomandimet e ODIHR dhe mesazhi i  Komisonerit për Zgjerimin se ishte thelbësore për integrimin, mbledhja e Këshillit Politik nuk prodhoi rezultat, ndërsa miratimi kanë mbetur vetëm dy ditë nga miratimi i Reformës Zgjedhore  

Të gjithë sytë nga Reforma Zgjedhore. Opozita, që i rikthehet fuqishëm pas tërheqjes nga shembja e teatrit, e zotuar publikisht për ta mbyllur më 31 maj, ambasadorja  e ShBA-së që zhvillon takime kokë më kokë me të katërt anëtarët e Këshillit Politik, OSBE që thekson shtatë rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisioni Europian që këshillon mbylljen pa vonesa, si një nga kushtet për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Nga rikthimi në tryezë, nga e cila demokratët thanë se nuk kishin ikur kurrë pavarësisht mungesave, selinë blu e kanë vizituar aktorë të jashtëm e të brendshëm e ku theksi i bisedave ka qenë Reforma Zgjedhore.

Fillimisht, kreu i PD-së u zotua para ambasadores Kim për përmbylljen e Reformës brenda afatit, një ditë më vonë do të takohej me ambasadorin gjerman Zingraf, por edhe me  aleatët e tij të Opozitës së Bashkuar, ndërsa dje u takua me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ndërsa konfirmoi edhe njëherë angazhimin e PD-së për të kontribuar në Reformën Zgjedhore, kryedemokrati do të theksonte besimin e tij tek vullneti politik. “Nënvizova se vullneti politik është vendimtar si për ta përfunduar reformën, edhe për të garantuar zgjedhje demokratike, të lira nga shitblerja e votës dhe nga ndikimi i krimit të organizuar”, shkruante Basha pas takimit me Varhelyi-n, ndërsa pak ditë më parë me ambasadoren amerikane tha se zgjedhjet e lira do të bënin shkëputjen njëherë e mirë nga e ardhmja.

“Reforma zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSCE-ODIHR është thelbësore për Shqipërinë dhe përparimin në rrugën e BE-së”, do të shkruante dje Komisioneri për Zgjerim, pasi zbulonte se kishte pasur një takim edhe me Rudina Hajdarin.

Por ndër pikat e propozuara publikisht nga Opozita e Bashkuar, pak është trajtuar dhe aq më pak rënë dakord në tryezë.  Pasi dolën nga mbledhja e 26 majit, anëtarët e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore pohuan se kishin rënë dakord në tri pika – edhe këto parimisht pa finalizuar në hollësi -që  lidheshin me financimin e partive në fushatë, kuotat gjinore dhe afrimi me një muaj i periudhës elektorale. Pika, që siç shtuan, Bylykbashi dhe Vasili nuk ishin ndër më të rëndësishmet.

“Më vjen mirë të dëgjoj se Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore po bën  më shumë progres. I kam takuar të gjithë anëtarët dhe besoj se do të marrin vendime të mençura. Faleminderit që vini të ardhmen, në radhë të parë”, shkruante ambasadorja Kim në Twitter, pas përfundimit të mbledhjes që zgjati katër orë por nuk prodhoi rezultat, ndërsa Këshilli do të mblidhet sot në orën 11, në përpjekje për të arritur dakordësi, të paktën edhe në ato çështje teknike, që lidhen me rekomandimet e ODIHR-it, e vetmja pikë ku secila nga palët është zotuar se do t’i miratojë e votojë në Kuvend.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama e përshëndeste kthimin e opozitës në tryezën e Reformës, ndërsa thoshte se “ koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus”.

Por mbledhja prej katër orësh dje çështjet e adresuara, ku u arrit konsensus ishin fare pak.

“Kemi rënë dakord për monitorimin e qendrave të votimit me kamera”, do të deklaronte Gjiknuri pas mbledhjes, ndërsa nuk ishte gjetur gjuha e përbashkët, as për çështje ku ishte rënë parimisht dakord më herët, si identifikimi biometrik në qendrat e votimit. Për këtë, Gjiknuri tha para disa ditësh që do të pilotohej në disa njësi votimi, ndërsa Bylykbashi tha pas mbledhjes se ishte domosdoshmëri futja e identifikimit biometrik, duke shtuar se ishte maxhoranca që nuk e donte atë.

Sipas Gjiknurit, OSBE kishte kërkuar që teknologjia të shtrihet shkallë-shkallë.

“S’mund t’ia vëmë fajin teknologjisë për dështimi ne zgjedhjeve”, deklaroi ai, ndërsa përfaqësuesit e opozitës presin sot që maxhoranca të shkojë në mbledhje me një propozim.

Një  tjetër pikë, që nuk gjeti konsensus ishte ai i rolit të  policisë gjatë procesit zgjedhor, siç pranoi Bylykbashi.

“Policia nuk është vetëm një organ i përkohshëm për zgjedhje. Policia ka misione të tjera. Ka standard për policimin”, u shpreh Gjiknuri.

Një tjetër pikë e debatuar mes forcave në Këshill ishte ajo e administrimit të zgjedhjeve, ende pezull.

“Ne jemi për depolitizim të administratës zgjedhore. Mirëpo, opozita u tërhoq. Dispozitat janë gati. Ka vend edhe për propozimet që ka dhënë opozita. Besoj se kemi formulë alternative kompromisi. Por jo çdo dëshirë mund të kthehet në realitet. Për praninë e policisë në zgjedhje, nuk ka model që të ketë drejtor policie për zgjedhje. Kjo nuk njihet në asnjë vend të botës”, vijonte Gjiknuri. Më radikal do të tregohej përfaqësuesi tjetër i opozitës në Këshill, Petrit Vasili i cili u shpreh se nuk ishte arritur dakordësi për asgjë, duke lënë të kuptohet edhe dështim të Reformës.

“Kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore, nuk i sjellin asnjë përfitim opozitës. Nuk është e lehtë të ketë marrëveshje ku në dialog ke ata që kanë vjedhur dhe manipuluar zgjedhjet. Nuk është e lehtë të heqësh dorë nga vesi”, do të shprehej Vasili.

Mbledhja e djeshme – tri ditë para skadimit të afatit, ku palët u zotuan vetë për 31 majin dhe ndërkombëtarët presin përmbushjen e tij-  nga temat e diskutuara e kishte  fokusin  vetëm tek adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Në një deklaratë të OSBE-së, pak orë para mbledhjes,  theksohej se po ndiqet me interes të veçantë përpjekja e palëve për kompromis, në ato që ODIHR-i ka vlerësuar si problematikë, tashmë shumëvjeçare. Nga depolitizimi i administratës zgjedhore, e cila mbetet ende pikë e nxehtë debati e Këshillit, me PD që kërkon mospërfshirjen e administratës publike në administrim të zgjedhjeve, ndërsa sipas PS propozimi i opozitës nuk çon as në departizim e as në depolitizim, siç edhe rekomandon ODIHR, kaherë.  Një pikë konsensusi është balanca gjinore në listat zgjedhore,  e arritur në mbledhjen e parafundit të Këshillit. Pika të tjera mes rekomandimeve janë ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme.

“Njëkohësisht, reforma zgjedhore nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e OSBE-së, ndërsa Borchardt e sheh finalizimin, brenda 31 majit, në të mirë të vendit dhe aspiratave për integrim.

Por, edhe në skenarët më të mirë të gjetjes së kompromisit për administrimin e zgjedhjeve, përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së në Këshillin Politik e kanë bërë të qartë se e  vetmja garantuese e zgjedhjeve të lira e të ndershme do të ishte qeveria kujdestare. E refuzuar menjëherë nga maxhoranca, jo vetëm si kërkesë politike e jashtë punimeve të tryezës së Reformës, por edhe si një qëllim i paarritur nga protestat e rrugës dhe i risjellë në tryezën e negociatave. Madje sipas bashkëkreut të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ajo as është shtruar në Këshill, si kërkesë që i tejkalon kompetencat e tryezës dhe kërkon një marrëveshje mes liderit të maxhorancës dhe të opozitës.

Ndërkombëtarët  janë kujdesur t’i  përçojnë mesazhet e qarta tek palët e veçanërisht, tek opozita.

Pak ditë më parë, deputetët e opozitës parlamentare folën për një sugjerim të ambasadës amerikane, që lidhej me ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Çështja e sistemit do të lihet pas miratimit të Kodit Zgjedhor. Megjithatë, nëse të gjitha partitë bien dakord për një sistem atëherë jemi dakord”, u shpreh Gjiknuri, ndërsa deputetja Hajdari zbuloi se kishte kërkuar nga ekspertët dhe ODIHR një pasqyrim të sistemit danez. “Ndryshimi i sistemit apo minimumi hapja e listave duhet të jetë çështja kryesore e reformës pasi të tjerat do të jenë arnime të vogla”, do të shprehej deputetja, ndërsa  e cilësoi mbledhjen e djeshme pa diskutime konkrete.

Modelin e përfolur danez, Basha e mohoi të kishte ardhur si sugjerim nga jashtë, ndërsa vetë do të shprehej për Maxhoritar të pastër. Megjithatë, do të shtonte ai në një dalje tjetër, se ishte  i hapur për listat dhe çdo lloj sistemi që u garantonte qytetarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Por sipas Bashës, ishte kryeministri Rama ai të cilit i mungonte vullneti për ndryshim të sistemit.

Ndonëse Gjiknuri do të pranonte pak kohë më parë se propozime për ndryshim të sistemit, si ai Proporcional me lista të hapura, i kishte ardhur vetëm nga përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari dhe jo nga PD e LSI. Në Kuvend, Gjiknuri do të thoshte se ndryshime të tilla do të kërkonin kohë – të cilën Këshilli Politik i Reformës nuk e ka -, dhe se prekte Kushtetutën.

Fokusi i maxhorancës, qysh me ftesat që i bënte PD për t’u ulur në dialog për Zgjedhoren, ishte tek adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat po dje janë përsëritur nga ambasadori Borschardt, duke mos u ndalur tek ndryshimi i sistemit. Dy liderët, ai i maxhorancës dhe i opozitës, muaj më parë nuk e shihnin të keqen të vinte nga sistemi zgjedhor  megjithëse qasjet për përmirësimin e zgjedhjeve ishin të ndryshme. Rama që e shihte tek ana teknike e rekomandimeve të ODIHR-it, ndërsa Basha tek vullneti  për të gjetur dialog fillimisht për çështjet politike e më vonë ato teknike.

Megjithatë, Gjiknuri lajmëroi dy ditë më parë lëshime nga maxhoranca me qëllimin e gjetjes së dakordësisë për Reformën.

“Mund të ketë hapësirë për elementë shtesë kontrolli ku partitë që sot kanë akses në komision, të mund të kenë sy, vesh dhe të kenë të drejta të garantuara, gjë që besoj do ta mundësonte kompromisin”, do të zbulonte Gjiknuri, ndërsa ka përsëritur se nuk ka kohë për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Nuk mundet thjesht një grupim i vogël që në parlament meqënëse ka disa vota të imponojë sistemin e tij. Nuk imponohet sistemi. Për sistemet o bëhet marrëveshje e madhe, po nuk mund të imponojë një pakicë”, është shprehur ai gjatë një interviste, ndërsa bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën, Hajdari do të zbulonte se në mbledhjet e Këshillit shpesh Bylykbashi e Vasili binin dakord me Gjiknurin, ndërsa prej kohësh grupimi i ri i deputetëve në parlament kërkon lista të hapura në zgjedhje.  Por sipas Gjiknurit, ato do të ulnin cilësinë e përfaqësimit.  Në një intervistë të pak ditëve më parë, kryeministri Rama, do të thoshte se diskutimet rreth  sistemit nuk pengoheshin, por nuk ishte detyrim rënia dakord, “me pahir”.

Kreu i qeverisë madje do të zbulonte se nuk ishte ambasadorja amerikane e përfshirë në  temën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, ndërsa ai e priti disa herë në zyrën e tij, javën e shkuar, ndërsa reforma zgjedhore si temë e përcaktuar nga BE, do të votohet në parlament në bazë të rekomandimeve të ODIHR-it.

Por takimi i zonjës Kim edhe me kreun e Kuvendit, ku siç u bë e ditur, biseda ishte sjellë rreth Zgjedhores dhe mbledhja katër orëshe e Këshillit Politik në mjediset e Pallatit të Kongreseve, tregonte qartë presionin ndërkombëtar, për miratimin e Reformës dhe votimin në Kuvend.

Ndonëse dje pati më shumë zhurmë dhe zhvillime para mbledhjes sesa prodhoi ajo rezultat konkret, Reforma Zgjedhore do të duhet të miratohet, me sytë e ndërkombëtarëve dhe mesazhet e tyre të gjitha të fokusuar atje. Pak ditë më parë, Kim do të deklaronte se dy reformat duheshin kryer siç u ishte premtuar shqiptarëve dhe se me to nuk bëhej pazare.

48 orë para mbylljes së Reformës, kreu i PD-së do të përsëriste kredon e tij, qysh prej shkurti të vitit të kaluar, për largimin e Ramës si kryeministër dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

“Asnjë pikë nuk ka kuptim në qoftë se nuk ka vullnet për ta zbatuar atë.  Pika  më e rëndësishme është: do të ketë apo nuk do të ketë qeveri pa Edi Ramën kryeministër. Në qoftë se nuk ka qeveri pa Edi Ramën kryeministër të tjerat janë pesë me hiç, por ne jemi aty për të bërë detyrën tonë që, të paktën, kuadri ligjor nesër, nën qeverisjen tonë, nën drejtimin tim, mos të kenë gojë dhe të thonë “shikoni””, do të deklaronte Basha. Ai theksoi se qeveria tranzitore do të ishte jo vetëm garanci ligjore për zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe pikë e pandryshueshme e opozitës që duket se do ta  vijojë betejën e saj politike, jashtë Reformës Zgjedhore, ku kjo pikë nuk është pasqyruar mes propozimeve konkrete.

Me kohën që nuk premton dhe pikat e debatit, tregojnë se Opozita e Bashkuar, lideri i së cilës u zotua publikisht në krah të ambasadores së ShBA për ta mbyllur më 31 maj, do të lëshojë shumë prej kërkesave, që nga pesë draftet që iu çuan Komisionit të Reformës për miratim, do të fokusohen tek çështjet teknike, që megjithatë kërkojnë vullnetin politik, për të cilin flet kryetari Basha.

Gjiknuri: Kërkojmë depolitizim të administratës zgjedhore

Deputeti Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në tryezën për reformën zgjedhore deklaroi se palët kanë rënë dakord për votim elektronik, por kërkohet plan implementimi.

“Sot kishim mbledhjen ku u trajtua roli i policisë, parandalimi i krimit zgjedhor, masat ekstreme që kërkon opozita përfshirë edhe kamerat. Kemi debat edhe për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ne kemi rënë dakord për votim elektronik në zgjedhje. Kërkohet identifikimi i zgjedhësve dhe përfshirja ku është e mundur të votimit dhe numërimit elektronik. Ne duam, por ODIHR thotë se teknologjia duhet të përfshihet gradualisht dhe në mënyrë të qartë. Nuk është çështje dëshire, por duhet parë.

Jemi dakord për teknologjinë. Por zgjedhjet nuk mund të vihen në diskutim, është apo jo teknologjia. Uroj që kjo të mos përdoret si sebep. Kemi rënë dakord për hapje të kutive normalisht, monitorimi i qendrave të votimit me kamera etj. Por ne nuk kemi dhënë dot garanci 100 përqind. ODIHR ka kthyer përgjigje e thotë se rekomandohet se teknologjia nuk duhet më shumë se 10 përqind e duhet bërë shkallë-shkallë. Por edhe votimi tradicional njihet nga ndërkombëtarët”, tha Gjiknuri.

Në lidhje me depolitizimin e zgjedhjeve, Gjiknuri u shpreh se maxhoranca ka rënë dakord për këtë pikë, kurse shtoi se opozita kërkon përfaqësues politik.

“Ne jemi për depolitizim të administratës zgjedhore. Mirëpo, opozita u tërhoq. Dispozitat janë gati. Ka vend edhe për propozimet që ka dhënë opozita. Besoj se kemi formulë alternative kompromisi. Por jo çdo dëshirë mund të kthehet në realitet. Për praninë e policisë në zgjedhje, nuk ka model që të ketë drejtor policie për zgjedhje. Kjo nuk njihet në asnjë vend të botës.

Policia nuk është vetëm për organ i përkohshëm për zgjedhje. Policia ka misione të tjera. Ka standard për policimin. Zonja Hajdari dhe të tjerët kërkojnë sisteme të ndryshme. Cështja e sistemit do të lihet pas miratimit të Kodit Zgjedhor. Megjithatë, nëse të gjitha partitë bien dakord për një sistem atëherë jemi dakord”, vlerësoi Gjiknuri.

Reforma Zgjedhore, Hajdari: Diskutime për sistemin danez në takim e radhës

Në përfundim të tryezës së Këshillit Politik për Reformë Zgjedhore, deputetja e opozitës Rudina Hajdari deklaroi se mes palëve nuk pati dakordësi sa i takon çështjes për numërimit biometrik, një nga kushtet e vendosura për këtë reformë.

Ajo theksoi se bëri një ndaj ekspertëve dhe ODIHR që të bëjnë një pasqyrim të sistemit danez dhe pati një konsensus për këtë.

“Nuk pati diçka konkrete pasi nuk bie dakord për numërimin biometrik dhe teknologjia e numërimit është i rëndësishëm. Mendojmë që nesër do të nisim sërish me këtë pikë. Bëra një kërkesë ndaj ekspertëve dhe ODIHR që të bëjnë një pasqyrim të sistemit danez dhe patëm një konsensus për këtë. Ndryshimi i sistemit apo minimumi hapja e listave duhet të jetë çështja kryesore e reformës pasi të tjerat do të jenë arnime të vogla”, pohoi deputetja Hajdari. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back