Enxhi Heti*
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih nisi me një synim të vetëm e të qartë: të trajtonte sfidat e sigurisë globale. E megjithatë, askush prej pjesëmarrësve nuk e kishte menduar se pikërisht në këtë platformë diskutimesh e rrahje mendimesh, BE-ja do të kthehej në shënjestrën e kritikave më të forta të lëshuara ndonjëherë nga aleatja e saj më e madhe, ShBA-ja. Pasi shprehu shkurtimisht solidaritetin e tij me komunitetin e Mynihut për sulmin terrorist të vetëm një dite më parë, përfaqësuesi i dytë më i lartë i Uashingtonit, shkundi themelet e konceptit evropian të sigurisë, duke shprehur shqetësimin e tij jo më për kërcënimet e jashtme, por për kërcënimet e brendshme që i kanosen BE-së. I ftuari akuzoi Evropën, për më tepër në shtëpinë e saj, se ka braktisur vlerat themelore demokratike që dikur bashkëndante me ShBA-në, duke vendosur qartazi një vijë ndarëse mes dy aleatëve. Kjo vijë ndarëse u thellua edhe më tej kur zëvendëspresidenti amerikan deklaroi se BE-së do t’i duhet ta sigurojë vetë mbrojtjen e saj në të ardhmen, në përpjekje për t’u vetëpërmirësuar teksa ShBA-ja angazhohet në rajone të tjera të botës që janë në rrezik më të madh.
Për të treguar se sa e mirinformuar është ShBA-ja për ato që ndodhin brenda juridiksioneve të aleates së saj historike, ai përmblodhi me tone ironike disa zhvillime tejet të pakëndshme në Suedi, Mbretëri të Bashkuar, Skoci dhe Rumani, të cilat cenonin rëndë - sipas tij - lirinë e shprehjes. Ky peizazh faktesh, u pasua shumë shpejt nga hipoteza se mbase demokracia evropiane nuk ka qenë mjaftueshëm e fortë që në fillesat e saj. Të shprehurit në mënyrë kaq eufemistike, tregon padyshim se sulmi ndaj identitetit dhe sistemit demokratik evropian është më shumë se i mirëmenduar nga folësi dhe lehtësisht i deduktueshëm nga kushdo që merret me analizën dhe studimin e diskursit politik. Megjithatë, zor se mund të arrihet konsensusi për kafshatën më të vështirë për t’u kapërdirë: sulmi ndaj identitetit dhe sistemit demokratik evropian, mbështetja e hapur e zëvendëspresidentit për partitë populiste të krahut të majtë e të djathtë, apo paralelizimi mes BE-së dhe Bashkimit të dikurshëm Sovjetik.
Sidoqoftë, pakkush do të shprehte kundërshti lidhur me një konstatim – më e fortë se “shuplaka” ndaj BE-së është mënyra se si numri 2 i Uashingtonit mandatoi autoritetin absolut të Donald Trump-it në arenën ndërkombëtare. Duke i atribuuar një titull të ri (sherifi i qytetit), ai siguroi mbarë komunitetin se, jo vetëm që bota tashmë ka një drejtues të vetëm, por do të nisë t’i japë llogari këtij të fundit veçanërisht (por jo vetëm) për lirinë e shprehjes. E meqenëse të gjithë e morën mesazhin e synuar, se skena ndërkombëtare patrullohet tanimë nga “sherifi amerikan”, zëvendëspresidenti stimuloi hapur BE-në që të rimendonte qasjen e saj ndaj emigracionit, në përpjekje për ta bërë Evropën e zhvilluar që të konvergojë drejt politikës së re kufizuese amerikane, e cila sapo ka nisur të zbatohet kundër kësaj dukurie të dalë jashtë kontrolli. Pikërisht në këtë pikë të fjalimit, përfaqësuesi i ShBA-së i kujtoi BE-së se shqetësimi i saj kryesor duhet të jenë votuesit e saj dhe jo ekonomia globale. Një rikujtesë e tillë përkoi çuditërisht me politikën aktuale të prioritizimit të çështjeve të brendshme në kurriz të çështjeve globale nga ana e konservatorëve, një politikë të cilën zëvendëspresidenti i ShBA-së ia këshilloi edhe BE-së, ndonëse pak më tërthorazi nga ç’ishte rasti me politikën për emigracionin.
Idetë e qëmtuara me lart, tentojnë haptazi drejt krijimit një dikotomie artificiale në arenën ndërkombëtare: të një BE-je që i është larguar së tepërmi integritetit demokratik të fillimeve të saj dhe të një ShBA-je që tashmë ka ekskluzivitetin e mbajtjes lart të pishtarit të lirisë. Herë me ton akuzues të ashpër dhe të drejtpërdrejtë, e herë me ton shpotitës prej skeptiku ironik, JD Vance sinjalizoi nëpërmjet këtij fjalimi simbolik në zemër të Gjermanisë rënien e diplomacisë publike dhe ngritjen e diplomacisë “kritike” amerikane. Në këtë epokë të re të konservatorizmit, superfuqia atlantike ka treguar se është e gatshme të hedhë tutje “mjetet e joshjes” aq fort të promovuara nga Nye dhe të mbathë “pajimet e qortimit”. Teoria kisingeriane, që diplomacia ngrihet mbi mirëkuptimin e aleatëve dhe jo mbi imponimin e një qëndrimi të vetëm, duket se është përmbysur. Një përmbysje e tillë, ka sjellë si rezultate të para reagimet e menjëhershme të liderëve evropianë, të cilët i lanë pak hapësirë diskursit diplomatik që i karakterizon ngaherë. Krisja duket se sapo ka nisur.
Ndonëse është ende herët për të përcaktuar nëse ShBA-ja do të dalë më e fituar apo më e humbur nga ky ndryshim thelbësor i strategjisë diplomatike, jemi fiks në kohë për t’i kujtuar vetes atë që Jean Jacques Rousseau parashtron në Kontratën Sociale – kur të mëdhenjtë përplasen, të vegjlit vuajnë pasojat. E duke qenë se në diplomaci gabimet nuk falen por ndëshkohen, shtetet e vogla duhet të manovrojnë me kujdes dhe t’i njohin imtësisht realitetet e reja gjeopolitike që po shpalosen përpara tyre, në mënyrë që të arrijnë të ekuilibrojnë politikat e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare. Era që po fryn në Mynih, do të mbërrijë edhe në BP6. Të gjithë duhet të fillojnë përgatitjet!
*Enxhi Heti ka përfunduar studimet në nivelin Master Shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET