Aranit Muraçi
"Ferma e Kafshëve", shkruar nga George Orwell dhe e botuar në vitin 1945, është një alegori e fuqishme që kritikon totalitarizmin, autoritarizmin dhe çdo lloj qeverisjeje që nuk vihet në shërbim të qytetarëve, por në vend të kësaj prodhon korrupsion dhe tradhëton idealet e saj.
Vepra është publikuar në një kohë kur në Shqipëri sapo ishte instaluar regjimi totalitar. Orwell është frymëzuar nga ngjarjet që kishin ndodhur në Rusi pas dy luftrave të para botërore.
Përmes një kritike të hollë e therëse ndaj regjimeve totalitare e qeverisjeve autoritare, "Ferma e Kafshëve" shërben si një paralajmërim i përhershëm, i vlefshëm në çdo sistem qeverisës, për rreziqet e mëdha që vijnë prej pushtetit të pakontrolluar dhe brishtësinë e vet lirisë. Autori me mjeshtëri nxit lexuesit të qëndrojnë vigjilentë kundër ndikimeve korruptuese që vijnë prej qeverisjeve arbitrare.
Historia zhvillohet në fermën “Manor”, brenda së cilës kafshët, të pakënaqura me trajtimin dhe udhëheqjen mizore të pronarit të tyre, z. Jones, frymëzohen nga ideja e mençur e një derri, për t’u ngritur në revoltë dhe për të fituar lirinë e të drejtat e mohuara. Derri që i frymëzoi kafshët dhe i udhëhoqi drejt lirisë quhet Major. Ai ëndërronte një botë tjetër të tyren ku kafshët mund të jetonin të lira e të pavarura, larg nga shtypja dhe shfrytëzimi njerëzor.
Pasi u rebeluan dhe e rrëzuan me sukses nga pushteti Z. Jones, pronari i cili shpesh dehej dhe i linte ‘banorët’ e fermës pa ushqim, kafshët fitojnë lirinë dhe krijojnë një sistem tjetër sipas parimeve të tyre qeverisëse, duke premtuar barazi midis të gjithëve. Major ndahet papritur nga jeta me të ardhur kafshët në vetqeverisje, duke lënë derrat si racën më të privilegjuar për kontrollin e pushtetit.
Derrat dhe jo kafshë të specieve të tjera, veçanërisht Napoleoni dhe Snowball, shumë shpejt marrin rolet më të larta udhëheqëse. Nga ana e tij Snowball mbështet progresin dhe inovacionin, kurse Napoleoni përdor taktikën për të imponuar frikë te të tjerët dhe propagandën për të konsoliduar pushtetin. Taktika e Napoleonit funksionon duke e dëbuar në fund Snowball, rivalin e tij për pushtet.
Ndërsa derrat bëhen më autoritarë nën qeverisjen e Napoleonit, ata nisin të manipulojnë qasjen dhe ndryshojnë parimet me të cilat erdhën në pushtet me qëllim për të mbrojtur privilegjet e tyre, duke çuar në shprehjen e famshme, "Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat". Vepra zbulon maninë e politikanëve në sistemet totalitare ose në sisteme pa institucione të konsoliduara, për të abuzuar lehtësisht me pushtetin, duke demonstruar se si vetë pushteti i korrupton lehtësisht ata që e ushtrojnë atë.
Novela nxjerr në pah shfrytëzimin e klasës punëtore, të përfaqësuar nga Boxer, kali besnik, i cili simbolizon vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve të thjeshtë. I shpejtë për të ndihmuar të tjerët, por i ngadaltë në mendje për të reaguar si duhet, Boxer tregon shumë përkushtim ndaj idealeve të “Fermës së Kafshëve”, dhe pak aftësi intelektuale. Ai u beson me naivitet derrave që të marrin të gjitha vendimet për të. Moto e tij janë "Do të punoj më shumë" dhe "Napoleoni ka gjithmonë të drejtë".
Derrat në veprën e George Orwell simbolizojnë politikanët që premtojnë liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë, por në vend të kësaj, sjellin pangopësi, korrupsion, abuzim dhe padrejtësi.
Squealer është derri që përhap propagandën e Napoleonit mes kafshëve të tjera. Squealer justifikon monopolizimin e burimeve nga derrat dhe përhap statistika të rreme që tregojnë sukseset historike të fermës. Orwell përmes Squealer zbulon se si ata që vijnë në pushtet shpesh përdorin retorikën dhe manipulimin për të shtrembëruar të vërtetën me qëllim për të fituar e ruajtur kontrollin shoqëror e politik.
Qentë në novelë, të edukuar nga Napoleoni, shfaqen si forca e tij policore. Qentë i binden me egërsi eprorit dhe zbatojnë me përpikmëri urdhërat duke sulmuar çdo kafshë që ka një mendim ndryshe prej tij ose që dyshohet se bashkëpunon me rivalin e tij kryesor për pushtet, Snowboll-in.
Pulat janë grupi i vetëm në Fermën e Kafshëve që organizuan një rebelim pas dëbimit të z. Jones. Pulat, kur pushtetin e marrin derrat, i rezistojnë edhe Napoleonit pasi ai i urdhëron të dorëzojnë vezët. Rebelimi i tyre detyron Napoleonin të masakrojë pulat që organizuan revoltën.
Delja përfaqëson grupin më të pamend në fermë por besnike e verbër që ndjek urdhrat dhe vazhdimisht përmend maksimën e partisë për të mohuar çdo qeverisje tjetër të mundshme, "katër këmbë të mira, dy këmbë të këqija".
Gomari jetëgjatë Benjamin refuzoi rebelimin sepse besonte fuqimisht se jeta do të mbetej e pakëndshme dhe me vuajtje pavarësisht se kush do të vinte në pushtet. Nga të gjitha kafshët në fermë, ironikisht vetëm gomari i kupton ndryshimet që ndodhin, por duket se ai ose nuk dëshiron ose nuk është në gjendje t'u kundërvihet derrave.
Në fund, kafshët e kuptojnë se situata e tyre pavarësisht lirisë së fituar nga qeniet humane nuk u përmirësua; përkundrazi ato mbetën po aq të shtypura sa më parë. Derrat në qeverisje u bënë madje edhe më mizorë nga njerëzit që dikur i përmbysën, me shpresë për një të ardhme më të mirë.
Ndonëse vepra portretizon kalimin e shoqërisë ruse nga sundimi i Carit te diktatura brutale e Stalinit, mesazhi është po aq i vlefshëm në një demokraci si kjo e jona, me institucione të brishta e të korruptuara, sistem në të cilin njerëzit ashtu si derrat në botën e kafshëve nga instikti i pangopësisë abuzojnë me pushtetin dhe favorizojnë sojin e tyre në kurrizin e të tjerëve, duke vepruar paturpësisht kundër premtimit që dhanë para se të vinin në pushtet.