Aranit Muraçi
Në emër të “lirisë” dhe “sovranitetit” janë gratë e veshura me burkua të cilat udhëtojnë në pjesën e pasme të një taksie në Kandahar, Afganistan. Tre vjet pas tërheqjes së Amerikës, është kjo situata e zymtë në vendin e prapambetur e të izoluar aziatik.
ShBA-të pas pushtimit dhe rrëzimit të talebanëve investuan për dy dekada gati dy trilionë dollarë për të çrrënjosur mbetjet e së kaluarës me qëllim për të implementuar demokracinë, në një vend të marrë peng nga talebanët, historikisht i prapambetur dhe larg civilizimit botëror.
Por pavarësisht investimit 20 vjeçar, kur SHBA kuptuan që edhe 18-vjeçarët me votën e tyre refuzuan të pajtoheshin me vlerat perëndimore, u tërhoqën përmes një marrëveshjeje, që i riktheu sërish talebanët në pushtet.
Muajin e kaluar pas ardhjes në pushtet talebanët publikuan një kod të ri, edhe më të rreptë në respektimin e ligjeve fetare. Kodi i ri sipas raportimeve të huaja, i ka lënë gratë afgane të tronditura, teksa shumë prej tyre po kërkojnë të gjejnë një rrugë apo mundësi për t'u larguar nga “pengmarrja”.
Talebanët e Kabulit pas rimarrjes së pushtetit po kërkojnë për legjitimitet dhe për të lidhur marrëdhënie me pjesën tjetër të botës, por tre vjet pas tërheqjes së Amerikës, situata duket më e rëndë se kurrë. Pushtetin e talebanëve po e vuan aktualisht më tepër populli dhe gratë e Afganistanit.
“Talebanët” e Tiranës ngjasojnë dhe dallojnë po aq shumë me talebanët e Kabulit. Njësoj si ata të Kabulit, ata të Tiranës i refuzojnë institucionet dhe nuk pajtohen me vlerat perëndimore, të imponuara qoftë edhe me forcë kur ata refuzohen, si kudo në botë, nga SHBA. Ata të Tiranës ëndërrojnë njësoj, që, SHBA do të lodhet një ditë me ta dhe do t’i lërë të qetë të qeverisin sipas kodeve dhe ligjeve të tyre.
Dallimi i madh mes talebanëve të Tiranës dhe të Kabulit qëndron jo vetëm te kulturat e ndryshme të dy popujve dhe pozicioni gjeografik i tyre, por më e rëndësishme se kaq, është lidhja e fortë dhe historike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë sipas të gjitha sondazheve nuk besojnë te “talebanët” e Tiranës por tek institucionet e SHBA, përqindja më e lartë e një populli proamerikan në Europë. Ndaj edhe “talebanët” e Tiranës e kanë humbur pa luftë betejën e ‘sovranitetit’ me SHBA-të ndryshe nga ata të Kabulit që nuk i rrëzuan as me luftë.
Ata që shpresojnë se ashtu si në Kabul pas 10 apo pas 20 vitesh amerikanët do të tërhiqen dhe institucionet e investuara e të mbështetura prej tyre do të bien një ditë, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse fuqizojnë aleancën ShBA-qytetarë në tkurrjen deri në zhdukjen përfundimtare të tyren nga skena publike dhe politike.