Op-Ed

Veliaj dhe “lufta e ftohtë” në PS, për numrin 2!

Shkruar nga Aranit Muraçi

Veliaj dhe “lufta e ftohtë” në PS, për numrin 2!

Mbrëmja gala e organizuar nga KOKSH, Komiteti Olimpik Shqiptar, bëri bashkë pas shumë kohësh kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj, dhe zv. kryeministren Belinda Balluku. E ndërsa u bënë bashkë pamja e rezervuar mes drejtuesve kryesorë të PS “foli” më shumë, ndonëse numri dy i qeverisë Belinda Balluku është përpjekur në orët e fundit që të bindë publikun, veçanërisht elektoralin socialist se marrëdhëniet mes saj dhe kryebashkiakut të Tiranës, janë në mos normale, të shkëlqyera.

Ky shpjegim i zv.kryeministres vjen ndoshta nga presioni në rritje rreth asaj që qarkullon në bazë dhe që lidhet me mosmarrëveshje të forta mes tyre. Në korridoret e PS-së ka kohë që flitet për një “luftë të ftohtë” mes saj dhe Veliajt, e cila po bëhet gjithnjë e më e ashpër,  e gjitha kjo, për numrin dy të partisë. Kjo “luftë” që aktualisht është duke u zhvilluar, megjithatë, si në çdo garë mund të jetë normale, pse jo duhet parë edhe si pozitive brenda një partie ku funksionin demokracia e brendshme. Përpjekja e fundit e Ballukut për t'u justifikuar se nuk ka "luftë" tregon pikërisht ekzistencën e betejës për numrin 2 mes tyre.

Kryeministri aktual Edi Rama, në fakt, doli nga një garë e tillë e ngjashme para se ai të merrte drejtimin e partisë në vitin 2005, kur u dorëhoq ish-kryeministri që humbi zgjedhjet në atë kohë, Fatos Nano. Rama iu bashkua PS një vit pas ardhjes në pushtet për herë të parë gjatë pluralizmit politik me pëlqimin e Nanos, në një kohë kur nuk ishte as anëtari thjeshtë i Partisë Socialiste, madje në '90 kishte qenë edhe pjesëtar në themelimin e PD-së. Rama u bë kryetar pa pëlqimin e Nanos, kur ishte në mandatin e dytë si kryetar i bashkisë së Tiranës, çka kjo dha edhe provën e parë demokratike në një parti pluraliste.

Por duhet theksuar se deri në vitin 2003, kur shpalli ambicjen për të marrë drejtimin e PS-së, Rama vazhdoi të mos ishte anëtar i PS-së ndërsa kishte kandidatë të tjerë edhe më të favorshëm për të pasuar Nanon, si Ilir Meta dhe Mandeli Majko. Ndërkohë, vlerësohet se gara e brendshme e forcoi PS-së, krahasuar me rivalin e saj, duke i dhënë avantazhin që ka sot, si një parti qeverisëse.    

Ndërsa nga njëra anë kryeministri Edi Rama beson  se po e çon PS-së drejt një mandati të katërt radhazi, nga ana tjetër ai po përpiqet të ruajë ekuilibrat brenda maxhorancës dhe shihet si autoriteti i vetëm i cili shuan “zjarret” kur vlerëson se ato bëhen aq të rrezikshme, sa mund t'i djegin shtëpinë dhe destabilizojnë maxhorancën si forcë kryesore qeverisëse. Kjo është ndoshta arsyeja që Veliaj dhe Balluku po shmangin retorikën e një konflikti të mundshëm, të paktën në sytë e publikut.

Konflikti i brendshëm, referuar burimeve të PS, ka kohë që zien por për hir të pushtetit që gëzon e  majta nuk po shpërthen. E megjithatë, eksperienca ka treguar se kur pushteti shkon në tejngopje një i tillë shpërthen. Konflikti ka shkuar deri aty saqë mbështetësit e Belinda Ballukut po denoncojnë mbështetësit e Erion Veliaj, që kanë mbajtur ose që mbajnë poste të larta në bashki dhe qeveri. E njëjta gjë po ndodh edhe në kahun e kundërt: mbështetësit e Veliaj po denoncojnë njerëzit e Ballakut. “Beteja” ia ka lehtësuar punën SPAK,  për të mbledhur prova teksa drejtorë të lartë në të dy kampet kanë përfunduar në qeli, vitin e shkuar. Veliaj dhe Balluku janë thirrur po ashtu dhe janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.

Në prag të fushatës së 2025, Veliaj shihet se është vënë më tepër nën presion politik nga vetë partia e tij. Kryebashkiakut të Tiranës PS i ka “emëruar” një rival, i cili fillimisht është caktuar për të udhëhequr fushatën e kryeqytetit. Bëhet fjalë për ministrin Blendi Gonxhe, të cilin PS e sheh si një kandidaturë edhe për kryetar bashkie. 

Erion Veliaj është vënë nën presion edhe nga opozita. Edhe sot protesta e radhës e opozitës u fokusua sërish para dyerve të bashkisë së tij dhe jo para dyerve të kryeministrisë.

SPAK nga ana tjetër pas goditjes së disa prej drejtuesve të lartë në bashki po thellon hetimet ndaj familjes së Veliajt. I gjendur mes “tri zjarreve”, lufta e brendshme, i sulmuar prej kundërshtarit, dhe nën hetim nga SPAK, Veliaj është futur papritur në një labirinth që duket sikur nuk ka rrugëdalje.

Është kjo situatë ndoshta sfida më e vështirë politike për të ardhmen e kryebashkiakut, Erion Veliaj. Politika ka gjithmonë rrugëzgjidhje edhe kur një gjë e tillë duket e pamundur. Në një moment kërkon reflektim, në një tjetër lind nevoja për kompromis. Nëse e kalon me sukses sfidën Veliaj ka të ngjarë të bëhet numri një i PS-së. Nëse jo ndoshta do të rikthehet ashtu siç e nisi, nga e para dhe në një parti tjetër.

Poll
SHQIPENGLISH